Ndotja e ambientit, javën e ardhshme priten reduktime në trafik

Aktuale

Ndotja e ambientit, javën e ardhshme priten reduktime në trafik

Më: 28 janar 2018 Në ora: 16:54
Ilustrim

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndotjen e ambientit në kryeqytet, e cila ditëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese, duke thënë se javën tjetër mund të priten reduktime në trafik për shkak të gjendjes momentale.

Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të mbledhë të gjitha institucionet përgjegjëse përfshi komunat e prekura për të diskutuar masat e mundshme afatshkurta.

Ahmeti në një postim në Facebook shkruan se ditëve dhe javëve të fundit Prishtina po ballafaqohet me nivele të larta të ndotjes, posaçërisht në grimcat 2.5 mm, të cilat po publikohen nga matësi i vendosur nga Ambasada amerikane në Arbëri, e cila është pika më e ndotur në Prishtinë për shkak të afërsisë me Termocentralet në Obiliq.

“Edhe në pikat tjera që i kemi vendosur si komunë vërehet një gjendje më e rëndë, por në bashkëpunim më Ministrinë e Mjedisit po punojmë për verifikimin e saktë të informatave”, shkruan Ahmeti.

Sipas Ahmetit, burimet e ndotjes janë termocentralet, metodat alternative të ngrohjes, trafiku, kushtet atmosferike dhe gjelbërimi i pamjaftueshëm dhe ndërtimet.

Kreu i Prishtinës përmend disa projekte, të cilat do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ambientit si zgjerimi i ngrohjes qendrore, reforma e transportit publik dhe shtimi i hapësirave gjelbëruese.

“Komuna do të vazhdojë të merr masa afatshkurta dhe afatmesme në përputhje me vlerësimet dhe analizat e të gjitha institucioneve përgjegjëse në vend”, shkruan Ahmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat