"Në BE hyjnë vetëm vendet pa konflikte territoriale"

Aktuale

"Në BE hyjnë vetëm vendet pa konflikte territoriale"

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 08:06
Jean-Claude Junker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Jucker ka thënë se Serbia para se të hyjë në Bashkimin Evropian duhet të zgjidhë çështjet e pazgjidhura që ka me Kosovën, duke inkurajuar Prishtinën dhe Beogradin për arritje të një marrëveshjeje detyruese ligjore.

Këto komente Juncker i ka bërë pas takimit në Beograd, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic. Ai ka thënë se Serbia është në rrugën e duhur, por BE-ja nuk mund të pranojë ansnjë anëtarë të ri, i cili ka konflikte të pazgjidhura territoriale.

“Nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE, sepse duam që vendeve të Ballkanit t'u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të importojmë paqëndrueshmëri", ka thënë Juncker.

Presidenti i Komisionit Evropian, ka thënë se dëshiron që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen, përmes një marrëveshjeje detyruese ligjore, por ka shtuar se nuk i takon BE-së të përcaktojë se cili do të jetë karakteri i kësaj marrëveshjeje , “por u takon Beogradit dhe Prishtinës që të përcaktojnë se si do të duhet ajo", ka thënë ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë thirrje për arritjen e një kompromisi me Prishtinën, duke mos precizuar se cili do të ishte ky kompromis.

Jucker ka qëndruar në Serbi, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të cilat aspirojnë të anëtarësohen në BE. Turneu i tij vjen pas publikimit të strategjisë për zgjerim të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vetëm Serbisë dhe Malit të Zi u janë caktuar afate të qarta kohore për anëtarësim.

Juncker pritet të vizitojë Kosovën më 28 shkurt./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat