Shaip Muja tregon për interesimin e tij për klinikën ‘Medicus’

Aktuale

Shaip Muja tregon për interesimin e tij për klinikën ‘Medicus’

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 11:40
Ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Shaip Muja ne gjykim

Ish-deputeti i Parlamentit të Kosovës, Shaip Muja, ka dëshmuar në gjykimin e Lutfi Dervishit e Sokol Hajdinit.

Muja gjatë dëshmisë së tij u pyet kryesisht në lidhje me një kërkesë të cilën Lutfi Dervishi e kishte bërë pranë Ministrisë së Shëndetësisë për licencim të klinikës “Medicus” që t’i mundësohej klinikës kryerja e ndërhyrjeve urologjike, duke përfshirë këtu edhe transplantimin e veshkave.

 

Në lidhje me “Medicus” dëshmitari tregoi se kishte marrë pjese në hapjen solemne të klinikës.

Ai po ashtu tha se kishin pranuar edhe një kërkesë nga familjarët e një 13 vjeçari, i cili kishte pasur nevojë për transplantim të veshkës.

Në lidhje me këtë rast prokurorja e çështjes Valeria Bolici kërkoi që të dinte nga dëshmitari se nëse pas këtij rasti të i ishte drejtuar dikujt në mënyrë që të adresohej ky problem për djaloshin i cili kishte nevojë për transplantim të veshkës.

Sa i përket këtij rasti dëshmitari tha se i kishte lënë përshtypje për shkak se djaloshi kishte pasur edhe probleme të tjera pos nevojës për transplantim të veshkës, prandaj tha se i ishte drejtuar dr. Dervishit që të kërkonte nga ai që t’i bënte këtij pacienti një “Check up”, dhe për ta pyetur se si mund që të trajtohej ky rast në QKUK.

Ndër të tjera dëshmitari tha se kishte biseduar me Dervishin për mundësinë e ngritjes së kapaciteteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në lidhje me ofrimin e këtyre shërbimeve, pasi që në mungesë të këtyre shërbimeve qytetarët detyroheshin që të dilnin jashtë shtetit dhe kështu dëmtohej buxheti i Kosovës.

Pasi që kishte diskutuar në lidhje me këtë çështje së bashku me dr. Dervishin tha se kishin arritur në përfundim se në QKUK nuk kishte kushte për ngritjen e këtyre kapaciteteve dhe se gjatë kësaj bisede Dervishi kishte shprehur gatishmërinë që privatisht të angazhohej në krijimin e kushteve për transplantim të organeve brenda Kosovës.

Në lidhje me këtë iniciativë  të Dervishit, dëshmitari tha se e kishte përkrahur pasi që sipas tij nëse institucionet publike nuk mund që të ofrojnë shërbime, atëherë nuk duhet të jenë as pengesë e institucioneve private.

Për Lutfi Dervishin, dëshmitari tha se ai i kishte kërkuar që t’ia shihnin kërkesën e tij me prioritet për licencim.

Në lidhje me këtë kërkesë të Dervishit, Shaip Muja tha se kishte biseduar edhe me ministrin Alush Gashi me ç’rast ministri i kishte thënë se çdo gjë do të bëhej në kohën e duhur dhe në konsultim me kornizat ligjore.

Sa i përket kësaj kërkese dëshmitari tha se vullneti i ministrit kishte qenë pozitiv.

E i pyetur nga prokurorja se nëse pas këtij takimi i ka telefonuar Dervishin për ta njoftuar me rezultatin e kësaj bisede, ai tha se kishte kaluar një kohë e gjatë dhe se kjo çështje sipas tij nuk kishte qenë urgjente pasi që në atë kohë kishin pasur shumë probleme të tjera.

Pas kësaj prokurorja Bolici e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të dhënë më herët në të cilën kishte thënë se pas takimit me ministrin Gashi, ai e kishte telefonuar Lutfi Dervishin dhe i kishte thënë se pas plotësimit të standardeve do të mund të marrë licencën për të kryer shërbime urologjike.

Gjë për të cilën dëshmitari tha se ai edhe mund t’i ketë thënë kështu sepse çdokush i cili paraqiste kërkesë duhet t’i plotësojë standardet konform ligjit.

Sa i përket kësaj kërkesë të parashtruar nga Dervishi, dëshmitari tha se përkundër faktit se nuk ka qenë në kompetencën e tij të vendos për licencim apo jo, ai në kapacitetin njerëzor kohë pas kohe ishte interesuar tek ministri sepse dr. Dervishi ishte ankuar se nuk po pajiset me licencë.

Më pas prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin edhe me një dokument që përmbante një email të cilën Lutfi Dervishi në Maj të vitit 2008 ia kishte dërguar Shaip Mujës, email ky për të cilin dëshmitari tha se përmbante projektin zhvillimor të spitalit special “Medicus”, dhe se Dervishi ia kishte dërguar për ta informuar se kishte filluar procedurat për licencim.

Pas pranimit të këtij emaili dëshmitari tha se nuk i kujtohej saktë nëse e kishte telefonuar apo jo ministrin, dhe pasi që prokurorja e ballafaqoi përsëri me një pjesë të deklaratës së mëhershme ku dëshmitari kishte thënë se më pas kishte kontaktuar me ministrin, ai tha se e konfirmon atë deklaratë të dhënë atëherë.

Ndër të tjera prokurorja e pyeti dëshmitarin në lidhje me një pjesë të deklaratës së tij ku dëshmitari kishte thënë se pas vitit 2008 kishte pasur probleme me Ministrinë e Shëndetësisë.

Kurse dëshmitari tha se për shkak të problemeve që në atë kohë kishte pasur klinika, kishte pasur një fërkim në mes të tij dhe ministrit por që nuk kishte pasur aspak të bënte me klinikën “Medicus”, por tha se edhe në Korrik të vitit 2008 çështja e licencimit të klinikës ishte ende e pazgjidhur.

Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij po ashtu tha se me ligjin e shëndetësisë ishte i ndaluar transplantimi i veshkave por që një gjë e tillë do të mund të mundësohej me një udhëzim administrativ, në lidhje me të cilin e pyeti edhe mbrojtja e Lutfi Dervishit.

Avokati Valon Hasani kërkoi që të dinte në lidhje me këtë udhëzim administrativ për të cilin dëshmitari tha se ka udhëzime administrative të cilat në mungesë të ligjeve në fuqi përdoren si përmbushje të asaj zbrazëtie deri sa të përgatitet ose plotësohet ligji me amendamente.

Dëshminë e tij rreth këtij rasti e dha edhe dëshmitari Osman Veliu i cili tha se në tërësi qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë me herët.

Ai në cilësinë e shefit të divizionit për ofrimin e shërbimeve private shëndetësore, pozitë të cilën e mbante atëherë , gjatë dëshmisë së tij kryesisht shpjegoi procedurën e aplikimit për licencim të institucioneve private, ku ndër të tjera tha se nuk ekziston mundësia që bordi të licencojë një institucion nëse për këtë nuk ekziston baza ligjore.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5./Kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat