Haradinaj përsërit: I themi jo Demarkacionit në këtë version

Aktuale

Haradinaj përsërit: I themi jo Demarkacionit në këtë version

Më: 3 shkurt 2018 Në ora: 11:35
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ua ka dorëzuar familjarëve vendimin për emërimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë, me emrat e heronjve, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.

Iniciativa për emërimin e kësaj autostrade me emrat e heronjve të Kosovës ka ardhur nga kryetari i Kuvendit dhe PDK-së, Kadri Veseli dhe e miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit theksoi pas takimit me familjarët e tre dëshmorëve është e para e këtillë.

Haradinaj: Kjo është një ngjarje e parë e këtillë

“Kjo është një ngjarje e parë e këtillë. Iniciativën për emërtimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë, e ka dhënë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Qeveria e ka miratuar me votë propozimin e ministrit Lekaj, e gëzofshim bashkë e lavdi heronjve”, tha Haradinaj.

Sabit Zejnullahu, babai i dëshmorit Hakif Zejnullahu, tha se e kanë pritur këtë veprim qysh moti që të realizohet, porse prapë nuk është vonë.

Zejnullahu: E kemi pritur qysh moti këtë veprim

“Unë e kam pritur por dikur mori në thua, edhe erdhi deri këtu, por prapë nuk është vonë. Unë i falënderoj gjithë ata që kanë qenë iniciator edhe Qeveria edhe njerëzit që kanë punuar. Po them që nuk është harruar, vazhdon jeta kështu. Ne jemi plakur por ju e gëzofshi”, theksoi Zejnullahu.

Në shenj respekti për sakrificën e bërë, kryeministri Haradinaj u ka dhuruar edhe nga një flamur kombëtar familjeve të dëshmorëve. Ndërsa, Zejnullahu shpalosi kujtimet se si e kishin përdorur flamurin kombëtar kur ai ishte i ndaluar të përdorej në Kosovë.

Zejnullahu: S’kemi guxuar ta përdorim, kur u lejua kishim gëzim të madh

“Na kemi jetuar në atë kohë duke e përmendur edhe natën edhe ditën, por fshehtë, sepse nuk kemi guxuar ta përdorim. Vonë është lejuar të përdoret flamuri kombëtar në Kosovë, kemi pasur gëzim të madh, por tash janë bërë dy shtete, me një flamur nuk munden me qenë”, u shpreh ai.

Vendimi për emërimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë, me emrat e heronjve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, u mor pikërisht në 21 vjetorin e rënies së tyre.

***

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, rikonfirmon se nuk ka ndryshuar qëndrimin kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Haradinaj e ka bërë të qartë se janë të ndarë në Kuvendin e Kosovës rreth versionit aktual të demarkacionit, duke shpërfaqur dallimet brenda koalicionit qeverisës.

Haradinaj: S’e votojmë versionin aktual

“Tani gjendja nuk ka ndryshuar, diçka të re nuk ka, për shkak se jemi të ndarë në Kuvend. Versioni i tashëm nuk e ka shumicën, megjithatë kjo nuk e pengon kryesinë të procedoj me tutje. Derisa nuk është në seancë plenare duhet të punojmë për një zgjidhje, mirëpo për një zgjidhje që e ruan substancën, të drejtën e Kosovës”, tha Haradinaj.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, kryesia e Kuvendit të hënën e ka futur në rend dite për diskutim dhe pritet që ta dërgoj në seancë plenare për shqyrtim dhe miratim. 

***

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë edhe një herë se ky version i Demarkacionit nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Gjendja s’ka ndryshuar, nuk ka diçka të re në këtë drejtim”, ka thënë ai para gazetarëve.

“Ne jemi të ndarë në Parlament, versioni i tanishëm i Demarkacionit nuk e ka shumicën”.

“Siç është në gjendjen e tanishme ne i themi jo”.

Derisa institucionet ndërkombëtare kanë bërë me dije se ky është momenti i fundit i Kosovës për ta ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që kosovarët të lëvizin lirshëm pa viza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat