16 vite më parë u lirua nga burgjet serbe, Albin Kurti sot ndiqet nga gjykatat e Kosovës - Bota Sot
16 vite më parë u lirua nga burgjet serbe, Albin Kurti sot ndiqet nga gjykatat e Kosovës

Aktuale

E hënë, 18 dhjetor 2017

16 vite më parë u lirua nga burgjet serbe, Albin Kurti sot ndiqet nga gjykatat e Kosovës

Më: 7 dhjetor 2017 Në ora: 14:32
Albin Kurti

Deputeti dhe themeluesi i Vetëvendosjes Albin Kurti edhe sot, më 7 dhjetor 2017, po gjykohet nga drejtësia kosovare për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, në kundërshtim të dy marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo e Asociacionit të Komunave Serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

Veprimet e Kurtit, bashkë me të tjerë deputetë të VV-së e opozitës, u bënë gjatë legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Por, kjo datë, për Kurtin ka edhe një tjetër domethënie.

Më 7 dhjetor të vitit 2001, Kurti ishte liruar nga burgjet serbe, pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb, shkruan Periskopi.

16 vjet më pas, Kurti e gjen veten sërish para organeve të drejtësisë, por këtë herë jo para drejtësisë serbe, por asaj të Kosovës. Kurti, sikurse atëherë kur nuk e njihte drejtësinë që e kontrollonte ish-presidenti serb, Slobodan Millosheviq, nuk e njeh as këtë sistem drejtësie, që thotë se kontrollohet e i shërben njerëzve që kanë kapur pushtetin.

Më 13 mars 2000 në Nish, Albin Kurti ishte dënuar me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviqit që e ka mbajtur Kosovën nën okupim”.

Ndërsa, kur ishte dënuar, ai kishte thënë se “nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më epej rasti do të veproja sërish njësoj.”

Kurti është politikani më i votuar sipas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. Ai dhe organizata e tij, Vetëvendosje, ende e kundërshtojnë versionin aktual të demarkacionit, marrëveshje që së shpejti do të dalë në Kuvend për t’u votuar, bashkangjitur me raportin e komisionit të ri të Qeverisë Haradinaj.

Sipas një shkrimi të kallxo.com, Kurti vetëmnë 20 vitet e fundit ka mbajtur 4 bite burg, për shkak të akuzave të vazhdueshme nga regjimi serb, misioni i EULEX-it dhe drejtësia kosovare, si pasojë e angazhimeve të tij politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test