Seanca e Kuvendit vazhdon nesër në ora dhjetë

Aktuale

Seanca e Kuvendit vazhdon nesër në ora dhjetë

Nga: A.S. Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 11:59
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën ku është diskutuar për projektbuxhetin 2018, për të vazhduar nesër në ora 10.00.

Kërkesa për vazhdimin e seancës së Kuvendit është bërë nga deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, kërkesë kjo e cila u mbështet edhe nga përfaqësuesit e partive tjera politike.

Ndryshe, projektbuxheti për 2018 është përcjellë me debate të ashpra dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës.

Gjatë prezantimit, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se buxheti për vitin e ardhshëm parasheh të hyra prej 1 miliard e 829 milionë euro. Nga kjo shumë, 687 milionë euro parashihen të jenë investimet kapitale.

Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës do të grumbullojë 446 milionë euro, ndërsa Dogana e Kosovës 1 miliard e 175 milionë euro.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e ka cilësuar si joreal dhe me shifra të fryra projektbuxhetin e prezantuar nga Qeveria, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se buxheti për vitin 2018, degradon dhe e kthen situatën para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.

Pozita prezanton buxhetin, merr kritika nga opozita

Qeveria e Kosovës sot ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se buxheti i vitit që vjen është 6 përqind më i lartë se i vitit që po shkon.

Abdixhiku: E vetmja gjë që po rritet është kabineti qeveritar, LDK do të votojë kundër buxhetit

Image

 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia e tij do të votojë kundër buxhetit të luksit, njofton Klan Kosova.

“Ne do të votojmë kundër buxhetit për vitin 2018, ky buxhet është i luksit, është i zëvendësministrave, nuk është buxhet i shëndetësisë, arsimit…”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend, ku po diskutohet për draftbuxhetin e vitit 2018.

Më herët deputeti Avdulla Hoti i cili ka qenë edhe ministër i Financave tha se projektbuxhetin për vitin 2018 i prezantuar nga Qeveria e kthen Kosovën në vitin 2015.

“Është për keqardhje që pas tri viteve kur Qeveria e kaluar ka punuar për një buxhet stabil, sot Qeveria Haradinaj prezantoi një draftbuxhet që na kthen në vitin 2015”.

“Ky buxhet e degradon ekonominë e vendit”.

Ndër të tjera Hoti ka thënë se më këtë buxhet Kosova nuk mund të krijojë rritje ekonomike, trendi i rritjes do të përgjysmohet, eksporti do të zvogëlohet, do të rritet buxheti për numrin e madh të zëvendësministrave që janë emëruar në Qeveri.

Më 2018 rritja ekonomike do të jetë 4.6 për qind

Ministri i Financave, Bedri Hamza, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se përmes buxhetit për 2018 është bërë shpërndarja më e mirë e mundshme e parasë publike.

Gjatë përgatitjes së buxhetit ai tha se janë fokusuar në vitin 2018, por duke parasysh implikimet edhe për vitet vijuese dhe ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit fiskal.

“Me politikat tatimore do të jenë mbështetëse për zhvillimin e sektorit privat, ne do të bëjmë lehtësira të reja për prodhuesit dhe përpunuesit vendorë dhe kjo do të zhvillojë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e bizneseve”, ka thënë ministri Hamza.

Te shpenzimet buxhetore, ai potencoi se do të financohen të gjitha politikat me prioritetet të qeverisë, do të ketë rritje të pagave dhe do të ketë financim të qëndrueshëm për skema sociale dhe kategoritë e dala nga lufta.

“Në vitin 2018 rritja ekonomike e vendit përmes GDP do të jetë 4.6 për qind”, ka thënë ai.

Rritje të njëjtë sipas tij ka projektuar edhe Banka Botërore, madje kjo e fundit parasheh rritje më të lartë prej 4.8 për qind, apo 0.2 për qind më shumë se sa që ka parashikuar Ministria e Financave. 

Hoti: Punësimi i 70 zëvendësministrave i kushton buxhetit 3.5 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka quajtur buxhetin për vitin 2018 të degraduar, i cili sipas tij e kthen situatën para vitit 2015, ku sipas Hotit ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.

Hoti është shprehur se ky buxhet është i udhëhequr me mendime provinciale politike, krahasuar me qeverisjen e kaluar,  ku sipas tij gjatë tri viteve të kaluara ka pasur përmirësim të strukturës buxhetore, investime kapitale e program të qartë të kursimeve.    

“Ky buxhet nuk buron dhe  nuk ka lidhje me programin qeverisës 2017-2021. Kemi degju në fushatë për rritje ekonomike prej 8%, në faqen 4 të programit qeverisës rritja parashihet në 7 perqind, kurse në buxhet rritja ekonomike parashihet 4.6 % në vitin 2018, 4.9 %  në vitin 2019 dhe 5.3%  2020, kur do të arrihet në 7 përqind?”, tha Hoti.

Hoti tha se taksapaguesit e Kosovës, duhet ta dinë se vetëm punësimi i 70 zëvendësministrave do të kushtojë rreth 3.5 milionë euro.

Ymeri: Projektbuxhetit i vitit 2018 përmban vetëm një thjeshtësi të numrave

Image

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në seancën e sotshme të Kuvendit është shprehur kritik nga qeverisë sa i përket projektbuxhetit për vitin 2018.

Ymeri ka thënë se ajo që vërehet në buxhetin e viti 2018, është një thjeshtësi e numrave brenda projektbuxhetit.

Sipas tij, ky projektbuxhet është i njëjtë me atë të vitit të kaluar.

Për, këtë Ymeri tha se Lëvizje Vetëvendosje do të votojë kundët Projektligjit për buxhetin./BS

Hamza: Me buxhetin e vitit 2018 do t’i rrisim pagat e sektorit publik

Image

Për të sqaruar më në detaje draft-buxhetin, para deputetëve foli ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili tha se me këtë buxhet do të ketë, veç tjerash, edhe rritje të pagave.

“Draft buxheti i 2018-ës është i harmonizuar me të gjithë. Përmes këtij buxheti jemi të bindur që kemi bërë një shpërndarje të mirë. Ka një numër të madh të politikave reformuese, implementimi i të cilave zgjat me vite. Draft buxheti nuk duhet të shihet nga këndvështrimi izolues veç për 2018, por më larg. Buxheti është i bazuar nga programi i qeverisë, i reformave të ekonomisë dhe në kontekstin makroekonomik brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ministri Hamza para deputetëve.

Ai deklaroi se Kosova do të ketë rritje ekonomike të qëndrueshme, do të ketë politika tatimore në mbështetje të sektorit privat për krijim të ambientit të përshtatshëm biznesor.

“Do ketë rritje pagash [të sektorit publik], financim për skemat sociale, rritje substanciale për financim të projekteve kapitale në sektorin publik. Në vitin 2018 do të kemi rritje ekonomike 4.6% në terma realë, ndërsa nominal 6%. Në këtë rritje ekonomike nuk merren parasysh edhe investimet e mëdha që pritet të ndodhin siç është rasti me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re”, u shpreh ministri i Financave, Bedri Hamza.

Haradinaj: Buxheti i vitit 2018 do të ketë rritje dinamike

Image

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në seancën e sotme në të cilën është duke u diskutuar buxheti i vitit 2018, tha se nga të dhënat buxhetore, do të ketë rritje dinamike të ekonomisë.

Haradinaj tha se rritje ekonomike do të jetë prej 4.6 përqind,

“Të hyrat buxhetore janë më shumë se 6 për qind”, tha Haradinaj para deputetëve.

Veseli kërkon falje për vonesën e seancës

Image

Pas dy orësh vonesë ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kërkuar falje për vonesën e  seancës, duke thënë se më nuk do të ndodhë që në të njëjtën kohë të mbahet mbledhja e Kryesisë dhe seanca.

Kuvendi debaton për buxhetin 2018

Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare, ku do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2018.

Në këtë seancë  do të shqyrtohen edhe dy projektligje të tjera:

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për financim shtesë për Projektin për bujqësi dhe zhvillim rural ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat