Haradinaj: Në bisedimet me Serbinë duhet të hapet edhe çështja e fondeve pensionale

Aktuale

Haradinaj: Në bisedimet me Serbinë duhet të hapet edhe çështja e fondeve pensionale

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 13:07
Përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe të Moshuarve të Kosovës në takim me Ramush Haradinajn

Përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe të Moshuarve të Kosovës, gjatë një takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë shprehur shqetësimet për Ligjin e Skemave Pensionale, i cili, sipas tyre, duhet të rikthehet te ligji i miratuar që më 2006, por që nuk është zbatuar kurrë, për shkak të, siç është thënë, kostos së lart që Kosova nuk ishte në gjendje ta përballonte.

Po ashtu ata shprehën mospajtimin e tyre me Ligjin për organizimin sindikal i cili i përjashton ata si dhe për mos hapjen e çështjes së fondeve të plaçkitura nga Serbia nga delegacioni kosovar në procesin e bisedimeve të Brukselit.

Sindikalistët pensionistë shtruan edhe çështje tjera, siç janë shfrytëzimi i përbashkët i hapësirave publike që Lidhja e Pensionistëve të Kosovës i ka lëshuar me qira, si dhe problemet e organizimit të brendshëm.

Kryeministri Haradinaj u ka premtuar sindikalistëve se së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të shikohen mundësitë e transformimit të Ligjit mbi Skemat Pensionale në Ligj të mirëfilltë të pensionistëve dhe invalidëve. Haradinaj tha se partitë politike duhet t’ua njohin pavarësinë sindikatave dhe të mos interferojnë në çështjet e tyre të brendshme. Ai tha se në bisedimet finale me Serbinë, pasi që Kosova ta ketë një ligj të mirëfilltë për pensionet e punës dhe invalidëve të punës, duhet të hapet edhe çështja e fondeve pensionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat