Mustafa: Nëse Qeveria i siguron votat për demarkacionin edhe LDK e ndihmon

Aktuale

Mustafa: Nëse Qeveria i siguron votat për demarkacionin edhe LDK e ndihmon

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 14:39
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas mbledhës së Kryesisë së kësaj partie tha se nëse koalicioni qeverisës i siguron votat në Kuvend për versionin aktual të marrëveshjes së Demarkacionit, atëherë edhe LDK do e ndihmojë këtë proces.

Kreu i LDK-së,  tha se është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që t’i sigurojë votat për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend.

Mustafa: Koalicioni qeverisës e ka përgjegjësi t’i sigurojë votat

 “Është përgjegjësi e koalicionit qeverisës që ata të sigurojnë që i kanë votat dhe kanë disponimin e tyre që të përkrahin këtë marrëveshje dhe që të ratifikohet marrëveshja në Kuvend dhe në çoftë se ne sigurohemi se koalicioni qeverisës i ka siguruar votat atëherë edhe ne marrim përgjegjësinë para qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ndihmojmë këtë proces nga arsyeja se ne si LDK konsiderojmë që procesi është i pastër se marrëveshja e parë e ka saktësuar kufirin dhe është kufiri i saktë“, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së ka komentuar edhe për deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj  dhe deputetëve të AAK-së që i kanë bërë dje gjatë seancës së Kuvendit , duke thënë se janë jo serioze.

Mustafa pretendon se një kryeministër nuk mundet ta propozojë një projektligj, dhe atë ta kontestojë vet.

Mustafa: Nuk do të bëhet pjesë e këtyre lojërave

 “Nuk mundet një kryeministër t’ia  propozoj Parlamentit aprovimin e një projektligji,  pastaj atë ta kontestojë vet në Kuvend. Ne nuk do të bëhemi pjesë e këtyre lojërave por në qoftë se kryeministri dhe partnerët e koalicionit i sigurojnë votat atëherë LDK-ja do të jetë e përgjegjshme ndaj qytetarëve edhe ndaj këtij procesi”, tha Mustafa.

Lidhur me refuzimin e Gjykatës Supreme për ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet në Prishtinë, kreu i LDK-së tha se kjo mbetet çështje e shtabit zgjedhor të kandidatit të  LDK-së për kryetar të Prishtinës, pasi që nuk e ka parë vendimin, por tha se vlerësojnë se në këtë proces zgjedhor janë bërë lëshime dhe gabime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat