Thaçi: Kosova nuk ka nevojë për misione të përjetshme

Aktuale

Thaçi: Kosova nuk ka nevojë për misione të përjetshme

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 15:14
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi në një fjalim para pjesëtarëve të FSK-së, i ka dërguar një mesazh edhe EULEX-it, se po i përfundon mandati, dhe nuk do t’i vazhdohet më.

Thaçi ka thënë se Kosova dëshiron të integrohet në BE, e jo të ketë misione të përjetshme të saj në Kosovë.

Ai ka thënë se me qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit të EULEX-it.

“Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE, dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj”.

Më pas ai ka drejtuar një mesazh edhe te institucionet kosovare të drejtësisë, për të cilët ka thënë se duhet të kenë dije e guxim për ta kryer punën e tyre.

“Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim. Mungesa e dijës dhe e guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet. Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është: Zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi. Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX. Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat