Ministria e Integrimit Evropian: Të mos ndërhyhet në pavarësinë e gjyqësorit

Aktuale

Ministria e Integrimit Evropian: Të mos ndërhyhet në pavarësinë e gjyqësorit

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 19:41
Dhurata Hoxha

Ministria e Integrimit Evropian, shpreh shqetësimet e saj lidhur me miratimin e rekomandimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Sipas MIE-së, këto rekomandime cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe si të tilla janë në kundërshtim me parimin themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve.

“Rekomandimet në fjalë, cenojnë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për të respektuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë si një prej vlerave kryesore të Bashkimit Evropian.

Ministria për Integrim Evropian thekson se miratimi i këtyre rekomandimeve vjen pak ditë pasi që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian të ndarë nga Serbia dhe se zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim është detyrim për Kosovën, për të ecur përpara në këtë proces.

Ndërhyrja politike në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, siç është miratimi i rekomandimeve në fjalë, cenojnë rëndë procesin e integrimit evropian të Kosovës si një prej proceseve më të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, thotë MIE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat