Policia zbulon planin për ditën e balotazhit - Bota Sot
Policia zbulon planin për ditën e balotazhit

Aktuale

E mërkurë, 13 dhjetor 2017

Policia zbulon planin për ditën e balotazhit

Nga: Bota sot Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 15:14
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore Policia e Kosovës, sikurse edhe herëve tjera gjatë proceseve zgjedhore, përmes hartimit të urdhrit operativ policor edhe kësaj radhe ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që do të mbahen me 19 nëntor 2017.

"Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për balotazh, do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës", thuhet në njoftim.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i urdhrit operativ për procesin zgjedhor të balotazhit është:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit zgjedhor të balotazhit.

Sigurimin e qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depos qendrore.

Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor të balotazhit.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia e Kosovës njëkohësisht iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e shtetit me qëllim për të mbrojtur votën e qytetarëve.

"Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në funksion të garantimit të sigurisë së përgjithshme dhe krijimit të një ambienti sa më të qetë për të gjithë", thotë PK./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test