Apostolova politikanëve: Mos e izoloni Kosovën

Aktuale

Apostolova politikanëve: Mos e izoloni Kosovën

Më: 23 janar 2018 Në ora: 11:58
Natalia Apostolova

Kosova duhet të demonstrojë përkushtimin për vlerat evropiane dhe t’i prezantojë një imazh pozitiv pjesës tjetër të Evropës.

Kështu tha shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova në një konferencë për media, ku së bashku me ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev,  prezantuan prioritetet e Presidencës Bullgare të Këshillit të BE-së.

Apostolova tha se Kosova duhet ta ratifikojë demarkacionin me Malin e ZI, pasi ky do të ishte një sinjal që institucionet e vendit punojnë në interes të qytetarëve dhe për të ecur përtej interesave personale të disa qarqeve politike, që mund ta izolojnë Kosovën.

Ajo tha se është në duar të institucioneve të Kosovës, Kuvendit të Kosovës që  të gjejë zgjidhje lidhur me regjimin e liberalizimit të vizave, ndërsa u bëri thirrje politikanëve të Kosovës që mos ta mbajnë rininë dhe qytetarët e izoluar.

Apostolova: Duhet të bëhet demarkimi me Malin e Zi

“Strategjia e zgjerimit, aktualisht është duke u hartuar tani. Kosova ka gjasë që të ndikoj në të. Si duke i bërë gjërat e duhura. Më vonë mund të jetë tepër vonë.  Kosova duhet të shfrytëzoj këtë mundësi unike, duhet ta ratifikojë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe se ky do të jetë sinjal i vërtetë,  që Kuvendi punon në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës.  Marrëveshja  e demarkimit duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional,  për të ndalur vet izolimin e Kosovës dhe për të ecur përtej interesave personale të disa qarqeve politike. Kosova është demokraci e re , ka  bërë shumë  përparime gjatë viteve të shkuara. Për ndryshim dhe përparim nevojitet kohë. Për popullin e Kosovës, është me rëndësi që të kemi institucione të cilat punojnë për njerëzit”, tha ajo.

Apostolova ka folur dhe për nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke pohuar se  kjo nuk është mënyra si duhet ndërtuar institucionet dhe nuk është as mënyrë si të forcohet besimi i njerëzve në institucione. Ndërsa tha se shfuqizimi i këtij ligji do të ketë ndikim dhe në rrugën evropiane të Kosovës..

Apostolova: Shfuqizimi i speciales ndikon në rrugën evropiane të Kosovës

“Shfuqizimi i ligjit për dhomat e specializuara, ka ndikim në rrugën evropiane të Kosovës dhe mendoj që kjo prek kryesisht obligimet, të cilat Kuvendi i Kosovës i ka marrë përsipër disa vite më parë. Drejtë një obligimi ndërkombëtar dhe një kontrate ndërkombëtare. Kështu që shfuqizimi i ligjit në të vërtetë, shkakton një lloj mos kredibiliteti të Kosovës si partner, ndaj obligimeve ndërkombëtare dhe natyrisht që  dhe prek shumë sundimin e ligjit, që është çështja kryesore ku BE, është e përfshirë shumë dhe ku do të donim të shihnim zhvillime të mëtejshme. Nëse ka ndonjë ndikim nga ky shfuqizim natyrisht që ka dhe për këtë arsye,  unë i bëj thirrje prej këtij podiumi dhe këtij vendi të rëndësishëm, ku prezenca bullgare fillon me funksionimin e saj, mirëpo vendos Ballkanin Perëndimor si një prioritet, Kosova nuk duhet të humb këtë mundësi. Është momenti që Kosova të tregojë që është shumà « e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe që është partner shumë i besueshëm kredibil në organizatat ndërkombëtare dhe kontratat ndërkombëtare”, tha Apostolova.

Ndërkaq ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev tha se tani më shumë se kurrë Evropa duhet të jetë e bashkuar.

Dantçev: Tani më shumë se kurrë Evropa duhet të jetë e bashkuar

“Për BE-në, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme. Është koha e fundit që t’ia kthejmë vëmendjen fqinjëve tanë.  Në dekadën e kaluar Kosova ka pasur kriza të njëpasnjëshme. Dhe kjo  ka nënkuptuar që ne është dashur të përqendrohemi në  zgjedhjen e problemeve tona, e jo që të merremi me ata përreth.  Shumica prej partnerëve tanë, e sidomos ata në Ballkanin Perëndimor,  kanë  humbur shpresën e  tyre, që perspektiva  e tyre evropiane është reale. Madje kanë filluar të kërkojnë mundësi të zhvillimit dhe pritjet gjetiu. Ekonomia evropiane është kthyer në shtegun e duhur dhe është shans për ne, që i përfshijmë dhe partnerët  e Ballkanit Perëndimor  dhe që t’i sigurojmë ata që perspektiva e tyre evropiane është reale. Natyrisht që për kë nevojitet shumë punë. Duhet të iu ndihmojmë atyre që ta kryejnë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani më shumë se kurrë Evropa duhet të jetë e bashkuar”, tha ai.    

Apostolova i është përgjigjur dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj i cili kishte deklaruar se strategjia e  zgjerimit  e ka lënë Kosovën anash, pasi që vendi ynë nuk është pjesë e kësaj strategjie.

Ajo tha se Kosova në vend që të kritikojë, duhet të tregojë përkushtimin e saj drejt rrugës evropiane

Apostolova: Kosova duhet të tregojë përkushtimin e saj

“Unë do të isha shumë  e interesuar të shoh se si miku im Enver Hoxhaj e ka bazuar deklaratën e tij, që Kosova është e keqtrajtuar, apo nuk ekziston si pjesë e strategjisë së BE-së. Kur strategjia është një dokument i brendshëm i Komisionit Evropian dhe është një dokument që është duke u hartuar. Është  një dokument i brendshëm, nuk duhet të jetë në duart të askujt prej miqve tanë. Kosova duhet të tregojë përkushtimin e saj të vërtetë ndaj rrugës evropiane,  në vend që të kritikojë atë që nuk është përmendur lidhur me Kosovën, në një dokument i cili ende është në proces e sipër”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat