Tërhiqet kërkesa për ekstradim të turkut Toksoy

Aktuale

Tërhiqet kërkesa për ekstradim të turkut Toksoy

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 11:58
Ugur Toksoy

Për shkak të mungesës së provave materiale, një prokuror i Kosovës tërhoqi kërkesën për ekstradimin e Ugur Toksoy, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet turke me dyshimin se ishte anëtar i organizatës FETO, që në Ankara konsiderohet terroriste.

Gjykata ka pranuar deklaratën e prokurorit dhe së shpejti do të marrë vendim.

Në fillim të seancës, Prokurori Special Ali Rexha tha se kërkesa e Qeverisë turke fillimisht nuk ishte e plotë dhe se nuk kishte prova materiale.

Ai më herët i ka kërkuar Ambasadës turke në Prishtinë që të siguronte prova të vlefshme materiale për ekstradimin e Toksoyt, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Nëse paraqiten fakte të reja prokurori mund të fillojë rastin përsëri.

Toksoy u arrestua më 28 tetor dhe ishte mbajtur disa ditë në paraburgim para se të lirohej me dorëzani.

Ugur Toksoy që 10 vjet jeton me familjen e tij në Kosovë dhe ka punuar si koordinator në fondacionin për arsim Atmosfera, në degën e Prizrenit, i cili ofron shërbime arsimore dhe kulturore për të rinjtë.

Në tre vjetët e fundit ai nuk e ka vizituar Turqinë. Avokati i Toksoyt thotë se nuk ka dëshmi se klienti i tij është i lidhur me lëvizjen e udhëheqësit fetar turk Fetullah Gulen, të cilin autoritetet turke e akuzojnë se qëndron prapa grushtshtetit të dështuar të vitit 2016.

Fondacioni Atmosfera ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të bëjë me Lëvizjen Gulen, duke shtuar se kanë organizuar promovimin e librave të tij. Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kosovës thotë se ky është një rast i motivuar politikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat