Matoshi: E kemi siguruar edhe votën e 80’ë

Aktuale

Matoshi: E kemi siguruar edhe votën e 80’ë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 11:26
Halil Matoshi/ Ramush Haradinaj

Seanca për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, do të mbahet të martën në ora 16:00, dhe si duket, tashmë pozita ka siguruar votat e nevojshme.

Edhe pse po raportohet se vota e 80’ë ende nuk është siguruar, dhe koalicioni qeverisës është në kërkim të saj, shefi i zyrës për Media në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshi, është shprehur goxha i sigurtë që ky ligj do të ratifikohet nesër.

“Sipas të gjitha gjasave votat janë, ka mbërritur numri i nevojshëm prej 80 votave dhe ligji për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, do të kalojë nesër”, ka thënë Matoshi.

Mirëpo, ai nuk ka përmendur emra dhe nuk dihet se kush do ta japë votën e 80’ë.

79 vota pozita i ka siguruar pasi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, iu bashkua AAK-së.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nëse edhe këtë të martë kjo marrëveshje nuk kalon, atëherë Qeveria duhet të bjerë, pasiqë sipas tyre po me këtë kauzë Haradinaj kishte ardhur në krye të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat