Qeveria vendos që FSK-ja të shkojë në mision humanitar në Shqipëri

Aktuale

Qeveria vendos që FSK-ja të shkojë në mision humanitar në Shqipëri

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 10:16
Mbledhje e Qeverisë PANA-Lista serbe

Qeveria e Kosovës, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së FSK-së për dërgimin e kontingjentit të kësaj force në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë.

Zëvendësministri i FSK-së Brahim Mehmetaj tha se kërkesa për ndihmë ka ardhur nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

Mehmetaj: Kemi kërkesa për ndihmë nga Ambasada e Shqipërisë

“Dje në Ministrinë e FSK-së  ka ardhur një kërkesë nga ambasada e Shqipërisë ,  për mbështetje logjistike të FSK-së, në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri.MFSK menjëherë i ka bërë shkresë Qeverisë që të aprovohet misioni,  për ndihmë zonave,  që janë të përmbytura në Shqipëri. Ne kërkojmë që kjo të aprovohet si procedurë,  pastaj shkon te kryeministri dhe presidenti dhe presidenti autorizon FSK-në që të marrë pjesë atje në mision. Kërkesa është për një urë atje sipas informatave që kemi janë dëmtuar mbi 70 ura dhe ata kanë nevojë. FSK e ka mundësin me ndiku dhe është gati me kontribuua në këtë drejtim”, tha Mehmetaj.

E kryeministri Ramush Haradinaj tha se  shpreson që vendimi të merret me kohë për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Shqipëri.

Haradinaj: Shpresoj të marrim me kohë këtë vendim

“Kjo ura ka të bëjë me vërshimet. Dje ishte e pamundshme sepse kërkesa erdhi pasdite.. Procedura është e parapare sepse nuk është vendim i kryeministrit por i Qeverisë. Për këtë arsye iu ftuam edhe sot dhe shpresoj se nëse ne marrim me kohë këtë vendim dhe presidenti autorizon në kohë FSK-në, atëherë të paktën kjo urë dhe ky veprim t’i ndihmojë qytetarët në Shqipëri”, tha Haradinaj.

E Haradinaj pati dhe një kërkesë për ministrat e tij. Ai u tha atyre që të jenë të gjithë prezent në seancën e Kuvendit, ku do të debatohet projektbuxheti për vitin 2018 dhe t’i dëgjojnë mendimet e deputetëve.

Haradinaj: Të gjithë të jenë në seancë

“Jemi në Kuvend gjatë ditës. Të nderuar ministra, është shumë me rëndësi që të jeni prezent. Deputetët po i japin mendime për mënyrën e alokimit të buxhetit, për tema që lidhen me ministritë veç e veç. Për shembull dikush flet për një shkollë. Dikush flet për një rrugë, dikush flet për një ambulantë. Dikush flet për një temë. Secili prej juve është mirë që të jeni në seancë t’i dëgjoni ato mendime të deputetëve ”, tha ai.

Qeveria po ashtu ka ndarë 30 mijë euro,  për mbulimin e shpenzimeve për shërim të ish- kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi.

Haradinaj: T’i ndajmë 30 mijë euro për shërimin e Bujar Bukoshit

“Kemi një temë të radhës. ka të bëjë me mbulimin e shpenzimeve për shërim të ish  kryeministrit në ekzil të atëhershëm të Qeverisë së Kosovës z. Bujar Bukoshi, zëvendës kryeministër më vonë. Është shuma prej 30 mijë euro. Propozoj që Qeveria e Kosovës t’i paguaj shpenzimet për shërim të Dr Bukoshit”, tha ai.

Ky propozim i kryeministrit është miratuar nga kabineti qeveritar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat