Veseli e Haradinaj: Prekazi dhe familja Jashari, ndryshuan historinë dhe epokat

Aktuale

Veseli e Haradinaj: Prekazi dhe familja Jashari, ndryshuan historinë dhe epokat

Më: 5 mars 2018 Në ora: 09:45
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit. Në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat.

E 5 marsi i vitit 1998,  mbetet monument i përjetshëm në zemrat e mbarë kombit tonë, mbetet dhembja dhe krenaria jonë kombëtare njëkohësisht. 

Kështu tha kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës,  e cila u mbajt me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Veseli: Në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat

“Atë ditë në Prekaz u ndryshua historia dhe epokat. Epokës së pritjes dhe jetës së zymtë të nënshtrimit i erdhi fundi. Nisi epoka e kryengritjes, epoka e ballafaqimit me të keqen, e triumfit mbi të keqen. Epoka e çlirimit përfundimtar të Kosovës nga robëria njëshekullore. Epoka e lëvizjes më të lavdishme, që ka krijuar populli ynë në histori Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të nderuar të pranishëm. Sakrifica e Adem Jasharit dhe Familjes së tij është rast unik në historinë e njerëzimit. Mesazhi i saj u flet shekujve dhe gjithë popujve. Asgjë nuk është më e çmueshme sesa liria. Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998 në Prekaz nxorën para gjithë botës të vërtetën e madhe të Kosovës...Adem Jashari besonte se ëndrra për liri ishte më e fortë se terrori. Dhe, historia i dha të drejtë atij. Atë ditë, në Prekaz nisi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë. Ëndrra e Adem Ja sharit dhe mijëra dëshmorëve të Kosovës u bë realitet”, tha Veseli.

Sipas Veselit në këto 20 vjet, Kosova ka shënuar të arritura të mëdha, të cilat as skeptikët më të mëdhenj nuk mund t’i anashkalojnë. Ndërkaq pohoi se pjesë e rrëfimit  të suksesit,  janë edhe sfidat e mëdha që Kosova ka përpara, sidomos ato të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Image

Veseli: Pyetja tani është çfarë po bëjmë ne të gjallët për Kosovën

“Konsideroj se në këtë ditë të madhe për kombin tonë,  pyetja nuk është se çfarë bënë dëshmorët për Kosovën. Secili nga ne, i madh e i vogël, e di përgjigjen në këtë pyetje. Ata dhanë jetën, që ne të jemi të lirë. Nuk ka akt më të lartë patriotik që dikush mund të bëjë për vendin e tij sesa ky. Pyetja që shtrohet sot është  tjetër. Çfarë po bëjmë ne të gjallët për Kosovën. A jemi duke i kryer detyrat tona.  A jemi duke e përmbushur siç duhet vullnetin e qytetarëve. A jemi duke e respektuar veten tonë, shtetin tonë.  A jemi duke punuar për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi. E vërteta është se kemi nevojë për një kthesë morale në mentalitetin dhe sjelljen tonë politike. Të mendojmë më shumë për qytetarin. Ta pranojmë faktin se jemi në demokraci dhe nuk ka rrugë tjetër të ecjes përpara, përveç rrugës së komunikimit, kompromisit e konsensusit të përbashkët për interesat e vendit dhe të qytetarëve. Besoj fuqishëm se nuk ka hendeqe të pakapërcyeshme mes nesh. Ne nuk jemi këtu për t’i dëshpëruar qytetarët, por për t’u dhënë atyre shpresë dhe argumente se ky vend është në rrugën e duhur dhe ka të ardhme të sigurt”, tha ai.

E kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se familja Jashari përmbysi shekujt e ndërroi epokat dhe se mbetet rast unik i flijimit për liri.

Haradinaj: Familja Jashari ndërroi epokat

“Një jetë na është dhënë të gjithëve dhe një Atdhe.  Disa nga më të mirët tanë zgjodhën që jetën t’ia dhurojnë atdheut. Përpara frikës zgjodhën rezistencën, përpara poshtërimit zgjodhën kryengritjen, përpara dorëzimit zgjodhën shpresën. Familja Jashari përshpejtoi kohën, përmbysi shekujt, ndërroi epokat dhe mbeti përjetësisht në kujtesën e kombit, si rast unik i flijimit për liri e dinjitet. Historia thonë se është mësuesi më i mirë për aq sa ajo nuk na përsëritet. Dhe, jam i bindur se ajo nuk do të përsëritet, përderisa jemi unikë dhe nuk kemi frikë ta shohim të sotmen dhe të nesërmen në sy”, tha Haradinaj.

Kryeministri theksoi se 20 vite pas, duhet të shikohet se ku janë institucionet në raport me ndërtimin e shtetit modern, në raport me kategoritë e lirisë, familjet e dëshmorëve e të heronjve dhe në raport me invalidët e luftës.

Haradinaj: Tani duhet të shohim ku jemi në raport me shtetin dhe familjet e dëshmorëve    

“Sot, kur po e shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së Jasharëve, komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës dhe 21 anëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, dhe gjithë të rënëve për liri, duhet të shohim së pari ku jemi në raport me ndërtimin e shtetit modern, në raport me kategoritë e lirisë, familjet e dëshmorëve e të heronjve dhe në raport me invalidët e luftës. Të shohim se sa ne politikanët u kemi qëndruar afër atyre familjeve, në përballje me jetën e me të vërteten. Historia na mëson që të lidhemi rreth idesë së Madhe të Shtetit Sovran, si kulm shtëpie për të gjithë ne. Për këtë shtëpi ranë në altarin e lirisë me buzëqeshje në fytyrë dhe krenari në shpirt, bijat dhe bijtë e zgjedhur të atdheut.  Njëzet vjet, pas flijimit heroik të familjes Jashari për lirinë e vendit, duhet të reflektojmë për të djeshmen, të sotmen dhe rrugën tonë drejt të ardhmes. Brezat e rinj të shqiptarëve dhe miqtë e Kosovës na porosisin që ta ndërtojmë paqen për të gjithë, sepse ajo është më e vështirë se lufta. Pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje, pa padrejtësi e nëpërkëmbje”, tha ai.

Haradinaj ndër të tjera theksoi se në këto 20  në liri, të arriturat janë të dukshme. Por tha se  liria ka dimensione tjera, si liria, për të pasur një kulm mbi krye, një punë për secilin që dëshiron të punojë, një shtet, dhe një pasaportë, të cilit nuk e shohin tjerët me dyshim. Prandaj Haradinaj i ftoi të gjithë shqiptarët, partitë politike dhe liderët e tyre si dhe komunitetet,  për unitet institucional dhe kohezion shoqëror, për t’i mbrojtur idealet e lirisë, për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes. Kosovën ku të gjithë frymojnë lirshëm, Kosovën pjesë e familjes evropiane,  Kosovën pjesë e NATO-s dhe e OKB-së.

***

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha sot në seancën solemne që po mbahet për nder të Epopesë së UCK-së se disa nga më të mirët zgjodhën jetën të ia dhurojnë atdheut.

“Zgjodhën kryengritjen para dorëzimit familja Jashari përshpejtoi kohën,  përmbysi shekujt dhe ndërroi epokat si rast unik për liri e dinjitet. Sot kur po e shënojmë 20 vjetorin e Epopesë rënien e Jasharajve duhet të  shohim ku jemi në raport më ndërtimin e shtetit modern dhe në raport me familjet e dëshmorëve,  sa u kemi qëndruar afër”, tha Haradinaj.

 20 vjet pas flijimit heroik te familjes Jashari, sipas Haradinajt brezat e rinj dhe miqtë e Kosovës porosisin të ndërtohet paqja dhe një Kosovë e denjë.

“Ne kemi ecur 20 vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme. Nga këto i ftoj te gjithë shqiptarët partitë politike për unitet institucional për t’i mbrojtur idealet e lirisë dhe Kosovën e së ardhmes ku qytetarët lëvizin lirshëm pjese e NATOS dhe OKB-së.

“ Do të arrijmë edukim cilësor. Do të kemi shërbime  shëndetësore moderne dhe shteti ynë do të jetë shtet i së drejtës. Lavdi e përjetshme për komandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari”, tha Haradinaj.

Epopeja e UÇK-së mbahet për nder të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998 kur në një luftë të pabarabartë në Prekaz të Drenicës bien heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me 50 anëtarët e familjes Jashari.

Veseli: Me Adem Jasharin nisi e epoka e çlirimit

Në seancën solemne për nder të 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se me rënien historike të Adem Jasharit, nisi epoka e kundërshtimit dhe çlirimit në Kosovë.

“Jemi mbledhur sot në këtë seancë të veçante në nderim të njërit ndër sakrificat më të mëdha për liri e pavarësi. Sakrificës më të madhe të krye heroit, Adem Jashari”, tha Veseli.

“Atë ditë në Prekaz nisi epoka e kundërshtimit dhe çlirimit”.

Ai tha më tej ëndrra e Adem Jasharit dhe mijëra dëshmorëve të Kosovës u bë realitet.

Veseli foli edhe për të arriturat e Kosovës, 20 vite pas rënies së kryekomandantit, Adem Jashari.

“Në këto 20 vjet Kosova ka arritur të mëdha. Edhe skeptikët më të mëdhenj nuk mund të mohojnë atë, shtoi Veseli.

Ndryshe, 20 vite më parë forcat serbe rrethuan shtëpinë e Jasharajve, ku pas një lufte tri ditore, u ra heroikisht, Adem Jashari, vëllai i tij, Hamza dhe babai i tij, Shaban Jashari.

***

Kuvendi i Kosovës mban seancën solemne me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

20-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të shënohet edhe me aktivitete tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat