Thaçi: Investimi për Kosovën e Re do të krijojë dhjetë mijë vende pune

Aktuale

Thaçi: Investimi për Kosovën e Re do të krijojë dhjetë mijë vende pune

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 12:43
Hashim Thaçi

Qeveria e Kosovës dhe kompania Countur Global, kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe përfaqësues i kompanisë Countur Global Joseph Brandt.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është historike, pasi që pas 16 vitesh po arrihet rezultati kulminant për TC Kosova e Re.

Thaçi: Kosova e Re kontribuon në rritjen ekonomike

“Marrëveshja për Termocentralin Kosova e Re përfundimisht zgjidh një problem qenësor për Kosovën. Për më tepër, ky termocentral energjetik jo vetëm që stabilizon sektorin e energjisë, por jep energji të re edhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kjo kontratë paraqet investimin më të madh privat në historinë të Kosovës dhe kontribuon në rritje ekonomike”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër, ai ka theksuar se investimet e huaja nxisin krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa investimi për TC Kosova e Re do të krijojë mbi dhjetë mijë vende të reja të punës.

Sipas tij, termocentrali Kosova e re do të garantojë pavarësi nga çmimet e energjisë rajonale dhe do të krijohen kapacitete të reja krijuese të energjisë së ripërtërirë.

Gregory Delawie, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar për arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke thënë se kjo është një ditë e madhe për stabilitetin e energjisë së Kosovës, pasi TC Kosova e Re siguron stabilitetin me furnizimin me energji elektrike.

Delawie: Kosova e re do të ndërtohet sipas standardeve të larta evropiane

“Kosova e re do të ndërtohet sipas standardeve të larta evropiane dhe do të ketë shumë pak ndotje. Ky projekt paraqet investimin më të madh deri më tash në historinë e Kosovës. Kjo arritje është një indikator i qartë për mua se Kosova është  gatshme për investime tjera”, ka thënë Delawie.

Kryetarit i Kuvendit Kadri Veseli tha se me këtë projekt, Kosova po ec përpara,  do të ketë zhvillim ekonomik,  fuqizim të shtetit dhe reforma,  për të ecur në integrimet euroatlantike.  Veseli po ashtu ftoi investitorët e huaj, që të vijnë të investojnë në Kosovë, pasi që sipas tij Kosova është një vend i sigurt.

Veseli: Kjo është një ditë e veçantë për Kosovën

“Kjo është ditë e veçantë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Dëshiroi të iu uroj gjithë atyre këtë investim,  i cili është më i madhi, që do të ndodh nga investimet e huaja në Republikën e Kosovës. Kjo pas shpalljes së pavarësisë sonë politike, është dhe një dimension i ri i pavarësimit tonë dhe ekonomik. Është dhe një sinjal i veçantë,  për të gjithë investitorët në Republikën e Kosovës,  se Kosova është një ambient optimal për të investuar. Në të njëjtën kohë prodhimi i energjisë elektrike,  krijon dhe një siguri tek investitorët se mund të investojnë në Kosovë“, tha ai.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në nënshkrimin e ceremonisë.

Haradinaj: Sot na keni nderuar me këtë ceremoni

"Të gjithë ju që jeni prezent, faleminderit shumë për këtë nder, që na bëni sot në këtë ceremoni”, tha ai.

Drejtor i kompanisë Countur Global, Joseph Brandt tha se është koha e duhur që ky projekt të jetësohet. Ai është shprehur se mezi po pret që të inaugurohet ky projekt. Ndërsa që nuk ka harruar ta falënderojë ministrin aktual Valdrin Lluka, dhe ministrat paraprakë Blerand Stavileci dhe Fadil Ismajli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat