“Kryeministër, marre me ua dhanë tenderin njerëzve të afërt”

Aktuale

“Kryeministër, marre me ua dhanë tenderin njerëzve të afërt”

Më: 19 janar 2018 Në ora: 17:31
Ramush Haradinaj dhe Genc Meraku

Institucioni i Zyrës së Kryeministrit ka shpërblyer me tender një biznesmen të afërt me AAK-në dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Biznesmeni i afërt me AAK-në përfiton tender nga zyra e kryeministrit Haradinaj.

Kur biznesmeni Genc Meraku kandidonte për kryetar të Prishtinës, më 2007, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës premtonte buzëqeshje për kryeqytetin, në rast të fitores.

Meraku dështoi ta bënte këtë. Por, i suksesshëm është treguar si biznesmen. Atij, muajin e kaluar i ka “buzëqeshur” një tender nga Zyra e Kryeministrit e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Meraku, ndonëse joaktiv në parti, njihet si një prej njerëzve të afërt me këtë parti dhe liderin e saj, Haradinajn. Kompania e tij “ Zero Pozitive” është shpallur fituese në dhjetor të vitit të kaluar. Oferta e kësaj kompanie për tenderin për mirëmbajtjen e ueb-faqes së kryeministrisë është në vlerë prej mbi 13 mijë eurosh.

Kompania e tij ende nuk ka dhënë përgjigje për Insajderin se cilat janë kriteret që ka plotësuar për të përfituar këtë tender. Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit ka pohuar se “nuk i interesojnë përkatësitë partiake të aplikuesve në tender”.

Institucioni i Zyrës së Kryeministrit edhe në të kaluarën ka shpërblyer me tender njerëzit e afërt me kryeministrin. Kur Qeveria drejtohej nga Isa Mustafa, kishte ndodhur që djali i tij të fitonte tender për servisimin e një automjeti të tipit BMW. Pas bërjes publike, Mustafa me të birin, Besnikun, ishin tërhequr nga tenderi.

Detajet e tenderit të përfituar nga kompania e biznesmenit Genc Meraku

 Bazuar në njoftimin për dhënie të kontratës, për të konkurruar në këtë tender kishin shprehur interesim 16 kompani private.

Procedura tenderuese ishte e hapur, sipas njoftimit zyrtar. Por, vetëm një konkurrent ishte serioz dhe kishte dorëzuar zyrtarisht ofertën, sipas Zyrës së Kryeministrit.

Ky ishte konzorciumi i udhëhequr nga “Zero Pozitive”, kompani në pronësi të Genc Merakut.

Pjesë e konzorciumit është edhe kompania “Rrota”. Oferta e këtij konzorciumi ishte në vlerë prej 13 mijë e 888 euro. Ky konzorcium do të jetë përgjegjës për dizajnin dhe mirëmbajtjen e ueb-faqes së Zyrës së Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit: Nuk na intereson përkatësia partiake

Insajderi ka pyetur Zyrën e Kryeministrit lidhur me kriteret që ka plotësuar ky konzorcium për të përfituar tenderin dhe ka kërkuar koment për afërsinë e biznesmenit përfitues me kryeministrin Haradinaj.

Isa Hajdari, drejtor i Zyrës së Prokurimit, ka deklaruar se kompania e shpërblyer i ka plotësuar të gjitha kërkesat që parashihen në dosjen e tenderit dhe që kërkohen për dizajnin dhe mirëmbajtjen e ueb-faqes.

Ai ka treguar se ky tender është iniciuar nga Zyra e Informimit e Zyrës së Kryeministrit.

“Në tenderin në fjalë kanë pasur të drejtë të konkurrojë kushdo që e ka parë të arsyeshme, ndërsa kërkesat kanë qenë minimale, pa të cilat Ligji i Prokurimit nuk mundëson procedimin e prokurimit”, ka thënë Hajdari.

Sipas Hajdarit, plotësimi i kritereve është e vetmja arsye se pse kjo kompani është shpërblyer me tender.

“… Sa i përket pronarëve të kompanive dhe përkatësisë partiake, neve si zyre nuk na interesojnë këto informata”, ka pohuar Hajdari.

Megjithatë, Kosova mbetet një prej vendeve më të kritikuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për keqpërdorime në sistemin e prokurimit publik dhe shpërblimin me tenderë të njerëzve të afërt me politikanë të fuqishëm. /Insajderi.com

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat