Molliqaj: Iu betohem se “Klani Pronto” dhe “Klani i Dorëzimit” do të shkojnë në burg - Bota Sot
Molliqaj: Iu betohem se “Klani Pronto” dhe “Klani i Dorëzimit” do të shkojnë në burg

Aktuale

E shtunë, 16 dhjetor 2017

Molliqaj: Iu betohem se “Klani Pronto” dhe “Klani i Dorëzimit” do të shkojnë në burg

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 15:36
Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur politik, të pabazuar dhe tentim për ta dëmtuar këtë parti politikisht, dënimin e sotëm të katër aktivistëve të saj me 21 vjet burg për sulmin mbi Kuvendin e Kosovës, vitin që shkoi.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha se ky rast është kryekëput politik, pasi vendimi për dënimin e Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës u mor vetëm dy ditë para mbajtjes së balotazhit për zgjedhjet lokale. 

Lideri i Vetëvendosjes, theksoi se ende nuk kanë marrë vendim nëse do të ketë protesta ndaj këtij vendimi, pasi aktualisht janë duke punuar vetëm për zgjedhjet e së dielës.

Derisa, menjëherë do të bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit për ta kundërshtuar këtë vendim, sipas tij, aspak të drejtë dhe të pabazuar.

Ymeri: Dënimi ka për qëllim arsyetimin e përndjekjes së VV-së

“Dënimet e larta për aktivistët e VV-së pa pasur asnjë dëshmi qoftë materiale apo verbale e zhvendos vendimin e Gjykatës nga parimet e ligjit të vendimet e ndikimet politike. Ky dënim ka për qëllim t’i arsyetojë masat drastike të përndjekjes që janë përdor nga pushteti në këtë rast, e të cilat ia morën jetën një aktivisti të akuzuar Astrit Dehari, i cili vdiq në burgun e Prizrenit me 5 nëntor. Ky vendim nuk sjell drejtësi, nuk e zbardh rastin për të cilin akuzohen aktivistet tanë, por synohet ta mbulojë vdekjen e Astritit në burgun e Prizrenit në nëntorin e vitit 2016”, tha Ymeri.

  I ashpër në qëndrime ndaj këtij vendimi ishte deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se nuk ekziston  asnjë provë  që implikon aktivistët e Vetëvendosjes në sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit. 

Sipas tij, asnjë dëshmitar nuk i ka lidh aktivistët me sulmin ndaj Kuvendit.  E për këtë, ish sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, u betua në emër të Vetëvendosjes se do t’i dërgoj në burg “Klanin Pronto” në krye me Kadri Veselin, e “Klanin e Dorëzimit”, LDK-në me në krye Isa Mustafën.

Molliqaj: Ju betohem se “Klani Pronto” dhe “Klani i Dorëzimit” do të shkojnë në burg

“Ju betohem këtu dhe iu  zotohem në emër të Vetëvendosjes që ‘Klani Pronto’ në krye me Kadri Veselin, e ky klani tjetër i ‘Dorëzimit’ që po i fërkon duart,  LDK në krye me Isa Mustafën që janë bërë gati ta sulmojnë VV-në në mënyra të ndryshme nuk do të arrijnë. Në Kosovë nuk do të ketë drejtësi derisa kriminelët të shkojnë në burg. E VV deri në njeriun e fundit nuk do të mbet pa i dërgu në burg. E në burg do të shkojnë edhe ‘Klani Pronto’, edhe ky klani që i fërkon duart e ka dosjet në komunë. Sepse kjo është rruga e tyre, kjo nuk është as për inati, as për mërzi por e vetmja mënyrë e drejtë. Me këta njerëz nuk ka drejtësi dhe me këta njerëz nuk ka zhvillim e demokraci”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se Gjykata e Apelit do t’i lirojë aktivistët e Vetëvendosjes, sepse nuk ka fakte, por dënimi është politik.  

Molliqaj: Dënimi u bë për ta dëmtuar VV-në 

“Bindjen e kam në dy çështje, e para asnjë provë nuk ka, nëse dikush thotë se ka vetëm një provë, kështu që nuk ka mundës tjetër. E dyta nëse jam i bindur se është politik dhe është për përdorim, sepse arrestimi ka qenë për përdorim para zgjedhjeve nacionale, dënimi është për përdorim në zgjedhjet lokale. Arrestimi nuk iu ka funksionu, përkundrazi na ka rritë, dënimi do të na rritë edhe me shumë sepse qytetarët e dinë qysh zgjedhën gjyqtarët. Kur të konsumohet s’ka më, vjen një gjykatë më vonë e i liron”, theksoi Molliqaj.  

Katër aktivistët e Vetëvendosjes Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti  dhe Adea Batusha janë dënuar sot me 21 vjet e gjysmë burg për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit në gushtin e vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test