Sefaj optimist se Kosova do të anëtarësohet në Interpol

Aktuale

Sefaj optimist se Kosova do të anëtarësohet në Interpol

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 14:09
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj

(E plotësuar) - Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj është shprehur optimist sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol në nëntor të këtij viti.

Ai tha se janë optimist dhe se janë duke punuar me një energji shumë pozitive që të marrin rezultate pozitive.

Në raportimin e tij në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ministri Sefaj ka bërë të ditur se me të marrë detyrën ka krijuar një grup punues që janë duke punuar në këtë lëndë.

Po ashtu, ai bëri të ditur se aktualisht janë duke lobuar.

Sefaj: Jemi në fazën e lobimit

“Kemi dërguar dy letra, njëra ndërguar nga z.Ramush Haradinaj dhe një nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku e kemi rikonfirmuar interesimin tonë të jemi në listën e vendeve që dëshirojnë të bëhen pjesë e Interpolit dhe që të votohet në Asamblenë Gjenerale e cila do të mbahet në nëntor në Dubai. Pas kësaj ka filluar një metodë e punës e cila ka të bëjë me lobimin, janë identifikuar zonat e lobimit, kontinentet, vendet më të veçanta. Krejt kjo është bërë duke u bazuar në listën e shteteve të cilat e kanë pranuar Republikën e Kosovës, ato që kanë votuar për UNESCO, do të thotë është bërë të gjitha ato vota që parashihen që do të mund të na votojnë dhe na kanë garantuar që do të na votojnë. Jemi në një fazë të lobimit ku nevojitet bashkëpunimi i të gjithëve, çështja e Interpolit nuk është çështje e një ministrie është ndër ministrore dhe para së gjithash është interes nacional”, tha minis tri Sefaj.

Ai nuk ka dashur të flasë rreth shteteve ku janë duke lobuar, pasi sipas tij çdo informatë e tillë është instruksion i mirë për ata të cilët nuk e duan Kosovën në Interpol.

Sefaj ka bërë të ditur edhe arsyen e shtyrjes së votimit që Kosova të anëtarësohet në Interpol, ku në bazë të analizës që i ka bërë materialeve që i ka dorëzuar ish-ministri Skënder Hyseni, si mangësi ka parë se nuk ka pasur koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sefaj: Kemi vlerësuar që rrëzimi i kandidaturës do të ishte shumë më i dëmshëm

“Arsyeja kryesore ka qenë që ne kemi kërkuar këtë shtyrje të votës ka qenë mos definimi i qartë i disa kritereve për pranim në këtë organizatë, si dhe mungesa e saktë empirike e votave në atë moment. Kështu që e kemi vlerësuar që rrëzimi i kandidaturës tonë në atë moment do të ishte shumë më i dëmshëm, sesa kërkesa për shtyrje dhe kështu ka ndodhur”, tha ai.

Ndërsa, kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se është dashur të bëhet një vlerësim shumë më i drejtë.

Osmani: Është dashur të bëhet një vlerësim shumë më i drejt

“Është dashur të bëhet një vlerësim shumë më i drejt dhe ende nuk po arrij me konceptuar pse ish-ministri ka pasur një vlerësim krejtësisht tjetër lidhur me numrin e shteteve që i kanë dhënë konfirmimet që do të votojnë për, ose qeveria e tanishme një konceptim apo një analiza krejtësisht tjetër. Sepse, nga ministri i Jashtëm kemi dëgjuar që njëri vlerësim ka qenë që i kemi 80 vota për, kurse vlerësimi tjetër që i kemi 40 vota për. Këtu dallimi është tepër i madh, unë do ta kuptoja sikur t’i kishim dy analiza ku dallimi është në tri, katër vota, sepse dyshime mund të kemi tek tri, katër shtete që një ditë thonë po, pastaj thonë do ta vlerësojmë përsëri. Mirëpo, dyfish është dallim tepër i madh”, tha ajo.

Ministri Sefaj u përgjigj duke thënë se në raportin që ka marrë nuk ka pasur një kalkulim të votave dhe se kalkulimin e votave e kanë bërë pastaj.

Sa i përket kërkesës së Kosovës për heqjen e nga lista e kërkimit të shtetasve kosovarë, Veton Elshani, kryetar i grupit punës ka thënë se tashmë asnjë kosovar nuk gjendet në listën e kërkimit për krime lufte, terrorizëm, gjenocid dhe vepra të tjera.

Elshani: Asnjë kosovar nuk është në listën e Interpolit për krime lufte

“Sa i përket shtetasve kosovarë që kërkohen për krime lufte asnjë nuk është në kërkim, as për krime lufte, as për terrorizëm, as për gjenocid, për arsye se i kemi larguar të gjithë prej listave. Kur është bërë kjo kërkesë prej neve është dërguar në nëntor të vitit të kaluar kur komunikimi në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe UNMIK-ut është ndërprerë, sepse ata kanë komunikuar për urdhër arreste ndërkombëtare ndërmjet vete. E kemi ndërprerë ata komunikim dhe kur kanë ardhur listat te ne, mandej ne kemi bërë ankesë për të gjithë”, tha ai.

Anëtari i këtij komisioni, Visar Ymeri ka dashur të qartësojë një deklaratë të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit, i cili për një revistë gjermane kishte thënë se Kosova ka tërhequr aplikimin e saj për Interpol si kontribut për pajtimin e madh me Serbinë.

Ymeri: Ministri i Jashtëm po e thotë komplet një tjetër gjë

“Tash atë që e dëgjuam nga ju në raportimin prej më shume se një orësh, ishte që tërheqja ka ndodhur për shkak se nuk keni qenë të sigurt për votat, numrin e mjaftueshëm të votave për tu anëtarësuar në Interpol dhe lidhshmëria që paska pasur votimi në të njëjtën kohë për Palestinën.  Mirëpo ministri i Punëve të Jashtme po e thotë komplet një tjetër gjë, që për mua është komplet e ndryshme prej asaj që e dëgjuam sot. Pyetja ime është nëse kjo ka qenë e vërtetë, nëse ky diskutim është bërë në grupin punues, dhe nëse ka qenë pjesë përbërëse e vendimit për tu tërhequr nga votimi, ose duke kërkuar shtyrjen e votimit për Interpol apo z.Pacolli nuk po  e paraqet dinamikën e diskutimit institucional sa i përket Interpolit. Nuk po them se këto dyja nuk janë të vërteta, por po dua ta di nëse edhe kjo ka qenë pjesë përbërëse e vendimit për të kërkuar shtyrje”, tha ai.

Ministri Sefaj i është përgjigjur Ymerit duke thënë se Pacolli është munduar të lobojë në momentet e fundit.

Sefaj: Pacolli është munduar që të lobojë në moment të fundit

“Nuk po e di atë intervistë, gjatë bisedimeve që unë kam pasur me ministrin e Punëve të Jashtme nuk është hapur kjo temë fare. Me të kemi diskutuar në mënyrë të qartë mbi numrat dhe arsyeja që ne nuk kemi proceduar më tutje në këtë çështje ka qenë pikërisht mungesa e numrave, sepse i kemi llogaritur. Po ashtu, prezent ka qenë edhe z.Behgjet Pacolli dhe është munduar që të lobojë në moment të fundit”, tha ai.

Ndërsa, është ngritur edhe çështja se pse në një periudhë prej 10 viteve për Interpol është aplikuar vetëm dy herë.

Kryetari i grupit të punës, Veton Elshani ka thënë se në vitin 2010 është refuzuar aplikimi për shkak të mungesës së ligjit për mbrojtje të të dhënave personale.

Elshani: Në 2010 është refuzuar aplikimi ynë

“Në vitin 2010, sa unë kam njohuri, është refuzuar dhe Zyra Ligjore e Interpolit e ka refuzuar aplikacionin tonë për arsye se s’kemi pasur ligj për mbrojtje të të dhënave personale, nuk kemi pasur Agjenci për mbikëqyrjen e mbrojtjes së të dhënave personale dhe kemi qenë në proces të liberalizimit të vizave. Ne kemi raportuar gjithmonë për proces dhe kemi ardhur në pikën kur duke raportuar para Komisionit evropian kemi thënë se nuk kemi diçka më shumë për të bërë. Në vitin 2015, Zyra e OKB-së në Nju-Jork e ka dhënë lejen që po, nuk është problem lidhja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Interpolit”, tha Elshani.

Interpoli heq nga lista e të kërkuarve emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka raportuar sot në Komisionin për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike lidhur me procesin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Ministri Sefaj, tha se pas marrjes së mandatit ka pasur  shumë pak kohë deri në datën e votimit për anëtarësim në Interpol vitin e kaluar.

Ai tha se në bazë të analizës që i ka bërë materialeve që i ka dorëzuar ish-ministri Skënder Hyseni, ka parë që nuk është punuar mjaft, e si mangësi përmendi se nuk ka pasur koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Sefaj tha se pas numërimit të votave të favorshme dhe votave të paramenduara të pafavorshme kanë kërkuar që votimi për anëtarësim në Interpol të shtyhet, ndërkohë që kanë krijuar një ekip që është duke punuar në trajtimin e kësaj lënde.

Ministri Sefaj tha se aktualisht janë duke lobuar për anëtarësim në këtë institucion. Po ashtu, ai bëri të ditur se kanë dërguar letra ku kanë kërkuar që për anëtarësim të votohet në nëntor të këtij viti në asamblenë që do të mbahet në Dubai.

Kurse, kryetari i grupit punues, Veton Elshani ka bërë të ditur se asnjë qytetar i Kosovës nuk gjendet në listën e kërkimit për krime lufte, terrorizëm, gjenocid apo vepër tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat