Xhavit Haliti: Oliveri frikësohej pas luftës në Prishtinë, unë e nxora në qytet për kafe

Aktuale

Xhavit Haliti: Oliveri frikësohej pas luftës në Prishtinë, unë e nxora në qytet për kafe

Më: 17 janar 2018 Në ora: 22:01
Xhavit Haliti

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka folur për raportet e tij me politikanin serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra të martën në Mitrovicën e Veriut, nga autorë tash për tash të panjohur.

“Herën e parë, në Prishtinë, pas luftës, kur e kemi krijuar Parlamentin e Kosovës, e kam nxjerrë Oliverin, bashkë me Saviq, ka qenë ai kolegu i Oliverit në Kryesinë e Kuvendit, dhe kemi dalë në qytet", ka treguar Haliti.

"Kanë pasur frikë, është e vërtetë që kanë pasur frikë", ka kujtuar zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, në "Rubikon".

"Por, unë, ashtu, me mendtë e mia, i nxora, u thash: Hajdeni s’e skeni nevojë të lëvizni me makina të blinduara, dalim pimë kafe, s’ka ndonjë problem", është shprehur Haliti.

Teksa ka komentuar rreth vrasjes së serbit, Haliti ka thënë se nuk beson se ndonjë shqiptar ose ndonjë organizatë shqiptare ka marrë pjesë në atentat, ose ka organizuar vrasjen e Ivanoviqit.

Haliti ka deklaruar se dyshon se segmente të caktuara në Serbi qëndrojnë prapa vrasjes së ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat