Veseli: Korrupsioni dhe krimi kancer që po tenton ta ndal zhvillimin e Kosovës - Bota Sot
Veseli: Korrupsioni dhe krimi kancer që po tenton ta ndal zhvillimin e Kosovës

Aktuale

E hënë, 26 shkurt 2018

Veseli: Korrupsioni dhe krimi kancer që po tenton ta ndal zhvillimin e Kosovës

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 18:43
Për Veselin, Kosova nuk ka kohë për të humbur drejt integrimit evropian

Krimi dhe korrupsioni janë kancer për Kosovën, që tenton ta ndalin zhvillimin e saj dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu ka vlerësuar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas një takimi që ka zhvilluar me krerët e institucioneve gjyqësore, në prani edhe të përfaqësuesve të zyrës së BE-së në Kosovë dhe Aambasadës amerikane.

Kreu i legjislativit tha pas takimit se prioritet nacional do ta kenë integrimin euroatlantik, derisa ka premtuar mbështetje të madhe financiare e kadrovike për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kjo, pasi për Veselin, Kosova nuk ka kohë për të humbur drejt integrimit evropian.

Veseli: Do të vazhdojmë mbështetjen për institucionet gjyqësore

“Përveç demarkacionit që është kusht kryesor për liberalizimin e vizave, ne po ashtu kemi edhe një kusht që është sundimi i ligjit, si një çështje shumë me rëndësi pjesë e procesit për ta plotësuar si kriter me liberalizimin e vizave. Kuvendi i Kosovës do ta ketë prioritet përmbushjen e të gjithë pakove ligjore që lidhen me procesin e integrimit evropian. Unë do ta inkurajoj qeverinë që po bënë një punë të mirë. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare dhe në të njëjtën kohë kadrovike për të gjitha gjykatat dhe prokuroritë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit theksoi se lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë përpjekje e vazhdueshme, sepse që të dyja janë kanceri që po tentojnë ta ndalin zhvillimin e Kosovës.

Veseli: Korrupsioni dhe krimi kancer që tenton ta ndalë zhvillimin e Kosovës

“Lufta kundër korrupsionit nuk do të jetë vetëm  një përpjekje për të arritur një standard, siç është liberalizimi i vizave, por do të jetë një përpjekje e vazhdueshme, në mënyrë që të rritet perspektiva e qytetarëve tanë. Ndërsa korrupsioni dhe krimi i organizuar janë kanceri kryesor që tentojnë ta ndalin dhe sfidojnë zhvillimin progresiv të shoqërisë sonë”, u shpreh ai.

Veseli ka folur edhe për demarkacionin, megjithëse nuk ka treguar nëse marrëveshja për demarkacionin do të ratifikohet para 17 shkurtit. Por tha se Kosovës i duhet një konsensus për këtë.

Veseli: Na duhet konsensus për demarkacionin

“Qeveria e Kosovës, presidenti dhe Kuvendi janë duke punuar shumë seriozisht në këtë drejtim, në mënyrën që të kemi sa më shpejt një zgjidhje, në mënyrë që këtë kusht që kemi para vetës të kalojë. Do të thotë demarkacioni të kalojë, këtë jemi duke e bërë bashkërisht me seriozitetin me të madh. Keni parasysh së duhet konsensus për çështjen e demarkacionit dhe jam optimist se do ta arrijmë këtë”, theksoi kreu i Kuvendit.

I pyetur nëse me rifillimin e një turi të ri të dëgjimit, po e paralajmëron kryeministrin e Kosovës se nëse s’kalon demarkacioni, Qeveria mund të bie, ashtu siç kishte bërë me Isa Mustafën në vitin 2017, Veseli tha se ky është turi i liberalizimit.

Veseli: Është turi i liberalizimit

“Është turi i liberalizimit të vizave, të jenit të sigurt, është turi i drejtimit edhe me të fuqishëm progresiv të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, për progres qytetarë, kjo është më kryesore”, shtoi ai.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se ky vit është vit i drejtësisë, sepse janë plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat e këtyre dy institucioneve.

Tahiri: Qeveria ka përmbushur kërkesat e KGJK-së e KPK-së

“Mund të them lirisht se ky do të jetë vit i sundimit të ligjit, sepse për herë të parë pas katër viteve qeveria e Kosovës ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe nevojat për KPK-në dhe KGJK-në, gjë që në të kaluarën nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pra, në këta dy këshilla do të jenë rreth 300 zyrtarë të rinj që do të jenë të angazhuar, të cilët do të jenë gjyqtarë, bashkëpunëtor profesional, prokurorë dhe besoj se do të rritet efikasiteti i punës së këtyre dy këshillave”, u shpreh Tahiri.

Kryetari i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, tha se 85 për qind e akuzave që ngritën nga organi i akuzës aprovohen nga gjykata.

Isufaj: 85 për qind e akuzave që ngritën nga organi i akuzës aprovohen nga gjykata

“Mund të iu them me përgjegjësi të plotë se 85 për qind e akuzave që ngritën nga organi i akuzës, janë të aprovuara nga gjykata. Është një numër shumë i vogël 15 për qind, që nëse e krahason me shtet e rajonit ne dalim prapë më mirë”, theksoi ai.

 Ndërsa, kryetari i KGJ-së, Nehat Idrizi tha se janë zvogëluar lëndët që po presin për t’u zgjidhur. Derisa, tha se në planin e veprimit të punës së KGJK-së iu kanë dhënë prioritet rasteve të larta të korrupsionit.

Idrizi: Si KGJK iu kemi dhënë prioritet lëndëve korruptive

“Sa i përket rasteve të natyrës korruptive dhe top rasteve që u shtrua, ne si KGJK kemi hartuar një plan veprimi dhe iu kemi dhënë prioritet lëndëve korruptive, duke ditur peshën, rëndësinë dhe dëmin që shkaktojnë këto lëndë. Aktualisht në të gjitha gjykatat në punë  janë diku rreth 305 lëndë. Ne kemi formuar një komision që për çdo muaj përcjell procesin dhe fazat e këtyre lëndëve”, u shpreh Idrizi.

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli po ashtu është zotuar se do të ndodh edhe Vetingu në Kosovë, në mënyrë që të dalin në mënyrë transparente dhe të gjithë ta dinë se kush po pasurohet me djersë dhe kush po pasurohet në kurriz te të tjerëve.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test
    Tjera