Presidenti themelon Urdhrin “Shotë Galica”

Aktuale

Presidenti themelon Urdhrin “Shotë Galica”

Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 10:51
Thaçi tha se më rastin e 90 vjetorit të vdekjes, bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese ka themeluar dekoratën “URDHRI SHOTË GALICA”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha së viti 2017 shënon përvjetorin e 90 të vdekjes së njërës prej figurave më të ndritura të historisë kombëtare, Qerime Halilit, të njohur me emrin luftarak Shotë Galica.

Kreu i shtetit theksoi se vdekja e Shotë Galicës përkufizohet me fatin e heroit tragjik, një fund jo i rrallë i figurave të mëdha, që përkundër përmasave vigane, jetën e përfundojnë padrejtësisht në mjerim social dhe ekonomik, pa fajin e tyre.

Ai theksoi se Shotë Galica vdiq në Shqipëri në kushte të rënda pa përkujdesje institicionale.

 "Përkundër fundit tragjik, Shotë Galica u shndërrua në simbol të gruas besnike ndaj atdheut, të heroinës që lufton për liri, të luftëtares së gatshme për sakrificë. Shotë Galica u bë simbol i kontributit të heroinave të heshtura të kombit, të nënave, bijave, vajzave dhe grave që në çdo periudhë historike përballuan të mirën dhe të keqen krahas familjes dhe kombit. Shotë Galica është simbol i krenarisë dhe dinjitetit të gruas shqiptare: Shotë Galica është simbol i nënave, grave dhe motrave që gatuan, ushqyen, pastruan dhe shëruan luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare kudo në Kosovë e më gjerë. Shotë Galica është simbol i nënës shqiptare, i asaj nëne që lindi Shotë Galicën, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Adem Demaçin, Jusuf Gërvallën, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Xhevë Lladrovcin dhe shumë e shumë luftëtarë e luftëtare, dëshmorë, heronj e heroina që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", th a Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se më rastin e 90 vjetorit të vdekjes, bazuar në kompetencat ligjore dhe kushtetuese ka themeluar dekoratën “URDHRI SHOTË GALICA”, me të cilën do të dekorohen figura të shquara të kombit për sakrificë dhe liri.

Përkujtohet Shote Galica (Drejtpërdrejt)

Heroina e popullit Shote Galica po përkujtohet në një akademi, ku po merr pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Akademia do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare, duke filluar nga ora 11:00. 

Shote Galica lindi në vitin 1895 në Drenicë. Ajo ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat