Çfarë qëndrimi do të mbajnë Anton Quni, Arben Gashi, dhe Nait Hasani për demarkacionin?

Aktuale

Çfarë qëndrimi do të mbajnë Anton Quni, Arben Gashi, dhe Nait Hasani për demarkacionin?

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 10:48
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike kishin përkrahur marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, por jo të gjithë deputetët e grupeve parlamentare taë tyre ndanin qëndrim të njëjtë me kryesinë e partisë. LDK ka larguar nga lista disa prej deputetëve që me ngulm e kundërshtonin Isa Mustafën, të tjerët i ka akoma në përbërje. Edhe në PDK Nait Hasani është pjesë grupit parlamentar, kundërshtues i Demarkacionit.

Tani që u bë publik raporti me të gjeturat e komisionit për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit me Malin e Zi, dhe Qeveria miratoi vendimin për dërgimin e projektligjit në Kuvend, demarkacioni pritet që së shpejti të dalë për votim në Kuvend. Por nuk dihet saktësisht nëse kundërshtuesit e mëdhenj të marrëveshjes, ligjvënës nga PDK e LDK, kanë mbetur akoma të tillë.

Media ka kontaktuar disa prej deputetëve që mandatin e kaluar edhe pse ishin në partitë e që kishin pushtetin, kishin dalë kundër Demarkacionit.

Anton Quni, Arben Gashi nga LDK’ja dhe Nait Hasani nga PDK’ja, ishin disa prej deputeteve të pozitës në legjislaturen e kaluar, që haptas e kundërshtonin marrëveshjen e Demarkacionit të nënshkruar në vitin 2015.

Këta deputetë kanë thënë se deri në mbajtjen e seancës kur do të dalë në votim Demarkacioni, nuk preferojnë që të flasin rreth qëndrimeve të tyre.

Hasani i PDK’së thotë se deputetëve të Kuvendi të Kosovës nuk i është dhënë ndonjë kopje e raportit për të lexuar çfarë realisht përmban prandaj nuk dëshiron të flas me aq çka u bë publike dje.

Ai tregon se qëndrimin e tij do ta bëjë të ditur në ditën kur do të mbahet seanca, ku do të provohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkimit me Malin e Zi.

Edhe deputetët e LDK’së thonë se vlerësimin e raportit të ish-kolegut të tyre, Shpejtim Bulliqit, do ta bëjnë në seancë, kurdo që kjo mbahet. Gashi e Quni, nuk kanë preferuar të flasin më shumë.

Ndryshe, kreu i PDK’së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij nuk ka ndërruar qëndrimin pozitiv ndaj marrëveshjes së Demarkacionit dhe se PDK’ja voton pro saj.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi”, ka thënë dje Veseli pasi Qeveria procedoi në Kuvend projektligjin e marrëveshjes së Demarkacionit bashkë me raportin e nxjerrë nga Komisioni i Bulliqit.

Edhe Isa Mustafa është shprehur se LDK’ja është pro marrëveshjes, edhe pse në partinë e tij ka pasur më shumë zëra që kanë kundërshtuar demarkacionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat