Shtatë orë diskutime në Vetëvendosje, flet Shpend Ahmeti: Problemi është i madh, ja çka deklaroi Albin Kurti

Aktuale

Shtatë orë diskutime në Vetëvendosje, flet Shpend Ahmeti: Problemi është i madh, ja çka deklaroi Albin Kurti

Më: 15 janar 2018 Në ora: 15:24
Albin Kurti

(E plotësuar) -  Pas mbledhjes së kryesisë dhe grupit parlamentar të Vetëvendosjes, i nominuari i vetëm për kryetar të kësaj partie, Albin Kurti ka qenë shumë i shkurt për media, duke pohuar se diskutimet dhe puna në Lëvizje vazhdojnë.

Kurti: Diskutimet vazhdojnë

“Ishte mbledhje e gjatë, diskutimet vazhdojnë, e po ashtu edhe puna në Lëvizje”, ka thënë shkurt Kurti, duke mos pranuar të përgjigjet në pyetjen e mediave, nëse ka arritur ta bashkojë partinë.

Shpend Ahmeti: Problemi është i madh

Ka përfunduar mbledhja mes Kryesisë së Vetëvendosjes dhe Grupit Parlamentar të kësaj partie. Është arritur pajtim që të zhvillohen mbledhje të tilla edhe më tej, por për rrugëtimin e përbashkët të VV-së nuk ka ndonjë marrëveshje.

Pas përfundimit, para mediave kanë folur kryetari i Prishtinë Shpend Ahmeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Ahmeti ka thënë se nuk është arritur ndonjë marrëveshje për të vazhduar përpara, por tha se ka qenë takim i sinqertë dhe është arritur një marrëveshje për të vazhduar përpara.

“Kjo mbledhje ishte e shkurtër për ne që jemi mësu me mbledhjet e VV-së. Nuk kemi arritur që të gjejmë marrëveshje apo që të dakordohemi për rrugën përpara. Megjithatë ka qenë diskutimi më i sinqertë sa i përket dallimeve, që mendoj se janë të thjeshtuara në publik. Por së paku jemi dakorduar të vazhdojmë”, tha Ahmeti.

Ai tha problemi i krijuar për një kohë të gjatë nuk zgjidhet dot për katër javë.

“Një problem si duket që është krijuar për një kohë të gjatë vështirë se mund të zgjidhet për katër javë”, tha ai.

Në anën tjetër, Konjufca tha se Grupi Parlamentar i VV-së do të qëndroj së bashku dhe do të ketë qëndrime të përbashkëta në Kuvend për çështje që mund të sillen aty,

“Si grup parlamentar do të qëndrojmë së bashku dhe do të kemi qëndrime të përbashkëta. Janë temat si demarkacioni dhe Specialja ku VV duhet të qëndrojë e bashkuar”, tha ai.

Ndërsa, sa për mospjesëmarrjen e Aida Dërgutit dhe Faton Topallit në këtë takim, Konjufca tha se arsyet janë të njohura për ta, por nuk foli më detajisht mbi këto arsye.

Image
Visar Ymeri

Flet Visar Ymeri: Në VV nuk ka shpresë, nuk u dakorduam për asgjë

Ish-kryetari i VV’së Visar Ymeri thotë se zgjidhja e vetme për Vetëvendosjen është heqja dorë nga interesat personale.

“Mendoj se secili duhet të heq dorë nga vetja për të mirën e organizatës dhe mendoj se kjo do të kishte me qenë zgjidhja për organizatën”, tha Ymeri.

“Sot nuk jemi dakorduar dhe nuk e di nëse do të dakordohemi”, theksoi Ymeri.

Pas përfundimit të mbledhjes së VV'së, Ymeri deklaroi se nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve, dhe është shprehur i zhgënjyer për faktin se, siç ka thënë ai, nuk ka pasur vullnet nga disa individ.

“Nuk shoh asnjë përafrim. Nuk shoh asnjë vullnet që të diskutohet mbi zgjidhjen e problemeve. Konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje është në një fazë të rëndësishme, dhe secili individ do duhej të vendoste organizatën para vetes”, ka thënë Ymeri.

Vazhdon takimi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca jep detaje për mbledhjen

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka folur pas mbledhjes së kësaj partie që po mbahet në selinë e partisë, që nga mesdita.

Ai ka thënë se mbledhja nuk ka përfunduar, vetëm kanë dalë në pauzë dhe se pika e diskutimit është gjendja nëpër të cilën po kalon VV, dorëheqjet.

“Mbledhja nuk ka përfunduar. Unë vetëm dola sepse e morëm një pauzë sepse do të kthehemi në ora nëntë. Diskutimet po vazhdojnë. Pika e diskutimit ishte versioni i të dorëhequrve për situatën nëpër të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje. E kemi dëgjuar secilin veç e veç. Kemi folur secili nga 10 minuta, kështu që për këtë arsye edhe na ka marrë kohë më gjatë”, është shprehur Konjufca.

I pyetur për gjendjen dhe nëse ka të penduar nga të dorëhequrit, ai ka thënë se nuk preferon një fjalor të tillë.

“Jam më optimist tani se që kam qenë para 10 ditësh. Nuk kisha folur me kësi kategori në Vetëvendosje, të ndëshkuar, ët penduar, të gjykuar.. nuk është fjalori im ai”, ka vazhduar më tej.

I pyetur nga gazetarët nëse ka pika të tjera të diskutimit, si ajo për Specialen, Konjufca ka thënë se ato do të jenë në një rast tjetër, pasi sonte nuk munden.

“Kanë qenë edhe disa të tjera, por më duket se nuk do të arrijmë sonte. Shpresojmë për nesër të vazhdojmë. Ka qenë edhe gjykata speciale bashkë me demarkacionin, mirëpo këto do të mbeten për një rast tjetër”, ka deklaruar Glauk Konjufca para mediave.

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka folur para mediave për zhvillimet brenda takimit mes lidershipit të VV-së, si përpjekje e radhës për të zgjidhur problemet e brendshme në parti.

Ai ka thënë se, pas këtij takimi, është optimist më shumë se para 10 ditësh për tejkalimin e problemeve.

“E kemi dëgjuar secilin veç e veç. Secili kemi folë nga 10 minuta. Jam më optimist se që kam qenë para 10 ditëve”, tha Konjufca.

Konjufca, kur u pyet nga gazetarët se a ka ndonjë të ‘penduar’ në parti lidhur me zhvillimet e fundit, tha se nuk dëshiron të flasë me kategori të tilla.

“Nuk do të kisha folë me këso kategori për Lëvizjen Vetëvendosje. Në VV s’ka të penduar, të dënuar e kshtu”, tha ai.

Vazhdon mbledhja e Vetëvendosjes Shpend Ahmeti zbulon detajet

Anëtarët dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalë nga mbledhja në një pauzë të shkurtër, për të vazhduar pas 10 minutave.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka thënë se ekziston një atmosferë e mirë brenda partisë dhe se ende është herët për të marrë ndonjë qëndrim rreth ndodhive të fundit.

“Atmosfera është e mirë. Po diskutohet, por ende nuk ka ndonjë qëndrim pasi që është herët dhe mbledhja pritet të zgjasë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se i vetmi kandidat për kryetar të Vetëvendosjes është Albin Kurti. Ndërsa, partia ka muaj që është përballur me përçarje, ku krejt kjo kishte ndodhur gjatë periudhës sa Kurti po qëndronte në paraburgim. Në një bisedë të anëtarëve të VV-së në “Viber” tashmë ish-anëtarja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti e kishte quajtur Kurtin “m**”. Që atëherë kanë ndodhur disa dorëheqje nga pozitat brenda Vetëvendosjes, përfshirë ish-kryetarin Visar Ymeri, Frashër Krasniqi, Driton Çaushi, Dardan Molliqaj, e të tjerë.

Mblidhet Vetëvendosje, ja sa pritet të zgjasë mbledhja

Kryesia qendrore dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje janë duke mbajtur mbledhjen e përbashkët.

Takimi që ka nisur para pak orëve në selinë e partisë pritet të zgjasë deri në orët e vona të ditës së sotme. Kështu kanë bërë me dije burime të mediave brenda Vetëvendosjes.

Ndryshe, ndonëse ishte raportuar për dorëheqjen e Dardan Sejdiut nga posti i deputetit, zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti kishte mohuar këtë gjë.

Në mbledhje kanë shkuar edhe disa nga të dorëhequrit e VV-së, porse aty nuk po marrin pjesë Aida Dërguti dhe Faton Topalli. Pjesëmarrës aty janë edhe Shpend Ahmeti, Albin Kurti, Liburn Aliu, Shemsi Syla, Donika Kadaj-Bujupi dhe Fitore Pacolli.

Në mbledhje edhe Molliqaj por mungon Dërguti

Kryesia dhe Grupi Parlamentar i VV-së janë mbledhur në një mbledhje që ka filluar në këto momente.

Në mbledhje kanë ardhur të dorëhequrit nga pozitat në VV, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Driton Çaushi e Dardan Sejdiu.

Por mungon deputetja Aida Dërguti e cila edhe është sebep pse kanë filluar përçarjet në këtë Lëvizje.

Ajo dhe deputeti Faton Topalli nuk kanë ardhur në mbledhje gjë që se kanë bërë kolegët e tyre të dorëhequr.

Në mbledhje kanë ardhur edhe Shpend Ahmeti, Albin Kurti, Liburn Aliu, Shemsi Syla, Donika Kadaj-Bujupi dhe Fitore Pacolli.

Image

Në selinë e Vetëvendosjes tashmë janë mbledhur anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e kësaj Lëvizje.

Në takim tashmë ka ardhur Dardan Molliqaj dhe Driton Çaushi si dhe ish-kryetari Visar Ymeri, Shpend Ahmeti dhe Albin Kurti.

 Ky takim po mbahet pas disa thyerjesh në këtë Lëvizje ku disa anëtarë kanë dhënë dorëheqje.

***

Sot Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Kryesisë bashkë me grupin parlamentar të deputetëve të kësaj Lëvizje.

Këto takime të VV-së pasojnë pas një varg dorëheqjesh nga kjo parti.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat