Komisioni i Bulliqit sot u përgjigjet kritikave të Presidentit Thaçi

Aktuale

Komisioni i Bulliqit sot u përgjigjet kritikave të Presidentit Thaçi

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 13:21
“Më është përmendur se Thaçi ka pasur intervistë, por nuk e kam dëgjuar atë”, ka thënë Bulliqi.

Garë të profesorëve të Katedrës së Gjeografisë, i quajti mbrëmë Presidenti Thaçi, kundërshtitë e Shpejtim Bulliqit dhe Florim Isufit për versionin aktual të demarkacionit dhe punën e tyre në komisionin e ri të emëruar nga kryeministri Haradinaj. Kryesuesi i Komisionit të ri për Demarkacion, Shpejtim Bulliqi, thotë se as nuk e ka dëgjuar deklaratën e Thaçit, ndërsa Florim Isufi, anëtar i Komisionit, thotë se për këtë Komisioni do të dalë me një deklaratë për t’iu përgjigjur Presidentit.

Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë mbrëmë ka mbrojtur versionin aktual të Demarkacionit me Malin e Zi duke thënë se është i bindur që ka nënshkruar një marrëveshje të saktë me të cilën Kosova nuk humb tokë.

Ai ka thënë se demarkacioni është çështje institucionale por ka kritikuar profesorët që janë angazhuar nga kryeministri Haradinaj për çështjen e demarkacionit, duke thënë se kjo tani është shndërruar në garë të profesorëve.

“Kjo është çështje e përgjegjësive institucionale shtetërore, nuk është çështje e garës së profesorëve të një katedre siç po ndodh tash, garë profesionale”, është shprehur Presidenti.

Madje, Presidenti duke komentuar punën që ka nisur Komisioni i ri ka thënë se çmon përpjekjen e Haradinajt, por ka theksuar se kjo punë ka marrë fund dhe se demarkacioni është temë e mbyllur. Ai ka thënë se gjetjet e Komisionit të ri nuk do t’i pranojë askush.

Kryesuesi i Komisionit për Shënimin e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi thotë se nuk e ka dëgjuar intervistën, por i kanë thënë se Thaçi kishte thumbuar komisionin, që në tërësi përbëhet nga profesorët.

“Më është përmendur se Thaçi ka pasur intervistë, por nuk e kam dëgjuar atë”, ka thënë Bulliqi.

Ish-deputeti i LDK-së që kishte kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të nënshkruar nga Thaçi në vitin 2015, tani kryesues i Komisionit, thotë se s’është i interesuar të di çka thotë shefi i shtetit.

Ai thotë se "as nuk e ka dëgjuar e as nuk ka kohë të merret me atë punë (deklaratën e Thaçit)".

Por, të njëjtë nuk e thotë anëtari i Komisionit, Florim Isufi.

Ai, i kontaktuar nga media, thotë se e ka dëgjuar me kujdes deklaratën e Presidentit, por meqenëse ajo vjen nga Presidenti, nuk preferon ta komentojë individualisht.

“Unë deklaratën e kam dëgjuar, individualisht, meqenëse ka folur Presidenti nuk mund të them asgjë, por më vonë me siguri komisioni, pasi që ta analizojë edhe një herë deklaratën e Presidentit Thaçi, del me një komunikatë”, është shprehur Isufi.

Ai thotë se ka diçka për t’ia kthyer Presidentit Thaçi, por ai nuk do të flasë individualisht, pasi që Komisioni po merren me deklaratën e të parit të vendit.

“Unë i kam idetë edhe mendimet e mia, por po pres që Komisioni të dalë me komunikatë, për ta komentuar atë deklaratë”, thotë Isufi.

Madje, Isufi thotë se me deklaratën që do të bëhet si përgjigje ndaj Thaçit po merret  kryesuesi i Komisionit Shpejtim Bulliqi.

Ky komision, i përbërë nga profesorët e Gjeografisë dhe i kryesuar nga ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, që e kishte kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit, u emërua nga kryeministri Haradinaj, pasi ky kishte shkarkuar ekipin e mëparshëm të Murat Mehës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat