Ambasada gjermane: Kalimi i demarkacionit hap vendimtar për vizat

Aktuale

Ambasada gjermane: Kalimi i demarkacionit hap vendimtar për vizat

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 10:46
Foto ilustrim

Ambasada Gjermane në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të arrijnë një konsensus për ta ratifikuar sot marrëveshjen me Malin e Zi. Thonë se ky është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të heqjes së vizave.

Thirrje të pa ndalura janë duke bërë ambasadat e huaja në Kosovë që t’i jepet zgjidhje pas tre vjetësh demarkimit Kosovë - Mal i Zi.

Sot, kësaj thirrjeje i është bashkëngjitur edhe ambasada Gjermane. 

Këta të fundit e ritheksojnë edhe njëherë rëndësinë që ka zgjidhja e kësaj situate për qytetarët e Kosovës, posaçërisht për vizat.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit është një hap vendimtar drejtë arritjes përfundimtare të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me ngulm inkurajojmë partitë politike të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një konsensus”, shprehet kjo ambasadë.

Tutje e bëjnë të ditur se arritja e një konsensusi është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe duhet të merret si përgjegjësi e përbashkët për këtë vend.

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, kërkoi nga anëtarët e Parlamentit që në seancën e sotme të votohet kundër izolimit dhe pro të ardhmes për vendin.

Nga ana tjetër, seanca është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00. Nuk dihet nëse janë arritur votat e nevojshme për ta kaluar marrëveshjen.

Memli Krasniqi, nga PDK tha të martën, se janë siguruar 78 vota, derisa theksoi se duhen edhe dy vota.

Po në këtë ditë, në Kosovë do të qëndrojnë shefja e BE’së Federica Mogherini, kryetari i parlamentit evropian, Jean Claude Juncker dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat