“Në balotazh asnjë kandidat nuk e ka të sigurt fitoren”

Aktuale

“Në balotazh asnjë kandidat nuk e ka të sigurt fitoren”

Nga: H.Orana Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 20:41
Ilustrim

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve, partitë politike tashmë kanë arritur edhe marrëveshjet e mundshme nëpër komunat që do të shkojnë në balotazh. Duke formuar koalicionet, partitë politike shpresojnë për një rezultat bindës në këtë raund zgjedhjesh.

Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se balotazhet nuk i bëjnë favorit absolut partitë garuese, pasi disa herë balotazhet kanë sjellë edhe rezultate befasuese.

Image
Faik Krasniqi

“Me lidhjen e koalicioneve me partitë e tjera, kandidatët krijojnë një komoditet, por prapë se prapë nuk i bën favorit absolut, sepse nga përvoja e së kaluarës balotazhet gjithmonë kanë ditur t'i befasojnë edhe superfavoritët”, vlerëson ai.

Sipas Krasniqit,  mbi të gjitha varet se kandidatët që janë në balotazh, sa arrijnë ta mbrojnë votën që e kanë fituar në raundin e parë, dhe sa arrijnë të përfitojnë vota nga partneri i koalicionit me të cilin kanë lidhur marrëveshje dhe votat e partive e tjera.

 “Sidoqoftë, në balotazh asnjë kandidat nuk e ka të sigurt fitoren. Shumë parti dhe kandidatë që kanë arritur balotazhin, i ka kapur një eufori e madhe e ''fitores'' të 19 nëntorit. Euforia është shumë e dëmshme. Dhe kjo eufori mund t'i befasojë në garën për balotazh, e sidomos ata kandidatë që garojnë për herë të parë për kryetar komune”, thotë analisti Krasniqi./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat