Për një muaj dy incidente nga vëllezërit e Rexhep Selimit: Njëri u plagos, tjetri sulmoi policinë

Aktuale

Për një muaj dy incidente nga vëllezërit e Rexhep Selimit: Njëri u plagos, tjetri sulmoi policinë

Më: 3 mars 2018 Në ora: 11:29
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi po ka telashe me vëllezërit e tij problematikë. Në një hark kohor prej një muaj e gjysmë, dy vëllezërit e tij janë përfshirë në dy incidente të ndryshme.

Rasti i parë kishte ndodhur natën e 19 janarit, kur njëri prej vëllezërve të tij ishte plagosur si pasojë e një zënke të mëhershme me një person tjetër.

Kurse mbrëmë Policia e Kosovës ka konfirmuar ka njoftuar se Ramadan Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në stacionin policor për sulm ndaj policit dhe mospërfillje të urdhrave.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti  ka konfirmuar dje se sulmi ka ndodhur rreth orës 18:00.

“Rreth orës 18:00 është shoqëruar në stacion policor një person për sulm ndaj personit zyrtar dhe mospërfillje e urdhrave të policit. Njësitet përkatëse në bashkëpunim me prokurorin kujdestar po merren me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ramadan Selimi është kryetar i Federatës së Boksit dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ndryshe, Islam Selimi, vëllai tjetër i deputetit të VV-së ishte plagosur muaj më parë pas një mosmarrëveshje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka reaguar pas arrestimit të vëllait të tij, Ramadan Selimit, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Selimi ka thënë se këto që po ndodhin janë të gjitha të montuara, dhe i ka quajtur si hakmarrje ndaj tij.

Ai ka thënë se i ka pritur këto.  “Po duket se hakmarrja filloi. Ta shohim deri ku po shkojnë me montime rastesh sikur ky qe po e shoh ne media.  E kam pritur…”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj, ka komentuar sulmin e Ramadan Selimit, vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ndaj zyrtarit policor.

Ai ka thënë se Selimi ishte shoqëruar fillimisht në polici, teksa ishte liruar pas një kohe të shkurtër, shkruan Insajderi.

Ministri ka konfirmuar se menjëherë pas lirimit Selimi është arrestuar përsëri për shkak të kërcënimit ndaj zyrtarit policor.

“I kemi informatat e fundit se një qytetar ka sulmuar një zyrtar policor, ky person është arrestuar nga Policia e Kosovës”, ka thënë Sefaj.

Më tej në pyetjen se a është liruar fillimisht Selimi e më pas për tu arrestuar përsëri, ministri ka konfirmuar këtë rast, teksa e ka quajtur rastësor se personi që ka sulmuar zyrtarin policor ka qenë vëllai i deputetit.

“Si duket ashtu është, pasi që është liruar në procedurë të rregullt supozohet, se ka kërcënuar zyrtarin policor dhe përsëri është ftuar nga prokurori. Besoj që rasti ka të bëjë me një kundërvajtje dhe rasti është duke u trajtuar që ka rastësisht ka dal të jetë vëllai i deputetit”, ka thënë Sefaj.

Ndryshe, më 19 janar vëllai tjetër i deputetit Rexhep Selimi, Islam Selimi kishte mbetur i plagosur pas të shtënave me armë në Komoran.

Islam Selimi ishte parë teksa del nga QKUK-ja pasi kishte marrë tretmanin mjekësor, dhe më pas kishte vazhduar në një makinë të policisë.

“Rreth orës 20:00 e kemi pranuar informacionin për një plagosje me armë zjarri. Rasti ka ndodhur ne Komoran”, kishte deklaruar atëkohë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ajo kishte bërë të ditur se i plagosuri është transportuar për tretman mjekësor në QKUK ndërsa i dyshuari Xh.N. (1962) është arrestuar nga Policia.

Në një bisedë për Kallxo  Islam Selimi kishte rrëfyer për incidentin ku ai mbeti i lënduar.

“Është vetëm një gërvishtje kam qëndruar për rreth një orë në spital dhe jam liruar për në shtëpi”, kishte thënë Selimi.

Duke sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja, ai ka thënë se dorasin e njeh qe 20 vjet. “Kam shku tek shtëpia e tij për të diskutuar rreth një borxhi dhe ka eskalu incidenti”, ka rrëfyer Selimi.

Duke mos sqaruar borxhin, ai ka treguar se në shtëpinë e dorasit ka shkuar i vetëm dhe pa ndonjë përcjellës tjetër.

Ai është i bindur se qëllimi i dorasit nuk ka qenë që t’i shkaktojë lëndime të mëdha, madje vë në pikëpyetje nëse shkrepja e armës ishte aksidentale. “Më kanë thënë se ai ka qenë nënë ndikimin e alkoolit dhe besoj që edhe shkrepja ka ardhur si pasojë e kësaj”, ka thënë Selimi.

Ai ka shtuar se çështja tashmë është e tejkaluar dhe pret që të ulet dhe të bisedojë me dorasin për sqarimin e rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat