Ilir Deda ka disa fjalë për Demarkacionin

Aktuale

Ilir Deda ka disa fjalë për Demarkacionin

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 11:28
Ilir Deda

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka thënë se Kosova e ka rrugën e komplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Deda i cili është edhe themelues i subjektit politik ‘Alternativa’,  duke folur për synimin e Qeverisë së Kosovës e cila në programin qeverisës parasheh që deri në vitin 2021 të marrë statusin e vendin kandidat për anëtarësim BE, ka thënë se Kosova mbetet ende larg plotësimit të përmbushjes së reformave.

Deda në një deklaratë ka thënë se Kosova ka plotësuar vetëm 2 nga 22 prioritetet për vitin 2018.

Ai ka vlerësuar se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi për Kosovën po bëhet kusht kryesorë nga vendet perëndimore që Kosova të ecë drejtë anëtarësimit në BE. Po ashtu, sipas tij, përfundimi i dialogut me Serbinë në vitin 2019 me një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të hapte rrugë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat nëse përfundojë  reformat e dala nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA).

“Kemi çështjen e pazgjidhur të demarkacionit i cili po bëhet dalë nga dalë kërkesë kyçe e vendeve perëndimore që Kosova të avancojë  tutje drejtë BE-së dhe dialogun më Serbinë, i cili në qoftë se përfundon në vitin 2019 me një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative ligjore ajo marrëveshje mund të hapte rrugë që Kosova ta merrte statusin e kandidatit, por jo pa i përfunduar reformat që kërkohen e që dalin nga MSA”, ka thënë Deda.

Ai ka treguar se përveç vendimit politik nga BE, ky institucion vlerëson edhe reformat e bëra nga një vend që aspiron anëtarësimin.

“Kosova  momentalisht nga 22 prioritete që është dashur të përmbushen deri në vitin 2018, i ka përmbush vetëm 2, dhe kjo e dëmton pozitën Kosovës në këtë moment pozitën për statusin e kandidatit”, ka theksuar Deda.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e përhershme të BE-së, sipas Dedës nuk mund të jetë problem, pasi sipas tij, me nënshkrimin e MSA-së, BE ka gjetur mënyrën se si të ecë Kosova përpara në rrugën euro integruese.

“Fakti që Kosova  ka arrit  marrëveshje kontraktuake me Bashkimin Europian, ka nënshkruar MSA-në,  do të thotë që BE e ka gjet mënyrën se si Kosova të avancojë tutje drejt integrimit europian”, ka thënë Deda.

Edhe pse Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave dhe MSA është marrëveshja e vetme kontraktuale me BE-në, Qeveria e Kosovës synon që brenda mandatit 4 vjeçar ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, nuk është vetëm qeveria që shpreh një optimizëm të tillë.

Edhe qytetarët e Kosovës sipas një sondazhi të bërë janë shprehur më optimistët nga vendet tjera të Ballkanit që synojnë anëtarësimin se Kosova do të anëtarësohet në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat