Deputetët me mendime të ndryshme për rregulloren e re

Aktuale

Deputetët me mendime të ndryshme për rregulloren e re

Më: 23 mars 2018 Në ora: 10:04
Pamje nga Kuvendi i Kosoves

 (E plotësuar)- Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me diskutimin për rregulloren e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu tha se duhet të shikohet qartë nëse propozimi për konferencën e kryetarëve bie ndesh me Kushtetutën.

Sejdiu: Duhet të sigurohemi që konferenca e kryetarëve mos të bie ndesh me Kushtetutën

 “Në nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës konkretisht paragrafi 6 thuhet se, kryetarët dhe nënkryetaret formojnë Kryesinë e Kuvendit dhe kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit dhe mënyrën e përcaktuar me rregulloren e Kuvendit. Pra me rregulloren e vjetër konkretisht me nenin 15 kryesia ka përcaktuar do gjë në lidhje me punën e Kuvendit, ndërsa me rregulloren e re kjo kompetencë i hiqet dhe vendoset tek një organ që quhet konferenca e kryetarëve. Ky organ duhet të shohim në aspektin kushtetues se si trajtohet, a bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës së Kosovës dhe nëse bie ndesh atëherë të sigurohemi që ky trup të mos ketë kësi lloj implikimesh”, theksoi Sejdiu.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, tha se duhet të mos ketë diskriminim, meqë ka grup parlamentar që ka 11 dhe 12 deputetë por nuk kanë nënkryetarë të Kuvendit, derisa ka me 6 deputetë që kanë nënkryetar Kuvendi.

Demaliaj: Ka diskriminim të grupeve parlamentare

“Kur flasim për konferencën e kryetarëve ne kemi pasur një konsensus këtu se deri me tani veprimet e Kryesisë së Kuvendit kanë qenë diskriminuese në raport me grupet parlamentare në Kuvend. Është e vërtetë se konferenca e kryetarëve nuk vendos, mirëpo të shkojnë shefat e grupeve parlamentare në mbledhjet e Kryesisë dhe të shfrytëzohen në mënyrë statike sa për pjesëmarrje kjo nuk ka qenë adekuate. E them këtë meqë kemi grupe parlamentare me 11 dhe 12 deputetë por nuk kanë anëtarë të kryesisë dhe nënkryetar. Kryesues po të shoh që po i rrudhë krahët, por kemi grup parlamentar që ka 6 deputetë dhe ka anëtarë kryesie, atëherë a është diskriminuese kjo”, tha Demaliaj.

Ndaj deputetit Demaliaj u kundërpërgjigj nënkryetari i Kuvendit Kujtim Shala.

 Shala: Konferenca e kryetarëve qartësisht mekanizëm kundër kushtetues

 “Përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit është kushtetues, neni 67. Ju të gjithë po thuani se keni një konsensus por këtu po duket që nuk keni. E dyta, keni propozuar një kategori që do të marrë kompetenca kushtetuese, jo të kryesisë së Kuvendit sepse Kushtetuta e parasheh si një mekanizëm që administron, shikojeni pikën 6 dhe 7 të nenit 67 të Kushtetutës dhe do të vëreni se konferenca e kryetarëve merr kompetencat e kryetarit të Kuvendit, por në një nen më lartë ju ato kompetenca ia njihni edhe kryetarit. Por qartësisht mekanizëm kundër kushtetues”, tha Shala.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, e quajti të pakuptimtë refuzimin e konferencës së kryetarëve, duke thënë se nuk po ia marrin kompetencat kryetarit as Kryesisë.

 Sherifi: Konferenca e kryetarëve nuk ia merr kompetencat Kryesisë

“Ndryshimi real, substancial, cilësor është krijimi i një trupe përmes së cilës, nuk do t’i merreshin kryetarit kompetencat, por do të përfshiheshin vetëm në një çështje kryetarët e grupeve parlamentare, pra konferenca e kryetarëve nuk ndërhyn në kompetencat kushtetuese, së paku nga këndveshtrimi im dhe Nismës, të kryesisë, sepse ka të bëjë vetëm me një çështje, që ka të bëjë me rendin e ditës, thirrjen e seancave dhe rendin e ditës së seancave plenare. Nuk ndërhynë në asnjë çështje të cilat Kryesisë ia ngarkon Kushtetuta”, tha Sherifi.

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pushim për të vazhduar në orën 15:00.

Deputetët po diskutojnë për rregulloren e re të Kuvendit

 Kuvendi i Kosovës po diskuton projekt rregulloren e re për Kuvendin, nismë kjo e Komisionit për Legjislacion.

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, tha se kjo rregullore nuk është më e mira e mundshme, për faktin se kanë qenë të penguar sidomos nga dy vendime të Kushtetueses që kanë të bëjnë me interpretimin e grupit parlamentar dhe imunitetit të deputetëve. 

Haxhiu: Konferenca e kryetarëve ka qenë problematike 

“Çështjet të cilat kanë qenë të diskutueshme dhe për të cilat nuk kemi pasur pajtime të përgjithshme, kanë qenë konferenca e kryetarëve, veçmas përbërja e saj, pra siç e keni parë me draftrregulloren e punës së kuvendit është një organ i ri që është konferenca e kryetarëve që fuqizohet edhe me shumë nga kryesia e Kuvendit e cila përbëhet nga kryetari i Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare që përfaqësojnë vullnetin politik të grupeve parlamentare në konferencën e grupeve parlamentare. Këtu nuk kemi pasur pajtueshmëri për shkak se zotëri Gashi që është përfaqësues i LDK-së ka kërkuar që edhe nënkryetarët e Kuvendit të jenë pjesë e konferencës së kryetarëve. Unë nuk mendoj që kemi bërë mirë që kemi propozuar bashkë me nënkryetarët e Kuvendit”, tha Haxhiu.

 Po ashtu sipas saj, me rregulloren e re parashihet që asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të nënshkruhet pa u diskutuar njëherë në Kuvend. 

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, përmendi konferencën e kryetarëve, si problemin kryesor të kësaj rregulloreje, e cila sipas tij, është anti kushtetuese dhe e papranueshme. 

 Gashi tha se shumë çështje që po tentohen të rregullohen me rregullore nuk duhet të rregullohet. 

Gashi: Konferenca e kryetarëve problematikë dhe anti kushtetues 

“Problemi kryesor ka të bëjë me konferencën e kryetarëve. Koncepti i parë i cili ka qenë është absolutisht i papranueshëm. Është problematikë dhe anti kushtetues. Sepse tenton që nëpërmjet një trupe që është konferenca e kryetarëve, pra kryetari apo kryetarja e Kuvendit të ketë një trupë tjetër jashtë kryesisë së Kuvendit që do të merret me çështje specifike do të miratoj rendin e ditës dhe çështje tjera të cilat janë antikushtetuese sepse mënyra e funksionimit të Kuvendit rregullohet mbi bazën e kriterit të përfaqësimit politik në Kryesinë e Kuvendit, pra nënkryetarët e Kuvendit përbëjnë Kryesinë e Kuvendit sipas forcës politike që rregullohet me Kushtetutë. Kjo ide ka qenë si ide duke i parë disa individë në Kryesi si individë me ndikim sipas forcës politike nga partitë politike që vijnë dhe vullneti i partive të vogla apo edhe vullneti i disa individëve të partive të mëdha t’i eliminojnë individë n ga forca e ndikimit në politikë ka quar deri aty që të propozohet konferenca e kryetarëve që është model i vendeve fqinje që nuk është rasti me i mirë i parlamentarizmit”, theksoi Gashi.

Konjufca kërkon kurs edukate për Veselin

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka kritikuar ashpër kreun e Kuvendit Kadri Veseli, se nuk ka as edukatën elementare për të qenë kryeparlamentar.

Kjo pasi sipas tij, Veseli e dëshmoi me sharjen që bëri para dy ditëve në seancën që u zhvillua për demarkacionin.

Konjufca: Veseli nuk ka edukatë

“E fundit që dua ta përmend dhe ta përmbyll, na nevojitet edhe një kod elementar apo ndoshta bënë edhe me ia mbajtë edhe një kurs edukativ kryetarit të Kuvendit. Nëse e keni dëgjuar si ka sharë kryetari i Parlamentit, është edhe e incizuar, qysh ka sharë para dy ditëve në seancën për demarkacionin, atëherë kjo bëhet shumë urgjente sepse kjo po vërtetohet se nuk e ka as edukatën, as kulturën elementare për të qenë në atë pozitë të kryeparlamentarit”, tha Konjufca.

Haxhiu: Ka kohë që Kuvendi s’ka funksionuar normal

Kuvendi po shqyrton propozim programin e punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, tha se programi i punës për vitin 2018 paraqet një dokument bazë për aktivitetin e Kuvendit të Kosovës si organ ligjvënës, mbikëqyrës, zgjedhor dhe përfaqësues.

Haliti: Kuvendi ka ngecur me miratimin e ligjeve

 “Ajo që dua ta them unë është se ne kemi ngelë shumë mbrapa me miratimin e ligjeve dhe në qoftë se dhjetë ditëshi i ardhëm nuk i përkushtohemi kryerjes së detyrave tona, s’po them se opinioni dhe elektorati i të gjitha partive di të na gjykojë, por them se raporti i progresit i Komisionit Evropian që do të shpërndahet shumë shpejt, Kuvendin e Kosovës do ta qet shumë keq sa i përket këtij aspekti”, tha Haliti.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se vonesa legjislative ka ndodhur për shkak se agjendës së Kuvendit i është mbivendosur tema e demarkacionit.

Haxhiu: Ka kohë që Kuvendi s’ka funksionuar normal

“Sa herë kemi thirrur mbledhje të Komisionit për Legjislacion për t’i diskutuar projektligjet që na janë proceduar nga MD-ja, por edhe ato që janë nismë e Komisionit, në vazhdimësi jemi detyruar që ta shtyjmë mbledhjen e Komisionit pikërisht për shkak se mbivendosej demarkacioni dhe anuloheshin agjendat tjera të komisioneve parlamentare. Tjetra është që sipas rregullores seancat e Kuvendit janë çdo të enjte dhe ditët tjera janë të rezervuara për komisionet parlamentare. Ka kohë që Kuvendi nuk ka funksionuar normal dhe natyrisht që për këtë e ka kryetari i Kuvendit sepse ai e thërret kryesinë e Kuvendit dhe pastaj Kryesia e cakton rendin e ditës. Pra do duhej të jemi përgjegjës karshi Kuvendit dhe seancat të mbaheshin me rregull në mënyrë që mos të ngarkohemi me pika të rendit të ditës, nga 30 për një seancë që nuk po mund t’i kryejmë asnjëherë”, theksoi ajo.

Haxhiu tha se vetëm Komisioni që ajo drejton, ka në procedurë 15 projektligje, plus dy nisma të komisionit, siç është projekt rregullorja e Kuvendit.

Shtyhet votimi i rekomandimeve në rastin Dehari

Glauk Konjufca në seancën e Kuvendit kërkoi lirimin e deputetëve dhe shtyrjen e votimit të rekomandimeve për vdekjen e Astrit Deharit.

Në seancën e sotme të Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca kërkoi të shtyhet deri në lirimin e shtatë deputetëve të Vetëvendosjes votimi i rekomandimeve për vdekjen e Astrit Deharit.

Me shtyrjen e votimit të rekomandimeve u pajtuan edhe përfaqësues të grupeve tjera parlamentare.

Konjufca gjithashtu kërkoi lirimin e deputetëve që u arrestuan të mërkurën nën dyshimin për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Deputetët e Vetëvendosjes hodhën të mërkurën katër herë gaz lotsjellës në përpjekje për ta penguar ratifikimin e marrëveshje së demarkacionit.

Në seancën e sotme të pranishëm janë 57 deputetë.

Xhavit Haliti: Raporti i progresit do ta qesë keq Kuvendin

Xhavit Haliti tha se Kuvendi do të dalë keq në Raportin e Progresit

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti tha se nëse deputetët nuk përkushtohen për ta kryer punën e tyre në Raportin e Progresit Kosova do të dalë shumë keq.

"Ne kemi ngel shumë mbrapa me miratimin e ligjeve dhe nëse në 10 ditëshin e ardhshëm nuk përkushtohemi në kryerjen e punëve tona, dua të them që Raporti i Progresit i BE-së që ka me u shpërnda shumë shpejt, Kuvendin e Kosovës do ta qet shumë keq”, tha Haliti.

Edhe Albulena Haxhiu tha se Kuvendi ka mbetur prapa në miratim të ligjeve, ndërsa e fajësoi për këtë vendosjen në agjendë të demarkacionit.

“Sa herë që kemi ftu mbledhje të Komisionit për Legjislacion për t’i diskutuar projektligjet që na janë dërguar nga Ministria e Drejtësisë, në vazhdimësi jemi detyruar që ta shtyjmë mbledhjen e komisionit për shkak se mbivendosej demarkacioni dhe anuloheshin agjendat tjera të komisioneve parlamentare”, tha Haxhiu.

Është e vërtetë që jemi mbrapa me agjendën legjislative sepse agjendës së Kuvendit i është vendosur tema e Demarkacionit.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur që të shtyhet për një seancë tjetër votimi i rekomandimeve dalë nga interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Dehari.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një ditë tjetër.

Konjufca këtë shtyrje e arsyetoi me mungesën e deputetëve të Vetëvendosjes që gjenden në paraburgim, pasi që të mërkurën u arrestuan nga Policia pasi që hodhën gaz lotsjellës në seancën ku u votua demarkacioni me Malin e Zi.

Në propozimin e Konjufcës u pajtuan të gjitha partitë parlamentare në Kuvend.

Vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon seancën plenare, ku do të votohen rekomandimet nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së grupi parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe propozim-programi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, projekt-Rregullorja e Kuvendit.

Kurse, për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat