Mogherini: Dialogu Kosovë-Serbi, thelbësore për të dyja vendet

Aktuale

Mogherini: Dialogu Kosovë-Serbi, thelbësore për të dyja vendet

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 15:17
Pamje nga konferenca për media

(E plotësuar) - Në Strasburg është miratuar strategjia për Ballkanin Perëndimor dhe perspektives evropiane të këtyre vendeve.

Sipas kësaj strategjie, asnjë nga vendet e BE-së, nuk dallon për asnjërin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ani pse Serbia dhe Mali i Zi janë me afër në rrugën e anëtarësimit.

Megjithatë, strategjia thekson qartë që gjashtë vendet pretenduese për anëtarësim në BE, duhet që t’i përmbushin gjashtë objektiva kryesore, si sundimi i ligjit, siguria dhe migrimi, zhvillimi socio-ekonomik, ndërlidhja e transportit dhe energjisë, agjenda digjitale dhe pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, tha se kjo strategji ofron një perspektivë të qartë, pa ekuivokë për secilën prej gjashtë partnerëve të tyre duke u bazuar në proceset sipas meritave.

E kur u pyet për Kosovën dhe Serbinë, ajo tha se pa marrëveshje për normalizim të raporteve mes dy vendeve asnjëra nuk mund të përparoj drejt integrimit evropian.

Mogherini: Dialogu, kusht thelbësor për Kosovën e Serbinë drejt BE

“Natyrisht, dialogu i ardhshëm mes Serbisë dhe Kosovës është absolutisht thelbësor. Në radhë të parë është thelbësor për Serbinë, por po ashtu edhe për Kosovën. dhe ka të bëjë edhe me raportet e ardhshme edhe për rajonin sepse përveç perspektivës së përafërt që kanë sa i përket Bashkimit Evropian, ata e dinë këtë, ata punojnë mirë se bashku, ne punojmë mirë me ata gjithmonë ka cikle politike apo cikle që duhet të marrin parasysh dhe e bëjnë këtë dhe në të vërtetë e bëjmë këtë edhe kur është fjala për shtet tona anëtare. Kjo është mjaftë e zakonshme. Mirëpo tash jam e inkurajuar që dy presidentët kanë nisur para disa muajve një fazë të re dhe unë i inkurajoj që ta bëjnë këtë, është një fazë e re që qon drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe mendoj personalisht që në fakt kjo mund të realizohet në mënyrë të suksesshme nëse tregohet lid ership politik, vendosmëri për dy palët me mbështetjen tonë”, tha Mogherini.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, strategjinë e re të miratuar në Strasburg, e ka quajtur një mundësi dhe rast historik për rajonin që i përket Evropës dhe i rrethuar me shtetet anëtare të BE-së.

Megjithatë, Hahn konfirmoj qëndrimin e shteteve anëtare të BE-së se nuk pranojnë anëtare të reja pa zgjidhur problemet e brendshme. Edhe Hahn, e quajti dialogun mes Kosovës dhe Serbinë është kyç drejt integrimeve për këto dy vende.

Hahn: Dialogu, interes për Kosovën e Serbinë për integrim në BE

“Nuk është vetëm në interesin e Serbisë, por po ashtu edhe në interesin e Kosovës që të gjejë një zgjidhje pozitive dhe do të shtronte rrugën për Kosovën drejt Bashkimit Evropian. Kjo është me rëndësi që të shtrohet dhe nënvizohet. Nuk jemi duke folur për ndonjë të zbutjeje të kushteve tona, mirëpo kjo datë indikativë është një trysni pozitive për politikanët dhe vendimmarrësit në rajon”, tha Hahn.

Pos dialogut, Hahn ka përmendur edhe gjashtë synimet e vendosura në këtë strategji për vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas të cilit, duhet të realizohen brenda viteve 2018-2020.

Hahn: Gjashtë nisma për përparim drejt BE-së

“Së pari është sundimi i ligjit, e dyta, siguria dhe migrimi, e treta, zhvillimi socio-ekonomik, katër, ndërlidhja e transportit dhe energjisë, pesë, agjenda Digjitale dhe gjashtë pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. E tërë kjo është e përshirë në 57 veprimet shumë konkrete që duhet të realizohen ndërmjet vitit 2018 dhe vitit 2020”, shtoi Hahn.

Hahn ka përmendur edhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit para disa jave, duke thënë se po të ishte bërë disa vite më herët do të kishte trazira, porse tani pas një komunikimi mes dy presidentëve situata u qetësua. Sipas tij, ky është rezultati i përpjekjeve të bëra dhe qytetarët duet ta dinë se cili është rezultati i përfshirjes për në BE.

Pas prezantimit të strategjisë nga Mogherini e Hahn, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën tha se strategjia qartë e nënvizoi se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e BE-së.    

Sikurse Mogherini e Hahn, edhe Apostolova përmendi dialogun Kosovë-Serbi, si të pa kapërcyeshëm për këto dy vende në rrugën e tyre drejt BE-së.

Apostolova: S’ka rrugë alternative për Kosovën e Serbinë pa normalizim

“Në radhë të parë dhe se çfarë është me rëndësi vendimtare të jemi shumë të çartë, nuk ka ndonjë dallim ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, perspektiva është e njëjtë, kushtet të cilat duhet të plotësohen janë të njëjta dhe përkushtimi dhe mbështetja nga BE-ja për secilin është e njëjtë. Së dyti procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në merita, nuk ka automatizëm dhe nuk ka ndonjë orar të paracaktuar. Hapi i procesit varet nga partnerët dhe gatishmëria e tyre për të realizuar detyrat. Së treti BE-ja nuk mundet dhe nuk do të importoj mosmarrëveshje bilaterale këto duhet të zgjidhen ose kontestet bilaterale kjo duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente në strategji thuhen çartë prioritetet dhe fushat e bashkëpunimit të përbashkët dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Kosova po ashtu edhe Serbia duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të normalizuar raportet, marrëdhëniet, për të dyja nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjë rrugë alternative ndaj të ardhmes evropiane”, theksoi ajo.

Apostolova u pyet edhe për mos futjen në rend dite nga Kryesia e Kuvendit, të marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi për ratifikim në Kuvend, për të cilin tha se Kosova duhet sa më shpejt ta ratifikoj këtë marrëveshje. Kjo, pasi sipas saj, edhe në strategji ekziston një pjesë specifike e cila ka të bëjë me kufijtë dhe mënyrën se si do të trajtohet kjo në procesin e përafrimit.

Apostolova: Demarkacioni të kaloj sa më shpejt

“Sa i përket vendimit të presidencës së Kuvendit që të mos merret me çështjen e demarkacionit të kufirit në javët në vijim unë vetëm mund të them që të gjithë ambasadorët që janë të pranishëm këtu së bashku me partnerët tjerë ndërkombëtar jemi duke e përsëritur deklaratën tonë për qeverinë dhe parlamentin se sa e rëndësishme është të zgjidhet çështja e demarkacionit, të kufirit sa më parë që të jetë e mundur. E dini të gjithë shumë mirë që kjo nuk është çështje politikash, pala e Malit të Zi tashmë ka ratifikuar marrëveshjen është thjeshtë një çështje e brendshme politike që duhet të zgjidhet nga Kosova sa më shpejt që ta bëni këtë më mirë do të jetë për tërë procesin e përgjithshëm të liberalizimit të vizave. Unë vetëm dua të ua përkujtoj se që është edhe një kriter tjetër me këtë pra duhet të koncentroheni edhe në këtë tjetrin, po r demarkacioni i kufirit do të thosha se është më i lehti sepse vota është po ose jo dhe ne shpresojmë që vota do të jetë po”, tha ajo.

Derisa, ka kërkuar respektimin e obligimeve që ka marrë, duke përmendur Gjykatën Speciale dhe mos tentimin për shfuqizimin e saj.

Apostolova: Mos e humbni kredibilitetin

“Shembull, dhomat e specializuara, kredibiliteti fitohet vështirë, mos e humbni atë, mos e zhvleftësoni atë, pra nuk është hera e parë që më keni dëgjuar mua ose paraardhësit e mi  që flasin për këtë nevojë e as nuk do të jetë hera e fundit që do ta dëgjoni këtë”, theksoi Apostolova.

Viti 2025, sipas kësaj strategjie është vetëm afat indikativ për anëtarësime të reja, por jo fikse nëse do të ketë anëtare të reja të BE-së apo jo. Megjithatë ky vit është indikativ për Malin e Zi dhe Serbinë, pasi negociatat për anëtarësim tashmë janë në proces e sipër me këto dy vende.

***

Bashkimi Evropian ka publikuar sot Strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, me ç’rast u janë bërë të qarta kriteret që duhen plotësuar për bërë pjesë e BE-së.

Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se me këtë strategji secilit vend i bëhen të qarta kriteret që duhen plotësuar dhe po ashtu përmes kësaj strategjie ka një perspektivë të ndarë për secilin shtet sipas të arriturave.

Ajo tha se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë bërë një zgjidhje të qartë dhe ajo është perspektiva evropiane.

“Sot jo vetëm që kemi aprovuar Strategjinë por kemi hapur një rrugë të caktuar që gjatë muajve të ardhshëm na qojnë në hapa tjerë. Muajt e ardhshëm do të jenë intensiv, tejet ambicioz”, tha ajo.

Mogherini ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo tha se dialogu i ardhshëm Kosovë-Serbi është thelbësore për të dy vendet dhe ka të bëjë me raportet e ardhshme edhe për rajonin.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së tha se është e inkurajuar që të dy presidentet, ai i Kosovë dhe i Serbisë kanë filluar një fazë të re që shpie drejt normalizimit të raporteve.

“Mendoj se kjo mund të realizohet në mënyrë të suksesshme nëse tregohet lidership i mirë”, tha ai.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn tha se kjo strategji është një rast historik për rajonin, që sipas tij i takon Evropës.

“Ky rajon duhet ta ketë perspektivën në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Hahn theksoi se shtetet duhet t’i përmbushen kriteret që vihen gjatë procesit integrues dhe vendet në Ballkanin Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëri tjetrin në këtë proces.

“Bashkimi Evropian nuk pranon anëtarë që nuk i kanë zgjidhur konfliktet ose çështjet bilaterale”, tha ai.

Ai tha se kjo është një motivim për Kosovën në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi nuk është interes vetëm i Serbisë, por edhe i Kosovës në rrugën drejt BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat