Shoqëria Lëvizja: Duam ta ndërtojmë shtëpinë e LPK-së

Aktuale

Shoqëria Lëvizja: Duam ta ndërtojmë shtëpinë e LPK-së

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 14:47
Pamje nga konferenca për media

Shoqëria “Lëvizja”, ka njoftuar se detyra më e rëndësishme e saj mbetet ndërtimi i shtëpisë së Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila do të ketë pjesën e ambienteve për punë dhe aktivitete, dhe pjesën muzeale.

Kryetari i kësaj lëvizje, Xhevat Bislimi, në një konferencë për media, tha se qëllimi kryesor i kësaj shoqërie është mbledhja, ruajtja, mbrojtja, kultivimi, promovimi dhe afirmimi i vlerave të veprimtarisë çlirimtare të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe veprimtarisë së fshehtë çlirimtare në të gjitha trojet e pushtuara, si dhe kudo që ka vepruar si organizatë.

Ai përmendi disa nga aktivitetet e tyre që nga themelimi i saj, duke ftuar të gjithë veprimtarët në të njëjtën kohë që t’i bashkohen në ndriqimin e historisë.

Bislimi: Duam ta ndërtojmë shtëpinë e Lëvizjes

“Detyra më e rëndësishme e Shoqërisë dhe e gjithë miqve dhe mbështetësve të saj, mbetet ndërtimi i shtëpisë së Lëvizjes, e cila do të ketë pjesën e ambienteve për punë dhe aktivitete, dhe pjesën muzeale. Është menduar të jetë një shtëpi monument, që do të jetë me emrin Shtëpia Lëvizja. Për këtë duhet të gjendet trualli, fondet, ndërtimi etj. Për këtë çështje është menduar dhe biseduar gjatë dhe nga këndvështrime të ndryshme, është biseduar edhe në Shkup e jashtë atdheut me degët në mërgim. Kjo do të jetë një shtëpi monument, prandaj së pari duhet projektimi, kostoja financiare, përzgjedhja e projektit dhe ndërtimi”, tha ai.

Bislimi ka përmendur edhe angazhimet tjera që do t’i kenë gjatë vitit 2018.

Bislimi: Disa nga veprimtaritë për vitin 2018-të

“Më 25 janar mbahet Simpoziumi i dytë për Lëvizjen: Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-1984 dhe heronjtë e saj, Rexhep Shala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe Zija Shemsiu. Simpoziumi do të mbahet në Shkup në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Albanologjik, Shoqatën e të burgosurve politik dhe Institutin për trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë tonë. Më 11 mars të vitit 2018, do të mbahet një tryezë e domosdoshme e nxjerrjes së ligjit mbi pastërtinë e figurës(ilustracionit). Në Kumanovë do të shënohet edhe përvjetori i demonstratave të Preshevës. Do të organizohet po ashtu edhe një tryezë për demonstratë mbarë popullore të nëntorit të vitit 1998 dhe roli i LPK-së në ato demonstrata. Ndërsa, në Rahovec do të shënohet 30 vjetori i krijimit të Komitetit të LPK-së për Rahovec e rrethinë”, tha ai.

Kjo shoqatë me seli në Prishtinë është e themeluar prej afro dy vitesh, e cila ka themeluar degët e saj në Kosovë, në Maqedoni, Gjermani, Zvicër, Austri e në Francë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat