Kurti: 8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së

Aktuale

Kurti: 8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së

Nga: A.M. Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 17:28
Albin Kurti

Të mërkurën është caktuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme për miratimin e Demarkacionit më Malin e Zi.

Kryetari dhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shkruar se ajo tokë ka qenë gjithnjë e Kosovës, e shqiptarëve, dhe është dëshmuar gjerësisht me dokumentacion vendor e ndërkombëtar.

Postimi i plotë:

8200 hektarët nuk janë as tokë e Rusisë, as e BE-së. 8200 hektarët janë në skajin perëndimor të Kosovës së orientuar kah perëndimi, te BE-ja dhe NATO-ja. 8200 hektarët nuk janë kurrfarë udhëkryqi gjeopolitik lindje-perëndim.

8200 hektarët nuk janë as çiflig e pronë e pushtetarëve të korruptuar që duan ta japin si ryshfet për të garantuar vazhdimin e pushtetit. Ajo tokë ka qenë gjithnjë e Kosovës, e shqiptarëve, dhe kjo është dëshmuar gjerësisht me dokumentacion vendor e ndërkombëtar. Serbë dhe malazezë aty nuk ka patur kurrë, përveçse me uniformë, por edhe ata janë shporrur.

Kjo tokë synohet të jepet si çmim i paguar për lënien rehat të të korruptuarve e tradhtarëve. Nuk është çmimi i parë që ata paguajnë për të mbetur në pushtet, nuk është as çmimi i fundit. Atyre nuk u dhimbsen këto çmime, sepse paguajnë me nderin, gjakun, pasurinë e popullit, e jo me të tyren. Në fakt, sa më shumë e zvogëlojnë Kosovën, aq më shumë u rritet pasuria e pushteti.

Vendet mike të Kosovës nuk duhet të sillen në mënyrë cinike, duke pranuar ryshfetin e pushtetarëve tanë kriminelë. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të drejtën për të udhëtuar lirshëm, pa viza, pa patur pse të durojnë këtë dhunë e poshtërsi.

Tokën nuk e japim. Ne nuk kemi hesap të vazhdojmë me këta pushtetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat