Pepaj: Të hiqet kostoja për energjinë e shpenzuar për veri, nevojitet vendim i ri

Aktuale

Pepaj: Të hiqet kostoja për energjinë e shpenzuar për veri, nevojitet vendim i ri

Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 15:12
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Brahim Selimaj

Pagesa e faturave të energjisë së shpenzuar në veri nga bizneset dhe qytetarët e Kosovës ka shkaktuar indinjatë të thellë për kompanitë dhe shoqatat e bizneseve, të cilët thonë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë iu ka qitë haraç me këtë ngarkesë tarifore.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Brahim Selimaj ka akuzuar ZRRE-në se janë të detyruar të paguajnë haraç legal për energji elektrike.

Selimaj ka thënë se në këtë gjendje të vështirë me të cilën përballen bizneset dhe prodhimtaria e Kosovës, është pikërisht energjia elektrike dhe tarifat e larta.

Selimaj: Paguajmë haraç legal për energjinë e shpenzuar në veri

“Në këto kushte të mjera të ekonomisë në Kosovë, ne paguajmë haraç legal në Kosovë, dhe së bashku me Odën ekonomike kemi kërkuar që haraçin kryesor që e kemi, paguajmë energji elektrike për veriun”, deklaroi  Selimaj.

Këto akuza i ka hedhur poshtë, Petrit Pepaj nga ZRRE, duke thënë se kjo është çështje politike. Sipas tij, vendimi i gjykatës do të zbatohet, por janë duke parë një mundësitë ligjore që ky vendim të zbatohet ndoshta edhe pa bordin funksional.

Pepaj: Haraçi, është çështje politike

“Për çështjen e haraçit që konsumatorët e vendit paguajnë për pjesën e veriut, unë e them me plotë përgjegjësi se kjo është çështje krye këput politike. ZRRE ka të licencuar operatorë, për të cilët nuk ju krijohet  drejta e tyre pronësore dhe shtrirja e autoritetit në ato pjesë. ZRRE nuk ndanë territor dhe nuk përcakton tarifa në bazë të territorit, përcakton tarifa për të gjithë konsumatorët e Kosovës pavarësisht se ku ndodhen. Dhe nëse shteti nuk krijon qasje operatorëve për me shkuar dhe me vepruar në atë vend, është barrë e shtetit dhe përgjegjësi e shtetit dhe shteti duhet me u marr me këtë punë. Ne kemi një vendim të gjykatës, vendimi është i formës së prerë dhe ai vendim i gjykatës do të zbatohet, se si do të zbatohet duhet shikuar mënyrën e zbatimit për shkak se Rregullatori nuk ka bord funksional. Jemi duke shikuar se a kemi mundësi të zbatojmë vendim gjykate pa bord funksional, për shkak se duhet të merret një vendim i ri. Dhe për me larguar koston në veri, duhet një vendim i ri”, ka thënë Pepaj.

Për kërkesën e Këshillit për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (KMDLN) se konsumatorët duhet të paguajnë vetëm 70 për qind të faturave të tyre, drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, George Karagutof ka thënë se e vlerëson si një shtyrje për konsumatorët që të mos paguajnë diçka që bazohet në çmim.

Karagutoff: KMDLNJ-n po i shtyn konsumatorët të mos paguajnë energjinë

“Nuk mund të komentoj asgjë rreth tarifave, ne nuk vendosim për tarifa pasi që ky është një proces. Ka qenë një proces i trashëguar më parë pra, ka kaluar nga KEDS të KESCO. E kam vlerësuar këtë si një shtyrje për konsumatorët që të mos paguajnë diçka që bazohet në çmim”, ka thënë Karagutoff.

Ai ka shtuar se janë në proces të rishikimit të tërë mundësive ligjore që kjo pjesë të implementohet sipas vendimit ët Gjykatës së Apelit dhe nuk ka diskutim në këtë punë. Sipas tij, është çështje e qeverisë se si do të interferojë në të ardhmen.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pranuar se është e pandershme që konsumatorët e vendit të paguajnë energjisë së shpenzuar në veri, por tha se duhet shikohen format për një zgjedhje të shpejtë.

Lluka: Janë çështje të ndjeshme tarifat për veri

“Me të vërtetë është punë e ndjeshme. Unë kam qenë ndoshta i pari që e kam përmend se nuk është fer te konsumatorët që të bëhet një gjë e tillë. Duhet të shikohen format se si të paguhet, nëse nuk paguhen nga tarifat e konsumatorëve, për momentin derisa të ekziston programi duhet të paguhet nga taksat, që janë prapë paratë e taksa paguesve. Jemi duke punuar me shpejtësi maksimale që ta arrijmë marrëveshjen me Serbinë që ta regjistrojmë një kompani në veri për furnizim me energji, e cila do ta rregullonte edhe inkasimin e faturave. Pra, është pjesë më delikate, është pjesë më e ndjeshme për shkak se janë të lidhura shumë gjëra tjera të saj dhe jemi duke trajtuar me urgjencë më të madhe që kemi për momentin”, tha Lluka.

Ndryshe, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili e kishte iniciuar rastin në gjykatë, kërkon që ky vendim duhet të gjejë zbatim sa më parë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat