Këto janë rezultatet përfundimtare sipas KQZ-së në të gjitha komunat, këta janë fituesit

Aktuale

Këto janë rezultatet përfundimtare sipas KQZ-së në të gjitha komunat, këta janë fituesit

Nga: Bota sot Më: 19 nëntor 2017 Në ora: 07:25
Zgjedhjet në Kosovë

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar të gjitha votat në 19 komunat e Kosovës në të cilat sot janë mbajtur zgjedhjet e raundit të dytë.

Në balotazh ishin Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Podujeva, Kamenica, Istogu, Dragashi, Klina, Mitrovica e jugut, Rahoveci, Ferizaj, Vushtrria, Kllokoti, Parteshi, Shtimja, Malisheva, Kaçaniku dhe Obiliqi.

Fituesit e këtyre zgjedhjeve në bazë të rezultateve preliminare:

Prishtinë: Shpend Ahmeti -Lëvizja Vetëvendosje 41.403 vota apo 50,19%

Gjilan: Lutfi Haziri - LDK 21.067 vota apo 63,97%

Kamenicë: Qëndron Kastrati - LVV 8.727 vota, 55,69%

Gjakovë: Ardian Gjini- AAK 21.607 vota apo 53,49%

Prizren: Mytaher Haskuka-LVV 25.509 vota apo 50,32%

Vushtri: Xhafer Tahiri LDK 14.958 vota apo 54,31%

Podujevë: Agim Veliu LDK 20.209 vota apo 63,70%

Mitrovicë: Agim Bahtiri -AKR 16.233 vota apo 57,33%

Ferizaj: Agim Aliu- PDK 24.142 vota apo 56,17%

Dragash: Shaban Shabani- PDK 6.279 vota apo 50,16%

Istog: Haki Rugova – LDK  9.247 vota apo 51,88%

Kaçanik: Besim Ilazi – PDK 6.712 vota apo 54,87%

Klinë: Zenun Elezaj – AAK 8.311 vota apo 52.64%

Obiliq: Xhafer Gashi – AAK 6.321 vota apo 60.60%

Rahovec: Smajl Latifi – AAK 10.483 vota apo 50.69%

Shtime: Naim Ismajli – PDK 6.204 vota apo 51.54%

Suharekë: Bali Muharremaj- AAK 13.639 vota apo 52,57%

Malishevë: Ragip Begaj – NISMA për Kosovën 10.728 vota apo 55.81%

Partesh: Dragan Petkoviq – Lista Serbe 1.316 vota apo 61.81%

Kllokot: Strahinja Spasiq – Lista Serbe 1.030 vota apo 50.24%

Publikohen rezultatet preliminare nga KQZ-ja, këta janë fituesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka procesuar të gjitha vendvotimet në Komunën e Prishtinës.

Nga gjithsej 236 vendvotime që janë procesuar Shpend Ahmeti del të jetë fitues në Prishtinë me 41 mijë e 509 vota apo 50.15 për qind të votave.

Ndërkaq Arban Abrashi ka arrit të mbledh gjithsej 41 mijë e 262 vota apo 49.89 për qind.

Pra me vetëm 247 vota diferencë në Prishtinë ka fituar Shpend Ahmeti.

Numërohen 99.15% të votave, ja diferenca mes Ahmetit e Abrashit

Shpend Ahmeti ka 308 vota më shumë se Arban Abrashi.

Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes është në epërsi me 50,19 për qind të votave ndaj kundërkandidatit të tij nga radhët e LDK-së, Arban Abrashit me 49.81 për qind.

Në faqen zyrtare të KQZ-së bëhet e ditur se janë numëruar 99.15 për qind të votave.

Numërohen 93,22% të votave, kjo është diferenca mes Ahmetit e Abrashit

Kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, është në epërsi të ngushtë ndaj Arban Abrashit të LDK-së në Prishtinë me vetëm 472 vota.

Ahmeti nga 93,22% të votave të numëruara deri më tash ka 38.794 vota ose 50.31 për qind, ndërsa Arban Abrashi i LDK-së ka 38.322 vota ose 49.69 për qind.

Në numërim nuk janë përfshirë votat me kusht dhe ato me postë.

Numërohen 89 për qind të votave - ky është rezultati i fundit

Janë numëruar deri më tani 89 për qind të votave të hedhura në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Prishtinë.

Sipas të dhënave në ueb-sajtin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po prin kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar, Shpend Ahmeti.

Kreu aktual i Prishtinës aktualisht ka 378 vota më shumë se kundërkandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi.

Në 80 për qind të votave të numëruara, prin Abrashi

Teksa janë numëruar 80 për qind të votave në Prishtinë, Arban Abrashi i LDK-së është duke prirë me rezultat të ngushtë.

Ai ka 300 vota më shumë se Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. Abrashi ka 32611 vota, ndërsa Ahmeti ka 32324 vota.

Në përqindje, Abrashi ka 50.21 për qind, ndërsa Ahmeti 49.79.

Arbani prin nga 60 mijë votat e numëruara sipas KQZ

Janë numëruar deri më tani 60 mijë vota të hedhura në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Prishtinë.

Sipas të dhënave në ueb-sajtin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po prin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar, Arban Abrashi.

Kandidati i LDK-së aktualisht ka 143 vota më shumë se kundërkandidati i tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.

Sipas rezultateve momentale të KQZ-së: Abrashi prin në Prishtinë

Bazuar në rezultatet që janë publikuar deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Arban Abrashi ka marrë 54.52 për qind të votave, duke e mposhtur kështu Shpend Ahmetin i cili ka fituar 45.48 për qind.

Qendron Kastrati i VV-së fiton në Kamenicë

Lëvizja Vetëvendosje përkatësisht kandidati i saj për kryetar Qëndron Kastrati, do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme me Kamenicën.

Kjo sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja për balotazhin e zgjedhjeve.

Sipas këtyre rezultateve, Kastrati ka marrë 8,727 vota, ose 55,69%.

Ndërsa, kandidati i LDK-së Sahip Surdulli ka fituar 6,943 vota, pse 44,31%.

AAK fiton në Klinë

Zenun Elezaj i AAK-së ka shënuar fitore në garën e balotazhit për komunën e Klinës.

Ai ka fituar 52,64 për qind të votave ndaj kundërkandidatit të tij nga radhët e PDK-së, Sokol Bashota me 47.36 për qind.

Luti Haziri fiton edhe një mandat

Edhe në Gjilan tashmë ka përfunduar numërimi i votave nga KQZ-ja për zgjedhjet e balotazhit.

Sipas rezultateve preliminare, Lutfi Haziri i LDK-së do të jetë në krye të komunës së Gjilanit edhe për një mandat me 21,067 vota, apo 63,97% të votave.

Ndërsa, kandidati i Vetëvendosjes Sami Kurteshi ka marrë 11,867 vota, ose 34% të votuesve.

Mitrovica mbetet e Agim Bahtirit edhe për një mandat

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së me 100 përqind të votave të numëruara në zgjedhjet e balotazhit, Agim Bahtiri i AKR-së do të jetë edhe për një mandat kryetar i Mitrovicës.

Sipas këtyre rezultateve, Bahtiri i AKR-së ka fituar 16,233 të votave, apo 57,33%.

Ndërsa, kandidatja e PDK-së Valdete Idrizi ka marrë 12,084 vota, apo 42,67%.

Numërohen 100% të votave, Haskuka i VV-së kryetar i ardhshëm i Prizrenit

?Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka është kryetari i ardhshëm i Komunës së Prizrenit.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhet e balotazhit me 100% të votave të procesuara, Hasakuka ka marrë 25.509 vota, apo 50,32%.

Kandidati i VV-së ka triumfuar ndaj kandidatit të PDK-së Shaqir Totaj i cili ka marrë 25.180 vota, ose49,68%.

Agim Veliu fiton edhe një mandat në Podujevë

Agim Veliu i LDK-së ka shënuar fitore në garën për kryetar të Podujevës, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

Ai ka fituar 63.70 për qind të votave. Ndërkaq kundërkandidati i tij nga radhët e Vetëvendosje Ajet Potera ka fituar 36,30 për qind.

Në faqen zyrtare të KQZ-së bëhet e ditur se janë numëruar 98.95 për qind të votave.

Numërohen të gjitha votat në Suharekë, ky është fituesi

Bali Muharremaj i AAK-së ka shënuar fitore në garën për kryetar të Suharekës, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

Ai ka fituar 52.57 për qind të votave. Ndërkaq kundërkandidati i tij nga radhët e LDK-së Sali Asllanaj ka fituar 47,43 për qind.

Në faqen zyrtare të KQZ-së bëhet e ditur se janë numëruar 100 për qind të votave.

Obiliqin e merr Gashi i AAK-së

Xhafer Gashi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës së Obiliqit.

Sipas KQZ-së Gashi i AAK-së ka fituar 60.6 përqind ndërsa kandidati i LDK-së Mehmet Krasniqi ka fituar 39.40 përqind.

DnV publikon rezultatet preliminare, këto janë rezultatet befasuese

Demokracia në Veprim në një konferencë për media ka publikuar rezultatet preliminare për kryetar në 19 komuna. Në Prishtinë sipas këtyre rezultateve prin Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, ndërsa në Prizren prin Mytaher Hasukaj po ashtu nga Vetëvendosja.

Gjakovë Ardian Gjini AAK 52.93, Mimoza Kusari-Lila Alternativa 47.07

Gjilan Lutfi Haziri LDK 63.75, Sami Kurteshi Vetëvendosje 36.25

Dragash Shaban Shabani PDK 50.92, Selim Kryeziu LDK 49.08

Istog Haki Rugova LDK 51.59, Gani Dreshaj AAK 48.41

Kaçanik Besim Ilazi PDK 56.22, Basri Kodra Vetëvendosje 43.78

Klinë Sokol Bashota PDK 48.30, Zenun Elezaj AAK 52.70

Kamenicë Qëndron Kastrati Vetëvendosje 55.4, Sahip Surdulli LDK 44.6

Mitrovicë e Jugut Agim Bahtiri AKR 57.98, Valdete Idrizi PDK 42.02

Obiliq Xhafer Gashi AAK 60.51, Mehmet Krasniqi LDK 39.49

Rahovec Smajl Latifi AAK 50.56, Idriz Vehapi PDK 49.44

Podujevë Agim Veliu LDK 63.27, Ajet Potera Vetëvendosje 36.73

Prishtinë Shpend Ahmeti Vetëvendosje 50.37, Arban Abrashi LDK 49.63

Prizren Shaqir Totaj PDK 49.63, Mytaher Haskukaj Vetëvendosje 50.37

Shtime Naim Ismajli PDK 51.6,  Fatmir Rashiti kandidat i pavarur 48.4

Suharekë  Bali Muharremaj AAK 52.57, Sali Asllanaj LDK 47.43

Ferizaj  Agim Aliu PDK 56.29, Muharrem Sfarqa LDK 43.71

Vushtrri  Xhafer Tahiri LDK 54.28, Ferid Idrizi PDK 45.72

Malishevë  Ragip Begaj Nisma 55.77, Mursel Gashi PDK 44.23

Kllokot  Strahinja Spasiq Lista Serbe 50.27, Bozhidar Dejanoviq GI 49.73

Në numërim nuk përfshihen votat me kusht dhe me postë.

Sot në 19 komuna të Kosovës është zhvilluar raundi i dytë i zgjedhjeve për të zgjedh kryetarët e komunave.

1.353.613 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur janë mbyllë qendrat e votimit.

Ndërsa KQZ ka filluar publikim e rezultateve të cilat mund t’i ndiqni duke klikuar mbi foto.

Image
Klikoni mbi foto për t'i parë rezultatet

Sokol Bashota i PDK-së do të qeverisë me Klinën

Kandidati PDK-së, Sokol Bashota, do të qeverisë me komunën e Klinës për katër vitet e ardhshme, kjo sipas të dhënave nga EXIT POLL.

Këto të dhëna tregojnë që Sokol Bashota ia ka dalë të marrë 53.5% të votave kështu duke lënë pas kundërkandidatin e tij nga AAK-ja, Zenun Elezaj, i cili ka mbledhur 46.5% të votave.

EXIT POLL i cili realizohet nga Shkëlzen Maliqi dhe ekipi i tij, ka mbledhur dhe analizuar të dhënat në 11 komuna nga 19 gjithsej sa kanë shkuar në balotazh.

Lutfi Haziri e fiton Gjilanin

Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të qeveris edhe një mandat tjetër si Kryetar i komunës së Gjilanit.

Kjo sipas rezultateve ekskluzive të Exit Poll.

Lutfi Haziri nga LDK,  ka mposhtur Sami Kurteshin nga Lëvizja Vetëvendosje, me 65.8% të votave.

Sami Kurteshi sipas rezultateve, ka arritur të fitojë 34.2% të votave në këtë komunë.

Istogun e merr Haki Rugova

Sipas Exit Poll-it, në komunën e Istogut, gjatë katër viteve të ardhshme do të qeverisë Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Me 55.0%, Rugova, ka lënë pas kundër-kandidatin e tij nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj me 45.0%.

PDK fiton Ferizajin

Kandidati i PDK-së për Ferizajn Agim Aliu, ka fituar në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Aliu ka lënë mbrapa kundërkandidatin Muharrem Svarqa, I cili ishte kryetar për katër vitet e kaluara.

Bahtiri rifiton Mitrovicën

Kandidati i AKR-së, Agim Bahtiri ka rifituar garën e balotazhit.

Agim Bahtiri sipas exit-pollit ka fituar 52 për qind, ndërsa kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi 47%.

Shpend Ahmeti fiton Prishtinën

Sipas Exit-Pollit, Shpend Ahmeti është në epërsi në Prishtinë në raport me kundër kandidatin e tyre Arban Abrashi. Sipas këtij exit-polli, Ahmeti prin ndaj Abrashit 52 me 47 për qind.

Ahmeti me këtë rast, nis mandatin e dytë në këtë komunë, meqë ishte kryetar komune edhe për katër vitet e kaluara.

PDK fiton Ferizajn

Agim Aliu ka fituar Komunën e Ferizajnt sipas exit-poll.

LDK fiton Vushtrrinë

Sipas Exit Pollit , kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri ka fituar garën në raport me kundërkandidatin e tij nga radhët e PDK-së. Tahiri ka fituar 60 për qind të votive, derisa kandidati i PDK-së vetëm 40 %.

LIVE: DnV: Deri në orën 17:00 kanë votuar rreth 31 për qind e qytetarëve

Demokracia në Veprim ka njoftuar se deri në orën 17:00 kanë votuar 31.6% e qytetarëve.

Kjo organizatë ka bërë të ditur se ka pasur më shumë parregullsi sesa në pjesën e parë të ditës.

Prishtina kryeson me më së shumti votues në komunat e ëmdha me mbi 38% të qytetarëve.

KQZ: Deri në orën 15:00 pjesëmarrja 24.47%, ja përqindja në të gjitha komunat

Komuna e Kllokotit po vazhdon të prijë me daljen e votuesve sipas përqindjes. Në këtë komunë kanë votuar 41.93 përqind ose 1569 votues. Pastaj është rivotimi në Partesh, ku me përqindje kanë dal 38.07 përqind ose 4.694 votues. E treta është komuna e Shtimës, ku me përqindje ka arritur në 29.78 përqind ose 7.850 votues.

Ndërsa, në Prishtinë kanë dal për të votuar 28.97 përqind e personave që kanë pas të drejt vote ose 54.571 persona.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në konferencën e tretë për media për ditën e sotme ka bërë të ditur, se në bazë të dhënave elektronike deri në ora 15:00 kanë votuar gjithsej 325 mijë e 726 votues, apo 24,39 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, procesi zgjedhor deri në këto momente është duke vijuar normalisht.

Daka: Deri në ora 15:00 votuan 24,39 për qind

“Në bazë të dhënave në mënyrë elektronike nga 99 për qind të vendvotimeve deri në orën 15 kanë votuar 325 mijë e 726 votues apo 24,39 për qind. Në raundin e parë më 22 tetor në këto komuna deri me të njëjtin kohë kanë votuar 386 mijë e 504 votues apo 28,45 për qind. Duke u mbështetur në informacionet nga qendrave e votimit procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht”, tha Daka.

Konferenca e radhës e KQZ-së mbahet në ora 20:00 dhe ka të bëjë me ecurinë e procesit zgjedhor gjatë tërë ditës, si dhe pjesëmarrjen e votuesve në balotazhin për 19 komuna.

Image

LIVE: DnV gjen parregullsi në zgjedhje, ja sa qytetarë votuan deri në ora 12 

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon të vëzhgojë procesin zgjedhor të zgjedhjeve lokale që po zhvillohet sot në tërë territorin e vendit.

Deri në orën 12:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë 145,126 qytetarë me të drejtë vote, përkatësisht 10.7% e të gjithë votuesve me të drejtë vote.

Dalja e votuesve në zgjedhje në komunat më të mëdha të Kosovës: Gjakovë (12.6%), Prishtinë (13.19%), Prizren (8.56%), Mitrovicë (11.34%), Gjilan (7.88%), Ferizaj (11.24%).

Parregullsitë më evidente

Parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 12:00 janë: Vështirësitë e votuesve për ta gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve

Këto vështirësi po e përcjellin edhe këtë proces zgjedhor. Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 107 vendvotime, ose 6% të vendvotimeve. Komunat ku është shënuar ky problem janë: Podujevë me 15 vendvotime, në Mitrovicë në 12 vendvotime; Gjakovë dhe Prishtinë me nga 10 vendvotime.

Votimi familjar

Gjithsej 68 vendvotime, ose në përqindje 3.8 % të të gjitha vendvotimeve. Prijnë komunat: Ferizaj (në 17 vendvotime), Gjakova (në 8 vendvotime), Mitrovica (në 5 vendvotime).

Fotografimi i votës

Është evidentuar në 27 vendvotime në nivel vendi, përkatësisht 1.5% të të gjitha vendvotimeve. Në komunën e Prishtinës në 6 vendvotime, në Gjakovë në 4 vendvotime dhe në Podujevë në 3 vendvotime.

Asistimi i votuesve më shumë se një herë

Gjithsej 19 vendvotime (rreth 1 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Suhareka ( në 4 vendvotime), Prishtina (në 3 vendvotime) dhe Gjakova, Ferizaj dhe Mitrovica në nga 2 vendvotime.

Raste të votimit jashtë kabinave të votimit (ose publikimit të votës)

Gjithsej në 17 vendvotime (ose në rreth 1% të vendvotimeve). Në komunat: Prizren, Suharekë dhe Podujevë në nga 3 vendvotime.

Prania e personave të paautorizuar në vendvotime

Është evidentuar në 12 vendvotime (rreth 0.7 % të vendvotimeve). Prijnë komunat: Podujevë në 4 vendvotime, në Mitrovicë dhe Prishtinë me nga 2 vendvotime.

Tentimet për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë)

Gjithsej në 3 vendvotime, në komunat: Podujevë, Klinë dhe Mitrovicë.

Disa nga parregullsitë e raportuara:

Në qendrën e votimit 0803 C në vendvotimin 01R në shkollën “Emin Duraku” në komunën e Klinës dy persona pasi kanë votuar kanë treguar publikisht fletëvotimin para të gjithë të pranishmëve. Një rast i njëjtë është edhe në qendrën e votimit 0810 C në vendvotimin 01R në shkollën fillore “Dëshmorët”, komuna e Klinës, një person pasi ka votuar publikisht ka shpalos votën dhe ka treguar se për kë ka votuar.

Në qendrën e votimit 1802X në vendvotimin 03R në shkollën “Naim Frashëri” në komunën e Podujevës, në këtë vendvotim janë të pranishëm 6 vëzhgues të partisë LDK. Të njëjtit qëndrojnë brenda në vendvotim.

Në qendrën e votimit 1111 B në vendvotimin 04D në shkollën “Bedri Gjira” në komunën e Mitrovicës, kryesuesi i vendvotimit ka fotografuar derisa një person ka qenë duke votuar.

Në qendrën e votimit 1906 E në vendvotimin 08R në Fakultetin Filologjik në komunën e Prishtinës, një person përkundër që e ka pas gjurmë të lëngut spërkatës në gishtërinj i është lejuar që të votoj. Për këtë është njoftuar edhe KQZ-ja para se të votoj, megjithatë është lejuar votimi.

Në komunën e Gjakovës nga terreni është raportuar që disa herë ka pasur votime me asistencë, ndërsa asistimi nuk është bërë sipas rregullave që parashihen me ligj. Në ato vendvotime personi ka votuar për veten e tij dhe për personin që ka asistuar.

Në përgjithësi në lokalitetet me shumicë serbe, banorëve të komunitetit serb po u bëhet thirrje për të mos dal për të votuar. Raste të tilla janë raportuar në komunën e Vushtrrisë përkatësisht në fshatrat Grac dhe Banjskë dhe në komunën e Obliqit.

Tensione në Prizren ndërmjet vëzhguesit të PDK-së dhe VV-së

Në qendrën më të madhe të votimit 2042a në qytetin e Prizrenit, vëzhguesi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Vetëvendosjes janë fjalosur mes vete.

Sipas raportit të Policisë, incidenti filloi për shkak të një bexhi i cili ishte me ngjyrë të portokalli, që i përkon zgjedhjeve të kaluara.

Edhe KQZ ka bërë thirrje që mos të lejohen të qëndrojnë në qendra të votimit vëzhguesit që posedojnë bexhat ngjyrë portokalli.

Menaxheri i qendrës së votimit në shkollë “11 Marsi” në Prizren, Enver Bytyqi tha se në bashkëpunim me Policinë nuk do të lejojnë që të ndodhë ndonjë incident apo përleshje.

Edhe kjo ndodhë në Dragash

Në Dragash gjenden emrat e personave të vdekur në listat e votimit

Në Dragash raportohet se ka pasur emra të personave të vdekur në listat e votimit.

Menaxheri i qendrës “Ruzhdi Berisha” në komunën e Dragashit  ka thënë se në këtë komunë ka pasur emra të personave që  nuk jetojnë më në listat e votuesve.

“Kemi lista të fryra ka persona që nuk janë në jetë më. Probleme nuk kemi aspak dalja deri me tani paradite ka qenë e vogël”, tha ai.

Dragashi deri në orën 11:30 është qyteti më numër më të ulët të daljes së votuesve.

Komuna me daljen më të ulët deri në orën 11

KQZ-ja ka publikuar të dhënat e para për pjesëmarrjen e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, Komuna e Dragashit, është komuna me përqindjen më të ulët në këtë raund, deri në orën 11.

Në këtë komunë kanë votuar 1.896 nga 40.338 votues sa ka kjo komunë, apo ndryshe thënë 4,70%.

Ndërkohë komuna me më së shumti votues deri më tani është Kllokoti.

Image
Lista e KQZ-së

Kjo është komuna me pjesëmarrjen më të madhe në votime deri në orën 11:00

Në 19 komuna të Kosovës sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve.

Sipas  të dhënave të Komisionit Qendror të  Zgjedhjeve , deri në orën është votuar më së shumti në Kllokot, me 21.57 për qind të qytetarëve që kanë kryer obligimin e tij qytetar.

Dalja në votime në Gjakovë, e ulët

Nga 114.418 qytetarë me të drejtë vote në Gjakovë, deri në ora 11:00 kanë votuar 8596 persona apo dalja është 7.51 %.

Kjo është një dalje paksa më e ulët sesa në raundin e parë të votimeve.

Deri tani, 6% e qytetarëve votuan në Istog

Në komunën e Istogut deri në orën 11:00 votuan vetëm 536 apo 6% e qytetarëve që kanë të drejt vote. Këtë e bëri të ditur menaxheri i Qendrës më të madhe të votimit në Istog, Ibrahim Bytyqi.

Kjo qendër e votimit ka 8 mijë e 352 votues, ndërsa në 63 vendvotimet në këtë komunë, të drejtë vote kanë 48 mijë e 374 votues.

Deri në ora 11:00 në Klinë, votuan 745 qytetarë

Në komunën e Klinës deri në orën 11:00 votuan vetëm 745 qytetare që kanë të drejt vote.

Këtë e bëri të ditur menaxheri i qendrës më të madhe të votimit në Klinë Rasim Millaku.

Në këtë qendër të drejtë vote kanë 10731 votues, rreth 3900 prej të cilëve janë votues të regjistruar për herë të parë. Komuna e Klinës me 20 Qendra Votimi ka 36.805 votues.

KQZ: Deri në orën 11 votuan 6.90 për qind e qytetarëve

Zyrtari për media i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se deri në orën 11 kanë votuar 6.90 % e qytetarëve.

“Në bazë të dhënave në mënyrë elektronike nga 96% e vendvotimeve të 19 komunave dhe të komunës së Parteshit, votues janë gjithsejtë 1 milionë e 353 mijë e 680, deri orën 11:00 kanë votuar  89 e mijë 472 votues apo 6,90% e votueseve”.

“Në raundin e parë deri në këtë kohë më 22 tetor patën votuar rreth mbi 118 mijë apo 8,7 %. Deri në këtë kohë procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht”, ka thënë Elezi.

 

 

Shoferi i komunës publikon votën për Sokol Bashotën

Njëri nga shoferët e komunës së Klinës ka publikuar në rrjetin social Facebook një fletëvotim në të cilin shihet se ai i ka dhënë votën Sokol Bashotës, kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës.

Zenel Bashota i cili ka thënë se është shofer i administratës komunale ka pranuar se e ka publikuar këtë fletëvotim por, sipas tij, kjo është një kopje jo fletëvotimi origjinal.

“Është kopje e fletëvotimit nuk është i vërtetë “ka thënë Bashota. Ai ka thënë se do e fshijë menjëherë këtë postim ndërsa është arsyetuar se “ndoshta fëmijët e kanë publiku”.

Fletëvotimi i publikuar vërehet qartë se ka vulën e KQZ-së dhe tik-u i vendosur në të është kolor i vendosur me laps kimik. I njëjti është eliminuar menjëherë nga rrjetet sociale pasi kallxo ka kontaktuar me z. Bashotën.

Image
Vota e shoferit

Prokuroria flet për xhamin e thyer në qendrën e votimit në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë konfirmoi për kallxo se sot në mëngjes kanë hasur në një xham të thyer në një qendër votimi në komunën e Klinës.

Zëdhënësi Ersan Qavolli tha se për këtë, ata janë njoftuar nga drejtori i shkollës në fshatin Ujmirë të Klinës.

Për rastin, më herët raportoi rrjeti i OJQ-vë që po vëzhgon zgjedhjet, “Demokracia në Veprim”.

“Në fshatin Ujmirë të Klinës, prokurori kujdestar ka dalë në vend të ngjarjes. Drejtori i shkollës ka raportuar se rreth orës 05:00 të mëngjesit është vërejtë një xham i thyer, jo shumë. Si duket rasti ka ndodhur para se të vijnë fletëvotimet”, tha Ersan Qavolli, zyrtar për media në Prokurorinë Themelore të Pejës.

Ymeri bën thirrje për dalje masive në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhjet për balotazh në Prishtinë.

Ai tha se qytetarët do të jenë ata që do të vendosin për të ardhmen e tyre në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Image
Visar Ymeri

Ymeri: Qytetarët të dalin masovisht

“Ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës që sa më masovisisht të dalin në zgjedhje, duke rëndësinë e pushtetit lokal. Qytetarët të bëhen bashkë që komuna e Prishtinës të vazhdojë të mirëqeveriset dhe të rritet si një qytet i qytetarëve, hapësira për ta do të jetë e domosdoshme për një jetë më të mirë”, ka thënë Ymeri.

Ndryshe, Vetëvendosje në garën për kryetar komunash është në balotazh në Prishtinë, Podujevë, Prizren, Gjilan dhe Kaçanik.

Peterle vlerëson pozitivisht procesin zgjedhor

Shefi i misionit vëzhgues të BE-së, Alojz Peterle, ka vëzhguar procesin zgjedhor në Qendrën e Votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë, i cili pati vërejtje për mungesë të qasjes së qendrave të votimit për qytetarët me aftësi të kufizuara.

Ai theksoi se procesi zgjedhor deri tash është i mirë, por sipas tij, numri i votuesve është mjaft i vogël deri tash. 

Peterle: Kemi angazhuar 70 vëzhgues, procesi deri tash është i mirë

“I kemi angazhuar mbi 70 vëzhgues në terren që janë duke i përfshirë të gjitha komunat e Kosovës. Ata vëzhgojnë në secilin aspekt procesit zgjedhor, nuk kanë vërejtur ndonjë pa rregulluesi deri tash. Andaj, ne kemi vëzhguar disa Qendra të Votimit këtu që kemi parë se ka disa problem për qasjen e qytetarëve me aftësi të kufizuar. Ky problem ka qenë gati në të gjitha vendvotimet. Përndryshe, procesi zgjedhor deri tash është i mirë. Dalja në votime deri tash nuk ka qenë shumë e madhe, por shpresojmë që ka me u rrit gjatë ditës”, deklaroi Peterle.

Ndryshe, Peterle, pasdite do të vëzhgojë procesin zgjedhor edhe në Gjakovë. 

Peterle: Ka vështirësi për personat me aftësi të kufizuara që të votojnë

Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Fakultetin Teknik tha se deri më tash gjithçka ka shkuar mirë, por ka vështirësi për personat me aftësi të kufizuara që të votojnë.

Për këtë ai tregoi interesim të shtuar gjatë bisedave që pati me vëzhgues dhe anëtarë të KQZ-së në këtë qendër të votimit.

Sipas tij, deri më tash një numër i vogël i qytetarëve kanë dalë për të kryer obligimin e tyre për të votuar, por tha se pritet që ky numër të rritet gjatë ditës.

Mustafa: Qytetarët të marrin pjesë në mënyre masive në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka votuar sot në shkollën fillore,“Emin Duraku” në Prishtinë.

Pas votimit për zgjedhjen e kryetarit të komunës së Prishtinës, Mustafa , ditën e sotme e ka vlerësuar si ditë të rëndësishme me ç’rast edhe i ka ftuar qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje duke e përcaktuar fatin e tyre për qeverisje të mirë.

Image
Mustafa duke votuar

Mustafa: Uroj që zgjedhjet të shkojnë mirë

“Vlerësoj se është një ditë e rëndësishme sot për gjitha komunat të cilat kemi hy në raundin e dytë për zgjedhje për kryetar të komunave. Ndaj bindej se gjithë qytetarët do të vendosin për kandidatët më të mirë në mënyrë që ata të qeverisin ën çështjet themelore për të cilën qytetarët tanë janë të interesuar. Dhe se të gjithë nesër do të jemi të kënaqur me rezultatet që do ti arrijmë. Unë uroj që zgjedhjet të shkojnë mirë. Uroj po ashtu që qytetarët të marrin pjesë në mënyre masive në zgjedhje. Sepse ata e përcaktojnë fatin e zgjidhjes së shumë problemeve të tyre por edhe fatin e qeverisjes së mirë të komunave dhe të Kosovës. “, tha Mustafa.

***

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha 1777 vendvotimet në territorin e Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë njoftimin e DnV

Hapja e vendvotimeve

Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave po zhvillohet në 614 Qendra Votimi me 1777 Vendvotime. Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 12 vendvotimeve, 50% e të cilave lidhen me vonesën e komisionerëve. Komunat ku ka pasur vonesë në hapje janë Prizreni (në 5 raste), Suharekë (në 3 raste), Prishtinë (në 2 raste) dhe Klina dhe Rahoveci (nga një rast).

Në qendrën e votimit 2042 A në vendvotimin 07R në shkollën e 11 Marsi në komunën e Prizrenit, kryesuesi i vendvotimit nuk është paraqitur në vendvotim deri në orën 7:30. Procesi më pastaj ka rrjedhur normalisht.

Prania e materialit propagandues

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda diametrit prej 100m të Qendrës së Votimit. Kjo dukuri e sanksionuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP), nenin 85, është vërejtur në 19 Qendra Votimi ose 3 % të QV në nivel vendi.

Komunat ku janë shënuar këto raste janë: Gjilani, Podujeva, Prizreni, Suhareka (me nga 3 raste),  Malisheva (me 2 raste).

Disponueshmëria e materialit zgjedhor

Nga terreni raportohet se në 3.4% të vendvotimeve (ose 60 VV) në nivel vendi kanë munguar materialet zgjedhore. Prijnë komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës (me nga 8 raste), Klina dhe Prishtina (me nga 7 raste) dhe Gjakova (6 raste).

Në 10 vendvotime në nivel vendi vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të më pak se tre komisionerëve në vendvotim. Komunat ku kjo dukuri ka qenë më e shprehur janë: Prizren (në 3 raste), Rahoveci (në 2 raste).

Prania e personave të paautorizuar në vendvotim

Prania e personave të paautorizuar është vënë re në 44 raste, ose 2.6% të vendvotimeve e shprehur më shumë në komunat e Mitrovicës (në 7 raste), Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit (në 6 raste).

Parregullsi tjera të shënuara

Qendra e votimit 0805 C në shkollën  “Ali Krasniqi” në komunën e Klinës në ora 07:45 është goditur nga jashtë me gurë, duke i dëmtuar derën e hyrjes. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, autorët nuk janë identifikuar.

Është raportuar për raste ku disa persona kanë votuar jashtë kabinës së votimit, në shkollën “Hysni Zajmi”, QV 0606C, vendvotimi 04R në komunën e Istogut.

Ndryshe, DnV iu bën thirrje të gjithë komisionerëve, vëzhguesve të partive politike dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në procesin zgjedhor të jenë të përkushtuar për të përmbushur obligimet e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

DnV rikujton se çdo shkelje gjatë ditës së votimit, procesit të numërimit dhe në përgjithësi gjatë tërë procesit zgjedhor është i dënueshëm deri në 5 vite burgim.

Image
Votimet në Kosovë

***

Organizata, Demokracia në Veprim, është duke bërë vëzhgimin e procesit të votimit në komunat ku po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve. Albert Krasniqi nga DnV tha se sa i përket procesit të hapjes së vendvotimeve, vëzhguesit e kësaj organizate kanë evidentuar vonesa në 12 vendvotime nga 1777 qendra të votimit.

Ai tha se vonesa të hapjes së qendrave të vendvotimeve ndodhën për shkak të vonesave të komisionerëve. Në Prizren u evidentuan vonesa në pesë vendvotime, në Suharekë tri, në Prishtinë dy dhe në Rahovec e Klinë nga një vonesë 30 minutëshe.

“Materialet janë evidentu mungesë e tyre në 60 vendvotime, si Gjilani, Mitorvicëm Klinë, Prishtinë, Gjakovë”, tregoi tutje Krasniqi.

Ai përmendi edhe disa parregullësi të tjera, si thyerja e xhamit në një qendër të vëndvotimit, pastaj personat e paautorizuar në vendvotim etj.

Kongresmeni Engel kujton kur serbët nuk e lejuan të hyjë në Kosovë

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, gjatë vizitës në DNV tha se SHBA dhe ai personalisht do të jenë gjithmonë këtu dhe do ta mbështesin Kosovën.

Ndërsa theksoi se është emocionuese për të,  që të jetë këtë ditë në Kosovë, e të shoh se si po zhvillohen zgjedhjet në mënyrë demokratike dhe të pavarur.

Engel: Gjithmonë do të jem në krah të njerëzve të Kosovës

“Është kënaqësi të jem këtu në një Kosovë të lirë dhe të pavarur. A kam thënë  për  shumë dekada që Kosova do t jetë vend i lirë, i pavarur dhe demokratik dhe ja ku jemi . Jemi përpjekur që të organizojmë zgjedhje në vitin 1996, mirëpo  autoritetet serbe nuk më kanë lënë të hyjë në Kosovë.  Sot jemi në një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike dhe unë jam krenar që jam këtu me gjithë miqtë e mij. Jam posaçërisht i lumtur dhe krenar për partneritetin e veçantë dhe  special, që Kosova ka me SHBA- të. Iu lutem ta dini që SBA do të jenë gjithmonë këtu për ju. Do të iu mbështesin dhe unë personalisht do ta bëjë të njëjtën gjë. Është shumë emocionuese të vij këtu të shoh  të zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të pavarur dhe demokratike. Nuk e kemi këtë luks në çdo shtet.  Disa prej shteteve që nuk e përkrahin Kosovën, në të vërtetë nuk e kanë lirinë, &nbs p;që njerëzit në Kosovë e kanë.  I gëzohem faktit kur një ditë Kosova do të jetë anëtare e unionit evropian dhe NATO-s. Faleminderit që gjithmonë me pritni me kaq shumë ngrohtësi. Kosova është shtëpia ime e dytë. Kemi miq të mrekullueshëm këtu në Kosovë, diasporë dhe Amerikë.  Gjithmonë do të jem në krah të njerëzve të Kosovës”, tha ai.

Engel po viziton edhe KQZ-në.

KQZ: Qendrat e votimit në 19 komuna u hapen me kohë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet ku mbahen zgjedhjet për balotazh, janë hapur me kohë në orën 07:00.

Në konferencën e parë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka ftuar gjithë qytetarët me të drejtë vote në ato komuna ku zhvillohen zgjedhjet në raundin e dytë, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për ta zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës.

Daka: Të gjitha qendrat e votimit u hapen me kohë

“Në bazë të të dhënave të dërguar nga qendrat e votimit në të gjitha komunat e Kosovës ku mbahen zgjedhjet në orën 07:00 janë hapur me rregull të gjitha qendrat e votimit dhe vendvotimet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton qytetarët me të drejtë votë nga komunat Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Suharekë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Kllokot dhe Partesh që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre”, tha Daka. 

Daka njoftoj se në orën 09:20, KQZ-në do ta vizitoj kongresmeni amerikan Eliot Engel.

Image
Konferenca e KQZ-së

Të gjitha qendrat e votimit në komunën e Vushtrrisë janë hapur në kohë dhe procesi është duke rrjedhur pa asnjë problem.

Këtë e ka konfirmuar media në këtë qytet, me informatat e marra nga Komisioni Komunal Zgjedhor.

Hapen 28 qendrat e votimit në Mitrovicë

Në jug të Mitrovicës janë hapur me kohë 28 qendrat e votimit.

Edhe në qendrën më të madhe në shkollën ‘Migjeni’ me mbi 11 mijë votues, procesi po zhvillohet sipas planifikimit, ndërsa vërehet numër i vogël i qytetarëve të cilët kanë dalë që në mëngjes për të votuar.

Menaxheri i kësaj qendre të votimit, Hamdi Shyti, ka konfirmuar se gjithçka ka nisur me kohë dhe në rregull.

Shyti: Hapja është bërë me kohë

“Në qendrën e votimit 1102b janë bërë të gjitha përgatitjet. Hapja është bërë me kohë, gatishmëria është në nivel dhe presim obligimin qytetar të qytetarëve”, ka thënë Shyti.

Ndërsa, Sami Istrefi, qytetar, theksoi se pret një jetë më të mirë për qytetarët nga këto zgjedhje.

Istrefi: Presim një jetë më të mirë

“Unë kisha dashur që qytetarët të dalin në masë më të madhe, le ta votojnë atë për të cilin janë përcaktuar…Presim sigurisht një jetë më të mirë”, tha ai.

Daka: Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka ushtruar të drejtën qytetare për votuar në Fakultetin Teknik, ku edhe ka ftuar të gjithë qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ajo tha se sot po përmbyllet procesi zgjedhor duke shpresuar që edhe dita e sotme të shkoj sikur në raundin e parë në frymë demokratike.

Daka: Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar

"Shpresoj që edhe kjo ditë do të kalojë si në raundin e parë në frymën demokratike, të lirë dhe fer siç ka qenë edhe ajo ditë. I ftojë edhe një herë të gjithë qytetarët me të drejt vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejt, të dalin dhe të votojnë sot”, tha ajo.

Sipas saj, për momentin nuk është raportuar për ndonjë problem por shpreson që të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Image
Votimet në Kosovë

Nis votimi në 19 komuna

Ashtu siç është paraparë në këto momente hapen 614 qendra të votimit në 19 komunë të Kosovës, ku do të votohet në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Janë 1 milion e 353.613 persona me të drejtë vote që do ta kenë mundësinë të votojnë për ta zgjedhur kryetarin e tyre të komunës.

Në 1.777 vendvotime, KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë.

Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.

***

Në këto komente po iu sjellim hapjen e qendrës kryesore të votimit në Prishtinë, ku do të votojë edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Ajo pas votimit do t’i drejtohet mediave, ku edhe do të bëjë thirrje për një proces të qetë zgjedhor.

Janë 19 komuna në të cilat po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, ku të drejtë vote kanë 1 milion e 353.613 persona.

***

Materiali i ndjeshëm zgjedhor, ku përfshihen fletëvotimet dhe materialit tjetër përcjellëse nga depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve janë shpërndarë nëpër qendrat e votimit, ku do të ketë proces të votimit gjatë ditës së sotme.

Shpërndarja e materialit është bërë nën përcjelljen e Policisë së Kosovë.

Janë 19 komuna në të cilat po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, ku të drejtë vote kanë 1 milion e 353.613 persona./

***

Sot në 19 komuna të Kosovës do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për të zgjedh kryetarët e komunave.

1.353.613 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote, do të mund të votojnë nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bëtë të gjitha përgatitjet që procesi i balotazhit në 19 komuna të zhvillohet në mënyrë të rregullt.

Numri i votueseve në 19 komunat që kanë të drejt vote është 1.353.613, të cilët janë të shpërndarë në 614 qendra të votimit me gjithsejtë 1.777 vendvotime.

KQZ ka angazhuar më shumë se 14 mijë komisionerë. Kurse, janë më shumë se 12 mijë vëzhgues të akredituar, të cilët do ta përcjellin nga afër procesin zgjedhor në 19 komuna, si dhe rivotimin në komunën e Parteshit, ku janë tri qendra të votimit me gjithsejtë shtatë vendvotime, në të cilat kanë të drejt vote 4.694 persona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat