Hipokrizia e Haradinajt në raport me Amerikën

Aktuale

Hipokrizia e Haradinajt në raport me Amerikën

Më: 23 dhjetor 2017 Në ora: 20:30
Ramush Haradinaj

Nata e mbrëmshme ku u synua një seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nxiti reagimin e ashpër të ambssadorëve të huaj në Kosovë.

Njëri nga më të zëshmit ishte ai amerikan, Greg Delawie i cili disa herë doli me deklarata publike, duke thënë se “Kosova po ia fut thikën pas shpinës Amerikës”.

Kjo u cilësua si një rrezik për prishjen e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Amerikës, partneritet që gjithmonë ishte në qendër të premtimeve nga liderët shtetëror.

Përderisa ambasadorët theksuan se Kosova po rrezikon gjithë zhvillimin që e ka arritur, presidenti Thaçi iu kundërpërgjigj këtyre akuzave duke deklaruar se janë vetëm spekulime.

E deklarata të tilla dha edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Brenda orës, Haradinaj edhe tentoi të dukej i afërt me Amerikën, por edhe nuk e mori parasysh kërkesën e Delawies për tërheqje nga ky projektligj.

Në takimin që shefi i qeverisë kishte me anëtarët e AAK-së tha se Amerika duhet të jetë në tavolinë me Kosovën për dialogun me Serbinë.

“Dialogu duhet të përmbyllet me njohje. Amerika është garanci për neve, nuk ki kënd më të zotin se Amerika. Mirë është me pas të fortin në tavolinë”, ishte deklarata e Haradinajt sot gjatë ditës.

Por ai duket se nuk e dëshiron të fortin pra Amerikën si partneritet, edhe kur vie fjala te Gjykata Speciale.

Gjatë vizitës në QKUK kryeministri u pyet nga gazetarët për komentet e ambasadorëve.

E Haradinaj nuk u përgjigj, ai neglizhoi deklaratat e miqve të Kosovës, duke thënë  se qeveria që drejton i zbaton vetëm obligimet që dalin nga Parlamenti.

“Vendimet e Kuvendit janë urdhra për neve. Ata na kanë punësuar”, u përgjigj Haradinaj.

Pas dështimit që seanca e jashtëzakonshme për Specialen të mbahet dje, ambasadorët e Quintit sot zhvilluan një takim me kryeministrin Haradinaj.

Edhe në këtë takim lideri i AAK-së ua tregoi qëndrimin e tyre se është kundër kësaj Gjykate.

Ndryshe, njejtë vepronte edhe presidenti Thaçi.

Para dy vitesh ai kishte thënë se Kosova po e krijon Specialen për ta ruajtur partneritetin me Amerikën, e sot po tenton që ta zhbëj këtë Gjykatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat