Sot vazhdon gjykimi i Fatmir Limajt për krime lufte

Aktuale

Sot vazhdon gjykimi i Fatmir Limajt për krime lufte

Më: 15 janar 2018 Në ora: 08:16
Fatmir Limaj

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës sot do të vazhdojë gjykimi ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limaj, i akuzuar për krime lufte që lidhet me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës.

Në seancën e sotme pritet të vazhdojnë dëshmitarët e thirrur për këtë rast gjyqësor, i njohur si rasti “Bellanica”.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat