Hapja e të dhënave rrit besimin e qytetarëve ndaj institucioneve

Aktuale

Hapja e të dhënave rrit besimin e qytetarëve ndaj institucioneve

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 11:27
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar

(E plotësuar) - Hapja e të dhënave në Kosovë do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe do të ofrojë shërbime më cilësore dhe efikase.

Kështu deklaruan sot zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike, me rastin e shpalosjes së iniciativës për hapjen e të dhënave në Kosovë, ku u tha se aty do të përfshihen të gjitha të dhënat që nuk janë në kundërshtim me ligjin.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se përkundër sfidave serioze që janë paraqitur në hapjen e të dhënave, Ministria e Administratës Publike ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, përfshirë edhe menaxhimin e portalit kombëtar për hapjen e të dhënave.

Ai shtoi se MAP me vetiniciativë ka filluar zbatimin e vlerësimit të gatishmërisë për hapjen e të dhënave. Ndërsa si rezultat i kësaj pune, Yagcilar u shpreh se aktualisht kanë një draft plan të veprimit për hapjen e të dhënave, i cili ka nevojë të plotësohet dhe MAP do të vazhdojë bashkëpunimin me shoqërinë civile për finalizimin e planit.

Yagcilar: MAP nis zbatimin e vlerësimit të gatishmërisë për hapjen e të dhënave

“Ministria me vetiniciativë ka filluar zbatimin e vlerësimit të gatishmërisë për hapjen e të dhënave si ODRA në Kosovë, që do të realizohet nga ekspertë vendor dhe të huaj. Banka Botërore do të bëjë rishikimin e rezultateve të vlerësimit para publikimit të raportit në muajin mars të vitit 2018. Rezultati i këtij vlerësimi do të mbështesë në mënyrë kualitative finalizimin e planit të veprimit për hapjen e të dhënave dhe kuptohet se do të vazhdojë bashkëpunimi me OJQ, si dhe me gjithë të interesuarit në këtë proces. Ne, si ministri, inkurajojmë komunat e Kosovës, por edhe institucionet e pavarura të angazhohen dhe të bëjnë hapa në këtë rrugë drejt hapjes së të dhënave”, tha ai.

Yagcilar theksoi se do të krijohen parakushtet për realizimin e këtij objektivi, përkatësisht hapjen e të dhënave, e cila do të rrisë transparencën.

Drejtoresha e DMRAP në këtë ministri, Erna Hasangjekaj,  tha se reforma e administratës publike bëhet më qëllim që shërbimet publike për qytetarin të jenë cilësore dhe efektive.

Hapja e të dhënave, sipas saj, do të rrisë besimin e qytetarëve të në administratën publike.

Hasangjekaj: Hapja e të dhënave rrit besimin e qytetarëve në institucione publike

“Më lejoni të ritheksoj që hapja e të dhënave është qenësore për reformën e administratës publike ashtu siç tha edhe ministri, sepse do të nxis inovacion, analiza të mirëfillta për shërbime publike, do të bëjë shërbimet publike më efektive si dhe do të rris besimin e qytetarëve në administratën publike”, tha ajo.

Ekspertja e hapjes së të dhënave, Liz Carolan, vlerësoi punën e MAP-it për marrjen e iniciativës dhe fillimin e punës në ODRA, duke thënë se nisma për hapjen e të dhënave është kërkesë vendore dhe jo e imponuar nga jashtë.

Carolan: Hapja e të dhënave është kërkesë vendore

“Në shumë vende ku kam punuar, njëra ndër gjërat që kam vënë re është se në mënyrë që një iniciativë të jetë e suksesshme, siç e thashë, na duhet një lloj pronësie. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam e kënaqur që këtu në Kosovë, ky projekt që po e lansojmë sot është më shumë një projekt i lindur në vendin e vet. Ai është duke u porositur nga ministria këtu dhe është duke u udhëhequr më tepër nga ta”, u shpreh ajo.

Sipas saj,  përkushtimi për të dhënat e hapura është relativisht i lehtë për t'u bërë, por kompleks për t’u zbatuar.

Ndërsa drejtori i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, Kujtim Gashi, tha se Kosova ka portalin shtetëror dhe në kuadër të tij është hapur edhe portali për hapjen e të dhënave, portal ky që krijon mundësi të mjaftueshme për qasje dhe publikim të të dhënave të institucioneve përkatëse.

Ai theksoi se është e rëndësishme që të automatizohet procesi i publikimit të të dhënave, në mënyrë që të mos varet nga zyrtarët.

ODRA është një metodologji e zhvilluar nga Banka Botërore që do të zbatohet edhe në Kosovë me vetiniciativë të Ministrisë së Administratës Publike, përderisa Banka Botërore do të bëjë rishikimin e pavarur të rezultateve të vlerësimit.

Ndërsa raporti gjithëpërfshirës pritet të publikohet në mars të vitit 2018 dhe do të shërbejë si mbështetje shtesë në finalizimin e planit të veprimit për hapjen e të dhënave, me qëllim të krijimit të kushteve për angazhim afatgjatë në hapjen e të dhënave në Kosovë.

***

Hapja e të dhënave në Kosovë, do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike. Kështu kanë deklaruar sot zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike me rastin e shpalosjes së iniciativës për hapjen e të dhënave në Kosovë, ku u tha se në to do të përfshihen të gjitha të dhënat që nuk janë në kundërshtim me ligjin.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se përkundër sfidave serioze që janë paraqitur në hapjen e të dhënave, Ministria e Administratës Publike ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, përfshirë edhe lansimin e portalit kombëtar për hapjen e të dhënave.

"Si rezultat i kësaj pune ne kemi një draft plan i cili ka nevojë të plotësohet. Sigurisht se në procesin e hapjes së të dhënave kanë përgjegjësi edhe komunat dhe janë bërë disa hapa në këtë aspekt", tha ai.

Hapjen e të Dhënave në Kosovë "ODRA" kishe ardhur nga Londra edhe ekspertja e hapjes së të dhënave, Liz Carolan, e cila tha se përkushtimi për të dhënat e hapura është relativisht i lehtë për t'u bërë, por kompleks për t’u zbatuar.

"Unë do të doja të përgëzoj nga ky rast Ministrinë e Administratës Publike në marrjen e iniciativës dhe fillimin e punës me ODRA. Duke bërë kështu, Ministria po dëshmon një angazhim serioz për të hapur të dhënat e sektorit publik dhe për ta bërë Qeverinë më transparente. Unë mezi pres që iniciativa të jap ndikim për qytetarët gjatë muajve dhe viteve të ardhshme", u shpreh ajo.

Ndërsa drejtori i Agjencisë për Shoqëri të Informacionit, Kujtim Gashi, tha se Kosova ka portalin shtetëror dhe në kuadër të tij është hapur edhe portali për hapjen e të dhënave. ODRA është një metodologji e zhvilluar nga Banka Botërore që do të zbatohet edhe në Kosovë me vetiniciativë të Ministrisë së Administratës Publike, përderisa Banka Botërore do të bëjë rishikimin e pavarur të rezultateve të vlerësimit.

Shpaloset iniciativa për hapjen e të dhënave në Kosovë (Drejtpërdrejt)

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar shpalos iniciativën për vlerësimin e gatishmërisë për hapjen e të dhënave në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat