Yagcilar shpalosi të arriturat dhe prioritetet për këtë vit

Aktuale

Yagcilar shpalosi të arriturat dhe prioritetet për këtë vit

Më: 10 janar 2018 Në ora: 18:08
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar

Zbatimi i suksesshëm i Kontratës së Reformës Sektoriale me Komisionin Evropian do të përmirësojë qeverisjen dhe do të sjellë për Kosovën shpërblim financiar nga ana e Komisionit Evropian.

Kështu deklaroi sot ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar me rastin e prezantimit të rezultateve të punës së Ministrisë për vitin 2017 dhe objektivave për vitin 2018, ku theksoi se sfida kryesore këtë vit është aprovimi i pakos legjislative për reformën e shërbimit civil dhe publik.

Tutje Yagcilar u zotua se gjatë këtij viti do të  procedojnë edhe Ligjin për Konteste Administrative, që është ndër indikatorët e kontratës së reformës sektoriale me Komisionin Evropian. Teksa shtoi se krahas kësaj duhet të rishikohet mandati dhe numri i agjencive shtetërore me qëllim që të shqyrtohen mundësitë e reduktimit të tyre dhe integrimit në institucione të tjera.

Yagcilar: Përmbushja e 8 indikatorëve sjellë të mira të shumta për Kosovën

"Sa i përket sfidave që na presin gjatë vitit 2018 më lejoni të veçoj mbi të gjitha zbatimin e suksesshëm të Kontratës së Reformës Sektoriale me Komisionin Evropian, përkatësisht përmbushjen e 8 indikatorëve. Plotësimi i këtyre indikatorëve përveç që do të përmirësoj qeverisjen në Kosovë dhe shërbimet për qytetar dhe janë reforma në të mirën tonë, ne do të shpërblehemi financiarisht, si shtet, nga ana e Komisionit Evropian", tha ai.

Ministri Yagcilar foli edhe për të arriturat kryesore gjatë vitit që lamë pas, ku si arritjen më të madhe vlerësoi nënshkrimin e kontratës për Reformën Sektoriale në vlerë prej 22 milionë euro.

Sipas tij, nënshkrimi i kësaj kontrate dëshmon vullnetin dhe kapacitet që ka Ministria që e drejton ai.

Yagcilar: Kontrata për Reformën Sektoriale dëshmon për kapacitetet tona si Ministri

"Kjo është hera e parë që përkrahje financiare nga Komisioni Evropian bëhet drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit ndaj një sektori të caktuar dhe kjo dëshmon për vullnetin dhe kapacitetet tona si Ministri", tha ministri.

Sipas tij, modernizimi i Administratës Publike, është prioritet kyç, teksa si i tillë nuk mundet të mendohet pa Qeverisjen Elektronike. E për këtë ai tha se kanë zhvilluar Platformën e Interoperabilietetit me të cilën mundësohet përmirësimi dhe avancimi i proceseve qeveritare duke ulur koston, duke menaxhuar performancat, duke krijuar lidhje funksionale brenda Qeverisë, duke lidhur në një rrjet të gjitha zyrat qeveritare në mënyrë që të krijohej koordinim në mes tyre. Siç tha ai, shumë shpejt në Kosovë do të ofrohen shërbime për qytetarët nga një pikë e vetme përmes platformave si e-Qytetari, e-Transporti, e-Punësimi, e-Mjekësia, e-Edukimi, e-Regjistrimi.

Ministri tha se rruga e vetme përpara është e ardhmja në Bashkimin Evropian për Kosovën, përderisa theksoi se si Ministri kontribuojnë në këtë drejtim duke fuqizuar integritetin, profesionalizimin dhe efikasitetin e administratës publike.

Ndërsa krejt në fund, ministri Yagcilar tha se me ndërtimin e një administrate publike në shërbim të qytetarit janë ndërtuar themelet e një shteti evropian në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat