Nuk ka drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale pa u dënuar kryerësit e këtyre krimeve

Aktuale

Nuk ka drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale pa u dënuar kryerësit e këtyre krimeve

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 12:53
Amnesty International

Përkundër asaj se të mbijetuarit e dhunës seksuale do të fillojnë të marrin njohje zyrtare dhe dëmshpërblime, drejtësia për ta ende mungon. Ndërsa mbetet e primare edhe nevoja e tyre për kujdes shëndetësor.

Kështu është vlerësuar me rastin e prezantimit të raportit të Amnesty International “Plagë që të djegin shpirtin: Dëmshpërblim për të mbijetuarit e përdhunimit gjate luftës, por drejtësi s'ka akoma”, teksa është kërkuar drejtësi për këtë grup të shoqërisë.

E sipas Amnesty International, nuk ka drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, pa u dënuar kryerësit e këtyre veprave.

Megjithëkëtë, gjatë këtij prezantimi është vlerësuar iniciativa e institucioneve të Kosovës për dëmshpërblim ndaj kësaj kategorie, porse u tha se nuk ka drejtësi pa u dënuar ata që kryen vepra të tilla.

Zëvendësdrejtoresha e Zyrës për Evropën dhe Azinë Qendrore, Gauri van Gaulik, tha se të mbijetuarit e dhunës seksuale janë zhgënjyer për vite me radhë nga komuniteti ndërkombëtar dhe qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë, teksa i quajti shokuese statistikat e dënimeve për kryerësit e këtyre veprave. Ndërsa theksoi se drejtësia për këtë kategori që është margjinalizuar nuk është arritur ende, pasi që fajtorët i kanë shpëtuar drejtësisë.

Gaulik: Mosdënimi i kryerësve të veprave të tilla është shokues

“Të mbijetuarat më në fund do të shohin  një formë së paku të kompensimit të njohjes, nga janari i vitit të ardhshëm, kur do të kenë një pagesë sinjifikante të kompensimit mujor. Dhe ndoshta edhe më me rëndësi është njohja e dëmeve që u janë bërë dhe vuajtjes  specifike për këtë grup të caktuar në Kosovë. Akoma asnjë dënim nuk e kemi pasur për dhunën seksuale në luftë dhe kjo është një statistikë shokuese, do të duhet të bëhet punë shumë e madhe”, tha ajo.

Sipas saj, njohja zyrtare e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë luftës është arritur falë angazhimit të shumë organizatave dhe lidershipit në Kosovë, porse shtoi se ende mbetet punë për t’u bërë.

Edhe autorja e raportit, Sian Jones, bëri të ditur se mungesa e dënimeve për kryerësit e veprave të tilla ka bërë që çështja e drejtësisë të mbetet ende primare, ndonëse kanë kaluar dy dekada nga lufta.

Jones tha se përkrah adresimit të problemeve, kanë renditur edhe rekomandimet e tyre drejtuar Qeverisë së Kosovës, BE-së dhe Serbisë.

Jones: Çështja primare është qasja në drejtësi

 “Çështja primare është qasja në drejtësi, qasja dëmshpërblim  dhe hija e vazhdueshme që stigma i mbulon këto të mbijetuara. Këto janë tri çështje për të cilat ne kemi bërë rekomandime dhe që ende duhet të adresohen. Akoma asnjë dënim nuk ka ndodhur në gjykatat kosovare për dëmet e dhunës seksuale lidhur me konfliktin. Nuk ka pasur asnjë dënim as në gjykatat e Serbisë lidhur me dhunën seksuale në luftën në Kosovë. Është një rast,  lidhur me rastin në Qyshk, por që do ta shohim vendimin që do të merret. Kjo e bënë nevojën për drejtësi aq shumë sinjifikante”, u shpreh Jones.

Ajo tha se kanë shqyrtuar se si shumë raporte për viktimat e luftës janë bërë menjëherë pas luftës, porse kanë gjetur se UNMIK-u dështoi t’i regjistrojë shpejt dhe t’i hetojë ato raste, gjë që sipas saj, ka lënë probleme edhe për EULEX-in. Ndërsa problemet mbeten ende të mëdha, që paraqiten edhe në çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Jones: Ka probleme lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve

“Ka probleme të veçanta rreth qasjes të provave që janë marrë gjatë këtyre viteve dhe EULEX është zotuar që materiali që i është dorëzuar Zyrës së Prokurorëve do të jetë i qasshëm dhe i pranueshëm për Gjykatë. Gjithashtu ka edhe probleme të tjera lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve, sistemin e mbrojtjes së tyre, i cili nuk është duke funksionuar dhe nuk është adekuat për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”, theksoi ajo.

Autorja e këtij raporti e vlerësoi lart arritjen e një marrëveshjeje në mes të QKRMT-së dhe Shërbimit Hetues të Policisë së Kosovës, për mënyrën se si do të intervistohen të mbijetuarit e dhunës seksuale, e që njëherit do të kenë edhe mbështetjen e një psikologu gjatë kohës kur intervistohen. Për këtë, ajo tha se kanë kërkuar rishikimin e Kodit të Procedurës Penale që do të rregullojë edhe mënyrën se si merren dëshmitë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale, si dhe ofrimin e mbrojtjes edhe ndaj familjarëve të tyre.

Ndryshe, ky raport shpalos ndikimin shkatërrues fizik dhe psikologjik që u ka shkaktuar të mbijetuarve, dhuna seksuale gjatë luftës, të cilët, deri tani janë margjinalizuar nga shoqëria dhe nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga Qeveria.  Që nga janari të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës do t’u njihet statusi i tyre dhe do të marrin pensione nga shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat