Debate e akuza të ashpra në Kuvend, nuk kalon votimi për rishikimin e buxhetit

Aktuale

Debate e akuza të ashpra në Kuvend, nuk kalon votimi për rishikimin e buxhetit

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 10:44
Kuvendi i Kosoves

(E plotësuar) - As pas disa orë debati me akuza e kundër akuza, deputetët e Kuvendit nuk kanë arritur të miratojnë në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Kjo, pasi deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në votim, ani pse ishin në sallën plenare.

Edhe pse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli hodhi dy herë në votim, Projektligji nuk mori me shumë se 60 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pasoj e kësaj, Veseli ndërpreu seancën për ta vazhduar nesër në orën 10:00. 

Replika mes deputetëve të LDK-së dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ka qenë shkak i një përplasje tjetër mes deputetëve të LDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes.

Deputetja e VV-së, Shqipe Pantina tha se fjalimet e dy deputetëve të LDK-së, Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku, për një moment e bënë të mendojë sikur ata janë deputetë të Vetëvendosjes.

Pantina: Kur i dëgjova Vjosën e Lumirin, mendova se janë në VV

“Teksa po i dëgjoja për një moment mendova se kanë kaluar në Vetëvendosje, sepse flisnin sikur të ishin deputet të VV-së, po ashtu do të mendoja se LDK-ja paska ndryshuar, sepse po mundohen ta tregojnë fytyrën tjetër të LDK-së, por për një moment mu kujtua se shef i grupit parlamentar është Avdullah Hoti, i cili ka qenë ministër i Financave, e unë kam qenë anëtare e Komisionit për buxhet dhe financa dhe e di mirë qysh ministri dilte përjashta me Naser Osmanin e Safete Hadërgjonaj e merreshin vesh ne korridor për buxhet dhe e qonin dorën gjithë deputetët e LDK-së”, tha Pantina.

Reagoi deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, e cila ia kujtoi deputetes Pantina, se sa ish deputetë të PDK-së dhe anëtarë të LPK-së, ka për rreth, prandaj kurrë nuk shkon në VV.

Osmani: Kurrë nuk vij në VV

“Shqipe, po me vjen interesant sa shumë të paskan të dhimbtë replikat tona me PDK-në, vërtetë po e dëshmon katërcipërisht se jeni po ai brumi i njëjtë. Vetëm shiko sa ish deputetë të PDK-së ke për rreth, shiko, sa ish LPK-ist ke për rreth, dhe do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot, po kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, u shpreh Osmani.

Përplasja mes tyre vazhdoi edhe me tutje, ku deputetja Pantina theksoi se ata e dinë sa është e keqe PDK-ja, porse nuk e dinë nëse Vjosa e ka ditur kur kanë shkuar në koalicion me të.

Pantina: Ne e kemi ditur sa e keqe është PDK

“Se, PDK është e keqe e kemi ditë, edhe këta deputetët që dikur kanë qenë në PDK e kanë ditur, prandaj e kanë lënë PDK-në e kanë ardhur në VV. Nuk e di Vjosa partia jote a e ka ditur kur ka shkuar te PDK-ja ta bëjë qeverinë”, theksoi Pantina.

Ndaj deputetes Pantina, reagoi edhe deputeti Lumir Abdixhiku, i cili e ftoi atë të merret me problemin e buxhetit, por nëse dëshiron t’ia bëjë një shërbim PDK-së dhe të nisë luftën me ta, atëherë janë të gatshëm edhe për këtë.

Abdixhiku: Nëse doni t’i bëni shërbim PDK-së ta nisni betejën me LDK-në

“Vetëvendosjes nuk po i pengon këtu shkurtimi i buxhetit për shëndetësi, as listat për veteranët, të vetmin rast që e përmendet është kritika jonë që po ia bëjmë PDK-së për këtë punë. Edhe një herë po të ftoj mos u merr me këtë çështje, me LDK-në, sepse problemin e kemi këtu, këtu po flitet për rishikimin e buxhetit. Nëse doni t’i bëni shërbim PDK-së ta nisni betejën me LDK-në, edhe për atë punë këtu jemi”, u shpreh Abdixhiku.

Këtu nuk mbaruan përplasjet, pasi deputetja Pantina, tha se kur ata e kanë ftuar LDK-në të bëhen bashkë në luftën kundër PDK-së, ata kanë shkuar në koalicion me të.

Pantina: Kur iu thirrem të luftojmë bashkë kundër PDK-së, ju shkuat në koalicion

“Respekti për LDK-në do të rritet atëherë kur Isa Mustafa nuk e drejton më atë. Ai i cili ka qenë bashkë me PDK-në, ka shkuar tek PDK-ja, e para. E dyta , nuk i paskit dëgjuar fjalimet e kolegëve folën gjithë për shëndetësi. Edhe për shëndetësi po them, ministri ka qenë i LDK-së, shikoni pak brenda, luftën tonë me PDK-në e kemi nisur moti, ju kemi thënë hajdeni me neve ta bëjmë luftën bashkë, ju atëherë keni shkuar të PDK-ja, tash nuk mundeni të shfajësoheni”, shtoi ajo.

Debati vazhdoi me diskutime tjera për projektligjin për plotësim ndryshimin e rishikimit të buxhetit.

Osmani: Veteranët e vërtetë i meritojnë pensionet, jo ata që folën nga Zvicra e Shqipëria

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, duke folur për listën e fryrë të veteranëve të UÇK-së, ka thënë se pensionet duhet t’i marrin ata që në të vërtetë kanë luftuar për Kosovën.

Sot në debatin për rishikim të buxhetit për vitin 2017, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, akuzoi deputetin e LDK-së, Lumir Abdixhiku se ka qenë pjesë e shërbimeve sekrete të Serbisë, derisa deputeti Abdixhiku akuzoi Veselin për përfshirje në listën e fryrë të veteranëve të UÇK-së.

Deputetja Osmani është përfshirë në këtë debat, duke thënë se PDK-ja e konsideron gjyqësinë dhe prokurorinë si pronë të veten, derisa kritikuesit e kësaj partie i akuzon se janë pjesë të BIA-së e UDB-as.

“U shpërfaq logjika e PDK-së se siç e konsideron gjyqësinë e prokurorinë e sheh si prone të veten, sepse njerëzit e PDK-së ankohen kur dikush ua thotë të vërtetën dhe nuk hezitojnë që t’i akuzojnë për lidhje me BIA-n dhe UDBA-n”, ka thënë Osmani.

“Po flas këtu si një njeri që ka respekt për secilën ushtare dhe ushtar që ka luftuar për këtë vend. Po flas si një anëtare e një familje që ka marrë pjesë në ndërtimin e celulave të para në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes ës Kosovës. Veteranët e vërtetë e meritojnë të marrin pagat, jo ata që flisnin nga Zvicra e Shqipëria dhe sot na shesin vend se kanë mbrojtur Kosovën. A ka më hipokrizi kur ata vetë pranojnë se ka ndodhur fryrja e listave”, ka thënë veç të tjerash deputetja e LDK-së.

Image
Vjosa Osmani

Osmani e LDK-së kërkon buxhet për gratë e dhunuara në luftën e Kosovës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani, ka hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, ku sipas saj asnjëhrë nuk kanë votuar pro amandamenteve për barnat esenciale.

Në seancën e sotme ku po diskutohet për projektligjin e rishikimit të buxhetit, Deputetja Osmani madje ka kërkuar që të gjendet edhe shuma e kërkuar që u takon grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

”Do të ishte tmerr e turp për ne, nëse në Kuvend nuk flasim për barërat esenciale. Pavarësisht se kush ka udhëhequr qeverinë, kanë bërë amandamente për barna esenciale, e ju deptuetë të PDK-së kanë votuar kundër tyre”.

”Ka qenë çështja e barnave esenciale e lëre më e barnave esenciale. Falsifikimi i listave, më së shumti i ka dëmtuar ata që kanë qëndruar më së afërti kur ne kemi pas nevojë për ta”.

”Pse në këtë buxhet nuk po gjendet shuma që u takon grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. E vërteta është se ju PDK nuk e mbani asnjëherë fjalën”, ka përfunduar Osmani.

Çështja e veteranëve të luftës ka nxitur një përplasje në mes të deputetit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

Abdixhiku ka akuzuar Veselin, por edhe presidentin Hashim Thaçi se kanë fut veteranë të rrejshëm në lista për vota.

Abdixhiku ka thënë se nuk janë 60 mijë veteranë duke e quajtur patriotike verifikimin e listave të veteranëve.

Por ndaj kësaj deklarate të deputetit ë LDK-së ka reaguar kryetari i Kuvendit.Ai kërkoi nga Abdixhiku të flas me emra konkret se kush i ka fryrë listat e veteranëve.

Veseli: Fol me emra konkret Lumir

“Krejt ata që kanë ikur është e vërtetë se i kanë bërë veteranë por t’i s’ke drejt me fol edhe kur ki drejt thuaje konkretisht, sepse disa manipulant sikurse ti që flet sot kanë fryrë listat, kjo është e vërtetë,. Por mirë është drejtpërdrejt cili person, bëja me gisht tash edhe le të merret prokuroria. Sepse manipulant sikurse ti i kanë fryrë listat edhe ikin tash e mundohen t’i bien në Kuvend”, tha Veseli.

Kërkesës së Veselit iu përgjigj pozitivisht Abdixhiku duke i thënë se emrat që kanë fry listat e veteranëve janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaci.

Abdixhiku: Kadri Veseli e Hashim Thaçi i kanë fryer listat

“Ju i keni bërë ato lista, tash po kërkoni prej meje proces hetimor këtu në parlament me vërtetua që i keni shtuar 60 mijë veta me lista. Emrin e ka Kadri Veseli, emrin e ka Hashim Thaci e kanë komandantët e tyre që kanë bërë lista zgjedhore. Mos bëni hajgare, pse po thoni që unë i kam fryrë listat a, tash ju po doni me ditë prej meje kush i ka fryrë listat. Qe njeriu që i ka fryer listat, a ka qenë shef i SHIK-ut a ka qenë Hashim Thaci me të, kush i ka bërë këto lista. Jo na i kemi bërë në LDK i kemi bërë na. Mos bëni hajgare”, tha Abdixhiku.

I menjëhershëm ishte reagimi i Veselit i cili i tha deputetit të LDK-së se është ai që e ka urrejtur UCK-në dhe edhe tash e urren.

Veseli: E ke urrejtë UÇK-në o Lumir

“Ti mundesh me ly edhe me fy edhe gjithë fatkeqësinë e Kosovës me qit tek gjaku i luftëtarëve, por ne të cilët po mundohemi ta kryejmë buxhetin  do ta përfundojmë. Me pas prokuror ti Lumir në lëminë tane ish ardh dhe të kish pyet cilin veteran e ka futur Kadri Veseli, a ka ndonjë anëtar të familjes, ndonjë shok që është futur në lista. Ti e ke urrejtë UÇK-në o Lumir, e urren edhe sot”, tha Veseli.

Por përplasja në mes të dyve nuk është ndalur. Ishte Abdixhiku ai që ia ka kthyer Veselit. Ai ia përmendi atij të qenurit shef i SHIK-ut dhe se njerëzit e kësaj organizate kriminale janë dënuar me shumë vite burgim.

Abdixhiku: Për dy gjëra do të mbahesh mend, Kadri

“Kadri Veseli është në panik dhe e ki një problem, e para do të mbahesh mend për dy çështje, seni i parë që do të mbahesh mend është se ke qenë shef i SHIK-ut dhe si shef i SHIK-ut si organizatë kriminale, të pëlqeu ose jo njerëzit e tu janë dënuar me nga 25 vjet për vrasje. E dyta, ti do të mbahesh mend që e ke sjellë PDK-në prej një partie të madhe në një grusht deputetësh, krejt këta janë duke qeshur me ty, s’po guxojnë me të thënë, për neve është shumë e mirë, këtu të asistojmë. Problemin me ty e kam Kadri kur ti din me falimentu Kosovën, qaty s’mund të pajtohem me ty”, deklaroi Abdixhiku.

Por Veseli i tha atij ta gjejë se kush nga SHIK-u është dënuar me burg dhe nëse po ai do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Ai madje e ka quajtur Abdixhikun gënjeshtar duke i thënë se ai nuk do të mbahet mend për asgjë.

Veseli: Lumir, i keni sjellë njerëzit e UDB-së këtu

“Dëgjo, së pari nuk e di në këto vite është dënuar një person i SHIK-ut, nëse e gjenë unë jap dorëheqje prej kryetarit të Kuvendit, je rrenc, e dyta dëgjo çka po të them, ti ke filluar me aktrim karrierën mirë, tregojmë me 19 nëntor pastaj ngadalë ecim, por puna forma si e ke filluar ti mund të sjellë moment të caktuar, por afatgjatë kjo nuk është politika. Ti do të mbahesh mend poër shumë sene, por s’do të mbahesh mend për asnjë gjë, kjo është e turpshme, ke manipuluar edhe me atë 25 vjet. Njerëzit e UDB-së që keni sjellë këtu jeni munduar t’i improvizoni këtu, nuk i lexoni fare, t’i kanë sjellë prej UDB-së, thash edhe më herët po e di çka po flas, t’i që po lëmohesh, e di ku e ki kokën këtu”, i tha Veseli Abdixhikut.

Pas kësaj deklarate Veseli doli nga salla ku po mbahej seanca për të shkuar në organizimin e Gjykatës Kushtetuese në 8 vjetorin e themelimit.

Image

Veseli – Abdixhikut: Ti e urren UÇK-në, mendjen e ke në Serbi

Kryetaparlamentari i Kuvendi të Kosovës Kadri Veseli e ka replikuar Lumir Abdixhikun pas akuzave të ashpra që ky i fundit ia drejtoi Veselit teksa mbante fjalimin për çështjen e veteranëve dhe listat e fryra.

Veseli i ka thënë Abdixhikut se e urren UÇK-në dhe se mendjen e ka në Serbi.

“Realisht mirë ka qenë që të fokusohemi tek pjesa e buxhetit. Më  e rënda është kur disa njerëz mundohen t’ia shkatërrojnë jetën dikujt me disa të pavërteta. Lehtë është veç me fol, por duhet të jemi konkret. Me manipulime Lumir mund të marrësh ndonjë votë te elektorati që është jo UÇK.  Me çfarë dinjiteti maniluplativ, duhet të kesh kujdes kur të flasësh, të qesësh gjëra konkrete. Ti nuk mundesh me ndërlidhë. Gjithë fatkeqësisë e Kosovës me e qitë tek gjaku i veteranëve”, i thotë Veseli, Abidhxikut.

Image

Zemaj pyet ministrin Tahiri: Kujt po i ngutet me pagu 5 milionë euro për pasaporta

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në seancën e sotme ka folur për rishikimin e buxhetit për vitin 2017, duke thënë se Ministria e Financave në këtë plotësim ndryshim ka përfshirë edhe çështjen e pasaportave.

Zemaj ka kërkuar përgjigje nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri se ku ka mbetur procedura  rreth pasaportave dhe a janë kryer obligimet ligjore për arbitrazh.

“A ka bërë pala austriake kërkesë për njohje dhe ekzekutim për arbitrazh. Ku ka mbet procedura? Si përfundim propozoj se nëse nuk janë kryer obligimet kërkoj të tërhiqen shuma e paraparë që është prej 5 milionë euro”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se skandali me pasaporta është skandali më i madh që ka ndodhur.

“A janë përmbush obligimet ligjore, sepse ky është skandali më i madh . Kujt po i ngutet me pagu këtë 5 milionësh”, ka pohuar ai.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me debatin për rishikimin e buxhetit të Kosovës, ku opozita tha se ky rishikim po bëhet për qëllime propagandistike.

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri ka thënë se në Kosovë ka vetëm shkurtime dhe shkurtimet vetëm e shkurtojnë dhe e cungojnë mirëqenien dhe e rrudhin mirëqenien.

“Kur është miratuar buxheti po shihet që ka qenë i fryrë në rasti e të hyrave, pra ka qenë mashtrim por edhe tash kur po rishikohet po bëhet për qëllime të propagandës dhe po trajnohet si para gjepi nga kryeministri, kjo është politika e tuxharit problematik”, ka thënë ai.

Image
Albin Kurti

Kurti: Ky është buxhet i mjerimit

Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti, e ka quajtur buxhet të mjerimit programin buxhetor të kësaj qeverie.

Sipas Kurtit rishikimi i buxhetit nuk ka shenja se mund të sjellë risi sa i përket zhvillimit në industri, prodhim,  ndërmarrje të vogla dhe të mesme apo në kërkim shkencor. Madje sipas tij, ky buxhet e zhyt në varfëri më e thellë klasën e mesme dhe të varfrit.

“Ky është buxhetim i mjerimit financiar dhe politik. I zhyt në varfëri më të thellë klasën e mesme dhe të varfrit.  Programi qeverisës i kësaj qeverie ka më shumë faqe e fjalë sesa dokumente me parime programore. Aty është shtuar numri i kontradiktave, shkarjeve , gabimeve logjike. Ai fillon me një listë të dëshirave për sundimin e ligjit, psh premton një vetting të ri, shumë me përmbajtjesor se sa i pari. Kur nuk ishte përmbajtjesor i pari, si do të garantohet përmbajtësimi i të dytit”, tha Kurti.

Sipas deputetit të VV-së, ky buxhet nuk flitet për të hyrat, por vetëm për shpenzim dhe administrim, duke shtuar se buxhetimi i këtij lloji tregon për profilin e njëjtë të Qeverisë, por se vetëm emrat e ministrave janë të ndryshëm.

Image
Bedri Hamza

Hamza: Rritja ekonomike për vitin 2018 do të jetë rreth 4 %

Ministri i Financave, Bedri Hamza duke iu përgjigjur deputetëve, ka deklaruar se rritja ekonomike për vitin 2018 do të jetë rreth 4 përqind.

Hamza ka mohuar se kanë bërë për ndryshimet vetëm për shpenzimet dhe jo për të hyrat, duke thënë se janë eliminuar investimet nga AKP-ja.

Sipas tij, asnjë draft-ligj për AKP-në nuk ka pas dhe duke ditur procedurat që kërkohen, ka qenë e pa mundur që këto ndryshime të futen në projektligjin e buxhetit të Kosovës.

Ai tha se janë rritur subvencionet, ku po ceket çështja e veteranëve ku ka averziv ndaj kategorive të caktuar por ligji duhet të zbatohet.

Hamza ka siguruar se për rrugën për Gjilanin mund të ndahen mjete por parakushtet janë që të lidhet kontrata dhe le të fillojnë punët.

Kurse, duke iu përgjigjur sigurimeve shëndetësore, ka thënë se nuk është kompletuar infrastruktura nënligjore, nuk janë pajisur njerëzit me kartela, nuk janë caktuar çmimet, nuk janë caktuar kostot, andaj ai uroi që kjo çështje të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.

Image
Naser Osmani

Osmani: LDK nuk do ta votojë rishikimin e buxhetit

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani në emër të grupit parlamentar të LDK-së, nuk është pajtuar edhe projektligjin për rishikimin e buxhetit të Kosovës.

Osmani tha para deputetëve se ministri i financave duhet ta ruaj deficidin buxhetor ashtu siç e obligon ligji dhe për këtë duhet një përkushtim më i madh.

“Zvogëlimi i buxhetit të të hyrave ku janë heq 103 milionë euro është pasi nuk kemi arritur të miratojmë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ndërsa sa i përket ndryshimit të ligjit për AKP-në, ky ndryshim mund të bëhet për një kohë të shkurtër”, tha ai.

Grupi parlamentar i LDK-së ka shprehur shqetësimin edhe për heqjen e mjeteve të rrugës Prishtinë-Gjilan.

“Mjetet e ndara sipas ligjit bazik për fondin e sigurimeve shëndetësore të heqin dhe në vend që këto mjete të shkojnë te të sëmurët, ato kanë shkuar në thonjëza për veteranët e luftës”, ka thënë ai.

Deputetja e AAK-së, Tuta Haxhiu ka kërkuar nga qeveria procedimin e Krojektligjit për punëtorët e viteve 90-ta.

“Unë e kam një pyetje lidhur me punëtorët e viteve 90-ta. Ligji i cili ishte në agjendën e harresës së qeverisë Mustafa. Unë do të parashtroj si pyetje që qeveria ta vë në lëvizje këtë projektligj”, ka thënë Haxhiu.

Deputetët e shqetësuar për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë

Seanca e sotme e rregullt ka filluar me deklarimet jashtë ditës ku deputetët kryesisht të opozitës të cilët kanë ngritur shqetësime në lidhje me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorët serbë.

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se në marrëveshjen për drejtësi një pjesë që është fshehur nga institucionet e Kosovës thuhet se aktgjykimet e Serbisë në Kosovë janë të vlefshme.

Image
Glauk Konjufca

Konjufca: Zgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve serb është e turpshme dhe e pafalshme

“Kjo është mbajtur me qëllimisht e fshehur nga ana e Qeverisë së Kosovës pikërisht për shkak të përmbajtjes, për arsye se në njërën anë vendimet e Serbisë bëhen të vlefshme në Kosovë, në anën tjetër për arsye që përmban kjo listë edhe emrat e gjyqtarëve, të cilët i ka caktuar Vuçiqi që Këshilli Gjyqësor formalisht veç me ngritë dorën me u bërë gjyqtarë dhe prokurorë të Kosovës. Kjo i demaskon gënjeshtrat dhe mashtrimet e Qeverisë, duke na thënë që gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin dhe është krejt në rregull, edhe Qeveria e Kosovë do ti caktoi këta gjyqtarë dhe prokurorë. Po shihet fare qartë që katë nuk janë emëruar me konkurse e me punën e tyre profesionale, por janë emëruar me negociata mes Qeverisë tonë dhe Aleksandër Vuçiqit. Kjo është e turpshme dhe e pa falshme për mënyrën se si është zgjedhur kjo çështje”, tha  Konjufca.

Në lidhje me këtë temë edhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu i cili tha se i cili tha se betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë është jo transparent.

Sejdiu: Betimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb jo transprent

“Sot e morën një lajm shqetësues nga mediet, me faktin që kufiri vec po na lëvizë, e kishte me qenë mirë meqë e kemi ministrin apo kryeministrin të shqyrtoi se ky lajm është I vërtet. Sepse demarkacioni ende nuk është ratifikuar në këtë kuvend. Cështja tjetër të cilën deshta me diskutuar sot me ju është cështja e betimit të gjyqtaërëve nga katër komunat në veri. Në fakt nëse ka pasur betim ose jo. Për dallim nga arstet e tjera të betimit ku jepen video incizimet të dhënies së betimit, dje kemi marrë vetëm foto lajme dhe në asnjë foto nuk paraqiten gjyqtarët duke dhënë betim” tha  Sejdiu.

Edhe ajo ka shprehur dyshimet e saj në lidhje me emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Ajo madje tha se presidenti I Kosovës nuk po e luan rolin e tij unifikues.

Osmani: Presidenti i Kosovës nuk po e luan rolin e vet si symbol I unitetit

“Këtë e dëshmoi qysh nga shpërbërja e këtij parlamenti, kur ai mblidhte vota për mocionin kundër Qeverisë  së Kosovës dhe e vazhdoi gjatë tërë kohës së fushatës duke marrë pjesë drejtpërdrejt dhe duke ndikuar tek qytetarët e Kosovës përfshirë fatkeqësisht edhe te pakicat në qytete të caktuara. Pra duke favorizuar PDK-në dhe duke bërë fushatë për këtë parti qoftë në Prizren, në Vushtrri, në Klinë, Drenas dhe madje edhe sot duke pritur në zyrën e tij kandidaten e PDK-së për Mitrovicë. çështja e dytë të cilën ai e keqpërdori rolin e tij është dialogu Kosovë-Serbi… fusha e tretë është dekretimi i gjyqtarëve serbë me një mungesë totale të transparencës e rrjedhimisht edhe një potencial për shkelje të kushtetutës së Kosovës dhe shkelje të parimit të sistemit unik të Këshillit Gjyqësor”, deklaroi Osmani.

Para deputetëve ka dal kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i cili tha se do të jetë transparent sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Haradinaj: Do të jemi transparent për dialogun Kosovë-Serbi

“Që nga ardhja në Qeveri ne kemi bërë kujdes të madh me kuptuar gjendjen rreth dialogut, rreth marrëveshjeve, cilat do qofshin të arriturave. Dhe në një afat të caktuar do ta informojmë parlamentin mbi të gjeturat tona për gjendjen. Njëkohësisht kemi paraparë po ashtu që në një etapë tjetër jo fort larg të propozojmë një plan për pozicionin e Kosovës në të gjitha këto tema dhe t’i a sjellim Kuvendit, pra jo të mbetet pronës qeverisë e as e presidentit. Jemi të hapur me u konsultuar edhe me presidentin dhe në mes vete. Pra, dëshirojmë me sjell në parlament që të dihet sa më saktë pozicioni i Kosovës, të gjeturat e Kosovës dhe çka dojmë me pasuar. Nuk po i shqyrtoi të gjitha ato që u thanë sot, por në afatin e caktuar kohor do ët vijmë me të gjitha ato që janë me interes”, tha kryeministri Haradinaj.

Seanca ka vazhduar me pyetje parlamentare për kryeminsitrin Haradinaj dhe ministrat e kabinetit të tij.

Bajrami: Kryeministri t'a sqarojë krijimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka kërkuar nga kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, që të japë sqarime rreth krijimit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Sipas saj kjo ministri krijimin e së cilës e kanë evituar qeveritë e kaluara, ka potencial që të shpie drejt rajonizimit të vendit.

“Çkado që të ndodhë si derivat i kësaj ministrie, përgjegjës është kryeministri Haradinaj”, tha Bajrami.

Ajo gjithashtu ka kërkuar nga Haradinaj që të jetë më përgjegjës ndaj pyetjeve të deputetëve të Kuvendit, dhe të mos largohet nga salla e Kuvendit kur ata parashtrojnë pyetje parlamentare.

Kryeministri nuk është hera e parë që nuk qëndron gjatë pyetjeve.  Besoj që duhet të jetë më fleksibil e të qëndrojë dhe t’u japë përgjigje deputeteve”, tha ajo.

Pantina kërkon sqarim nga Haradinaj për shkarkimin e bordeve të pavarura

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina gjatë kohës për pyetje parlamentare ka kërkuar nga kryeministri Hradinaj që të jap arsyeje për shkarkimet e fundit të anëtarëve të disa bordeve të pavarura.

"Kryeministri ditë më parë ka shkaktuar borde të tri institucioneve të pavarura. Përveç që kanë qenë kryesisht borde politike, por kryeministri nuk ka dhënë arsye për shkarkimin e këtyre bordeve. Të na jap arsyet për shkarkimin e tyre, apo ka qenë zëvendësimi i këtyre anëtarëve me anëtar të partive të koalicionit qeverisës", ka thënë ajo.

Tahiri: Emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë është bërë në pajtim me ligjin

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri duke iu përgjigjur disa dyshimeve të deputetëve për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë tha se dekretimi I tyre është bërë në pajtim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet në fuqi.

Tahiri tha se  dekretimi paraqet aktin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit për drejtësi ndërkaq shtoi se në këtë proces kanë dhënë kontribut ambasada e SHBA-ve, EULEX-I, etj.

Tahiri tha se  me dekretimin e djeshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve është shtrirë funksionalizimi i gjykatave në veri.

Image
Abelard Tahiri

Vjosa Osmani: Thaçi po e turpëron institucionin e presidencës

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani është shprehur kritike ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ajo ka thënë se presidenti po e keqpërdor këtë institucion në shumë mënyra.

Mënyra e parë e keqpërdorimit të këtij institucioni sipas saj, është se Thaçi ka bërë fushatë në favore të PDK-së.

“Ky institucion po tregohet diksrkiminues me qytetarët e Kosovës. E kemi për obligim në këtë kuvend ku është zgjedhur ai, të ngritim zërin ndaj tij. Presidenti nuk po luan rolin e unifikuesit.

“Ai filloi të mbledh vota për rrëzimin e qeverisë, dhe u angazhua në fushatë duke favorizuar PDK-në. Pra presidenti ka bërë fushatë gati në të gjitha komunat në favore të PDK-së”.

Ajo tha se çështja e dytë që ai po e keqpërdor rolin e tij, është bisedimet me Serbinë.

“Presidenti në kundërshtim me rezolutën e Kuvendit për bisedimet e Brukselit, po bën marrëveshje më Serbinë. Ky president jo që nuk e përfaqëson popullin, por po e turpëron këtë institucion”, tha Osmani.

Haradinaj: Do ta sjellim një plan për pozicionin e Kosovës në temat me rëndësi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës së shpejti do të sjellë një plan për çështjen e dialogut me Serbinë, marrëveshjet dhe të gjitha çështjet me rëndësi.

Sipas tij, që nga ardhja në Qeveri kanë bërë kujdes të madh rreth dialogut dhe marrëveshjeve të arritura dhe me një afat të caktuar do të raportojnë në Kuvend.

“Gjithashtu e kemi paraparë që të propozojmë një plan për pozicionin e Kosovës në të gjitha këto tema, pra jo të jetë pronë e Presidentit dhe Qeverisë por ta sjellim në Kuvend”, tha ai në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kollçaku kërkon të ndëshkohen përgjegjësit e vdekjeve të dyshimta në QKUK

 Deputetja e VV-së Fatmire Kollçaku, ka ngritur çështjen e vdekjeve të dyshimta në QKUK të cilat kanë ndodhur muaj më parë në këtë institucion.

Kollçaku thotë se para përgjegjësisë për këto raste duhet të vihet OSHP-ja, organ ky që sipas saj i ka mundësuar fitimin e tenderit një kompanie të palicensuar për prodhimin e oksidulit.

“Cili ishte kriteri i OSHP-së që ta kthente kompaninë nga Kaçaniku si furnitor kryesor jo vetëm i QKU-së po edhe spitalit në Gjilan e Gjakovë”, ka thënë Kollçaku.

Ajo tha se pavarësisht që ministri i ri i Shëndetësisë Uran Ismajli është zotuar se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, ky problem tejkalon edhe ministrinë dhe mbetet shqetësim i Vetëvendosjes dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

Hoti-Haradinajt: Pse është rikthyer kushti i luftimit të korrupsionit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj të jap arsyen se pse është rikthyer kushti për luftimin e korrupsionit në listën për liberalizimin e vizave.

Hoti ka thënë se pas takimit të tyre me përfaqësuesit e OSBE-së, përfaqësuesve të këtij subjekti iu është thënë se është kthyer çështja e luftimit të korrupsionit.

Ai tha se LDK kërkon që kryeministri të sqarojë arsyet e kthimit të këtij kriteri. Hoti përmendi 94 kriteret që ka pas Qeveria e kaluar, janë plotësuar 93, me përjashtim demarkacionit.

Image
Avdullah Hoti

Konjufca zbulon një dokument që Qeveria e Kosovës ka mbajtur të fshehtë

 Deputeti Glauk Konjufca ka zbuluar një aneks dokument nga Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për drejtësinë duke dhënë edhe detaje nga kjo marrëveshje.

“Kemi zbuluar një ankes që Qeveria ka mbajtur të fshehur . Me marrëveshjen për drejtësi një pjesë të cilës ju e keni mshefë, thuhet që konsiderohen të vlefshme aktgjykimet e serbisë në Kosovë.Kjo është mbajtur qëllimisht e fshehur nga ana e Qeverisë së Kosovës pikërisht për shkak të kësaj përmbajtje sepse vendimet e Serbisë bëhen të vlefshme në Kosovë dhe në anën tjetër janë emrat e gjyqtarëve që i ka caktu Vuçiqi”, ka thënë Konjufca.

Sejdiu kërkon video për betimin e gjyqtarëve serb

 Deputeti i pavarur Korab Sejdiu ka kërkuar video incizim për betimin e katër gjyqtarëve serbë të veriut.

Sejdiu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se betimit e 4 gjyqtarëve në veri ku janë paraqit vetëm foto lajme ku nuk shihen gjyqtarët duke u betuar.

Ai kërkoi video ku shihen gjyqtarët duke u betuar se do të respektojnë ligjet e Kosovës.

Sejdiu po ashtu i kërkoi kryeministrit që të sqarojë lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, ku mediat thanë se po lëviz kufiri.

Image
Korab Sejdiu

Milaim Zeka: Thaçi e Hasani na zhveshën nga mandati i deputetit

Në seancën e Kuvendit gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës deputeti Milaim Zeka ka akuzuar presidentin e tanishëm Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani që e kanë hequr imunitetin e deputetit.

Zeka këtë e ka lidhur me arrestimin e tij si dhe ka akuzuar disa gazetarë të cilët sipas tij kanë folur gjëra të rënda në një emision televiziv.

 Sipas tij babai i udhëheqësit të emisionit ka qenë prokuror në kohën e sistemit jugosllav duke dënuar shumë njerëz.

 “Flamur Kelmendi ka dënuar familjarë të Kujtim Shalës, ka dënuar babain e ministres Albena Reshitaj, babain e gruas së Arban Abrashit”, tha Zeka.

Madje ai ka shprehur indinjatën e tij për një sms që zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i aka dërguar një gazetari derisa kërkoi nga ai të sqarojë nëse do ta tërheq padinë që ia ka bërë shtetit.

 Kujtojmë se Zeka është në arrest shtëpiak  pasi që Prokuroria ndaj tij ka nisur hetimet për mashtrim me viza.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritet që të shqyrtohet projektligji për buxhetin për këtë vit ka filluar.

Në seancë tashmë kanë arritur disa deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe kryeministri Ramush Haradinaj me disa nga ministrat e tij..

Seancën është duke e udhëhequr nënkryetari Xhavit Haliti pasi që kryetari Kadri Veseli është në takim me zëvendësndihmëssekretarin amerikan i Shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee.

Seanca ka filluar me deklarimet jashtë rendit të ditës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat