Dështon mbajtja e Kuvendit të jashtëzakonshëm të AGK-së

Aktuale

Dështon mbajtja e Kuvendit të jashtëzakonshëm të AGK-së

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 12:08
Mbledhja e AGK-së

(E plotësuar) - Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të ri të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për shkak të mos pjesëmarrjes së gazetarëve, çka ka pamundësuar kuorumin që kërkohet me statutin e AGK-së.

Në bazë të statutit, për ta zgjedhur kryetarin e AGK-së, në kuvendin zgjedhor duhet të marrin pjesë gjysma e anëtarëve të regjistruar në AGK.

Edhe pas pritjes rreth një orë, Kuvendi zgjedhor nuk arriti ta bëjë kuorumin e duhur.

Drejtori i ekzekutiv i AGK-së, Arben Salihu njoftoi pjesëmarrësit se meqë nuk ka kuorum, atëherë bordi i AGK-së, do të marrë vendim për një datë tjetër të zgjedhjes së kryetarit. Po ashtu, ai informoi se do të bëhet edhe inicimi i ndryshimit të statutit të AGK-së, për t’i eliminuar disa paqartësi.

Salihu: Statuti parasheh me qenë gjysma e anëtarëve të përgjithshëm

“Siç parashihet me statut duhet me qenë gjysma e anëtarëve të përgjithshëm, edhe për ndryshimin e statutit. Por do të gjejmë një formë ndoshta me të lehtë të komunikimit për propozimet për ndryshim, ku nuk ka nevojë ndoshta për t’u mbledhur, i dërgojmë me email, i bëjmë publike propozimet dhe pastaj shohim a po vazhdojmë ashtu”, tha Salihu.

Në garë për kryetar të AGK-së, ishte vetëm gazetarja e RTK-së, Gentiana Begolli, e cila para disa dite e kishte bërë publike kandidaturën e saj.

Ajo e ka quajtur të pamundur zbatimin e kuotës prej 50 për qind të anëtarëve të AGK-së që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor.

Begolli: E pamundur zbatimi i kuotës prej 50 për qind të pjesëmarrjes

“Përcaktimi i kuotës prej 50 për qind të pjesëmarrjes, do thotë përfaqësuesve të AGK-së, është e pamundur të zbatohet në këtë rast konkretisht kur zgjedhet vetëm kryetari i AGK-së. Sepse është e pamundur që një njeri t’i mbledh gjysmën e anëtarësisë”, theksoi ajo.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i AGK-së, u organizua pas dorëheqjes së ish kryetarit të AGK-së, Shkëlqim Hysenaj.

***

Ka dështuar të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës..

Arsye e dështimit të Kuvendit ka qenë numri i vogël i gazetarëve dhe mungesa e kuorumit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte planifikuar që të mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm për të zgjedhur kryetarin e ri deri në përfundim të mandatit aktual të Bordit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat