Serbët ultimatum Kosovës, do ta formojmë asociacionin më 20 prill

Aktuale

Serbët ultimatum Kosovës, do ta formojmë asociacionin më 20 prill

Më: 28 mars 2018 Në ora: 13:05
Mitrovicë

(E plotësuar) - Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, në fjalimin e tij ka ofenduar Policinë speciale të Kosovës, që mori pjesë në arrestimin e Marko Gjuriq, duke i quajtur “ningja-kornjaça”.

Ai u ka bërë thirrje serbëve për të cilët tha se dëshirojnë t’i bashkëngjiten ushtrisë së Kosovës, duke thënë se “kjo ushtri do të thotë ndërhyrje e serishme në veri dhe vrasja e vëllait të tyre”.

Rakiq: “Ningja kornjaça”

“Përshëndesim heronjtë tanë, të cilët para dy ditëve ishin rrahur nga ana e jo një formacioni policor, por të ‘ningja kornjaça’, janë rrahur vetëm pse janë serbë dhe i përshëndesim heronjtë tanë”, ka thënë Rakiq.

Ai ka folur rreth takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilin e kanë informuar rreth daljes nga Qeveria e Kosovës dhe se Lista Serbe si përfaqësues i serbëve të Kosovës do të jetë opozitë në Kuvend, pasi që koalicioni më nuk ekziston.

Rakiq: Serbëve të Kosovës nuk do t’iu ndodhë “Stuhia”

“Bart porosinë e qartë të presidentit Vuçiq në të cilin besojmë fuqishëm se serbëve të Kosovës nuk do t’iu ndodhë “Stuhia” dhe se Serbia nuk do të lejojë që serbët të maltretohen, të ndiqen dhe të vriten. Serbia nuk do të heshtë ndaj sulmeve ndaj përfaqësuesve tanë legjitimë”, ka thënë Rakiq.

Dalibor Jevtiq, zëvendëskryeministër dhe ministri për Kthim, tha se ajo që ndodhi para dy ditëve ka shkaktuar pakënaqësi në mesin tonë.

Jevtiq: Nuk do të dorëzohemi kurrë

“Kur dikush brutalisht ndërhyn në paqe, tregon se do të çmos që mos të vijë deri te paqja. Por, uniteti ynë do të jap përgjigjen më të mirë dhe nuk do të dorëzohemi kurrë dhe uniteti i serbëve të Kosovës fuqimisht do të ndikojë që të arrijmë qëllimet tona”, ka thënë Jevtiq.

Largimi i serbëve nga qeveria, sipas tij, është vendimi më i mirë është marrë nga Lista Serbe, por tërhoqi vërejtjen se deputetët e kësaj partie do të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet e Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai ka porositur serbët që të qëndrojnë të qetë dhe ‘sado që të ketë sulme serbët do të mbeten më të fuqishëm.

Ndërsa Petar Petkoviq, zëvendës i Marko Gjuriqit nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën ka bërë thirrje për unitet dhe guxim në mesin e serbëve të Kosovës, pasi sipas tij, është përgjegjësi për ruajtjen e paqes.

Petkoviq: Lista Serbe do të bëjë që ky vend të bëhet simbol i nderit

“Lista Serbe do të bëjë që ky vend të bëhet simbol i nderit të mbrojtjes serbe dhe të mos bëhet simbol i humbjes dhe përuljes, i atyre që para 48 orëve, terroristët shqiptarë ndërhyn brutalisht në këtë vend dhe të arrestojnë Marko Gjuriq, i cili është shembull që ne edhe më fuqishëm të luftojmë për interesat serbe. Akuzat për njëanshmëri me rastin e Listës Serbe nuk do të jetë vetëm nga pala shqiptare dhe atyre që i mbështesin”, ka thënë Petkoviq.

Stema e Asociacionit e prezantuar nga Lista Serbe

Në foltoren e dedikuar enkas për këtë takim është vendosur edhe stema e re e Asociacionit.

Përfaqësuesit e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë janë tubuar në hapësirat e Gjykatës në Mitrovicën e Veriut për të diskutuar mbi themelimin e Asociacionit të Komunave serbe.

Në foltoren e dedikuar enkas për këtë takim është vendosur edhe stema e re e Asociacionit.

Se atje do të flitet për AKS-në e kishte paralajmëruar një ditë më parë në Beogard edhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Pas takimit të djeshëm të  përfaqësuesve të Listës Serbe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, pos daljes nga Qeveria e Kosovës, ata paralajmëruan se më 20 prill do ta formojnë vet Asociacionin.

Image
Kjo është stema e Asociacionit e prezantuar nga Lista Serbe

Përfaqësuesit e dhjetë komunave serbe kanë kërcënuar sot në Mitrovicën e Veriut, se nëse Prishtina zyrtare deri më 20 prill nuk do të formojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë ata vetë do ta bëjnë një gjë të tillë, e cila sipas tyre nuk do të përbëjë shkelje por zbatim të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Të mbledhur në sallën e njëjtë ku para pak ditësh ndërhyri policia speciale e Kosovës për të arrestuar të ashtuquajturin shef të Zyrës serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ishin përfaqësues të serbëve të Kosovës.

Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës, ka fajësuar Prishtinën dhe BE-në për mos formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke thënë njëherësh se asociacioni po përdoret për të nënçmuar Serbinë.

Todosijeviq: Le të na arrestojnë

 “Janë bërë pesë vjet nga marrëveshja për asociacionin dhe kjo është obligim që Prishtina dhe perëndimi nuk dëshiron ta implementojë. Ky nuk është hiri ynë. Prishtina dhe Perëndimi nuk janë të gatshëm të formojnë asociacionin. Asociacioni përdoret për nënçmimin e Serbisë dhe Beogradit. Ne sot porositim që të dëgjojnë të gjithë, nuk kam frikë që flas sot. Nëse Prishtina dhe perëndimi nuk dëshirojnë të formojnë asociacionin, ne kemi të drejtë të formojnë bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Është përmendur se do të na arrestojnë. Le të na arrestojnë të gjithë dhe dëshirojmë nga ky vend të themi, pavarësisht presioneve nga Prishtina dhe BE, nuk jemi kundër paqes, jemi për paqe dhe dialog, të gatshëm të flasim për paqe”, ka thënë Ivan Todosijeviq, ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës.

Igor Simiq, deputet nga Lista Serbe, tha se kanë bërë gabim që para pesë vjetëve nuk kanë formuar asociacionin, pasi ai, sipas tij, është për të mirën e serbëve të Kosovës.

Simiq: Nëse nuk e formon Prishtina asociacionin, e formojmë ne

“Bashkësia e komunave serbe është paraparë sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ju do të sillni vendimin nëse Prishtina nuk e bën këtë deri më 20 prill, dhe nuk do të shkelni asnjë rregull, por nga ana tjetër do të bartni porosinë se respektoni marrëveshjen e Beogradit dhe Prishtinës, por edhe atyre që nuk janë sot, e ata janë BE-ja”, tha Simiq.

Ai tha se nga presidenti Vuçiq kanë marrë mbështetje se Serbia nuk do shikojë nëse ndodh diçka ashtu sikurse ndodhi me rastin e arrestimit të Gjuriqit.

Simiq: Lista Serbe, opozitë e fuqishme në Kuvend

“Në emër të deputetëve të Listës Serbe ju përshëndes dhe ju porosis se në Kuvend do të jemi opozitë e fuqishme ndaj të gjitha propozimeve të qeverisë, pasi ajo aktualisht nuk punon në interes të serbëve të Kosovës”, tha ai. 

Takimi i serbëve në Mitrovicë 

Në Mitrovicën e Veriut gjithçka është gati për të filluar takimi i përbashkët i këshilltarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në takimin e sotëm, i cili mbahet në ndërtesën ku të hënën ndërhyri Policia speciale e Kosovës, do të flasë fillimisht  ndihmësi i të shefit të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq.

Serbë të Kosovës janë mbledhur sot në Mitrovicë për të diskutuar për zhvillimet që kanë ndodhur dy ditë më herët ku është arrestuar zyrtari i Qeverisë serbe Marko Gjuriq.

Pas kësaj Lista Serbe ka dal nga Qeveria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat