Peci dyshon se edhe Kryeministri mund të ketë gisht në dëbimin e gylenistëve

Aktuale

Peci dyshon se edhe Kryeministri mund të ketë gisht në dëbimin e gylenistëve

Më: 30 mars 2018 Në ora: 19:11
Lulëzim Peci

Lulëzim Pecin, drejtor i KIPRED-it, ajo që ndodhi dje kur Kosova arrestoi dhe ia dorëzoi Turqisë gjashtë gylenistë, është njollë e zezë tejet e madhe për shtetin. Është rreshtim për krah regjimit të Erdoganit, e kundër frymës së shteteve demokratike.

Madje, e ka quajtur një lloj grushshteti gjithë këtë situatë kur krerët e shtetit deklaruan se nuk dinin asgjë për arrestimin e gjashtë shtetasve turq, në pikë të ditës. Peci, duke folur në “Express Intervistë”, ka thënë se “urdhërdhënës në këtë rast kanë mundur të jenë vetëm dy persona, ose presidenti i shtetit ose kryeministri”.

“Aksione të tilla nuk mund të bëhen pa dijen e krerëve shtetërorë”, ka thënë Peci, teksa ka komentuar edhe deklaratat e krerëve.

“Deklarata më qesharake që mund të dëgjohen. Ata kanë qenë në dijeni të plotë dhe me deklarata të tilla ata nuk mund t’i ikin përgjegjësisë”, ka thënë Peci.

Kur ka folur për shkarkimet e dy zyrtarëve të lartë, ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

“Shkarkimet janë bërë për të fshehur të vërtetën. Sefaj dhe Gashi janë dëme kolaterale për këtë punë. Pavarësisht se ata janë shkarkuar ata janë përgjegjës për punën që e kanë bërë deri në momentin që kanë qenë në detyrë, dhe kësisoj janë objekt i hetimit për gjetjen e të vërtetës”, ka thënë Peci.

Peci ka propozuar që të bëhet një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës, i udhëhequr nga opozita.

“Nëse duhet, të kërkojmë edhe ndihmën e jashtme për t’i dhënë dritë të plotë këtij rasti. Me këtë fitohen kushtet që të sqarohen pozicionet e presidentit dhe të kryeministrit të vendit. Cilido prej tyre që e ka dhënë urdhrin duhet të shkarkohet”, ka thënë Peci.

Peci e ka kritikuar opozitën, veçmas LDK-në, që ka kërkuar zgjedhje.

“Absurdi më i madh është që të kërkohen zgjedhje të reja në këtë moment. Zgjedhjet e reja do të shkarkonin këtë qeveri nga përgjegjësia për këtë rast. Unë shpresoj që opozita do ta kuptojë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por duhet ajo që duhet kërkuar është e vërteta e këtij rasti”, ka thënë Peci.

Peci ka thënë se në aspektin ndërkombëtar Kosova ka thyer rëndë Konventën Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

“Ndërsa sa i përket ligjit vendor, nuk është respektuar as shkronja A e kornizës ligjore. Ka qenë një aksion klandestin, jashtëligjor, i institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me institucionet e Turqisë”, ka thënë Peci.

E me këtë, sipas tij, Kosova ka dhënë sinjal se nuk i përket rreshtimit të botës perëndimore por një vendi autokrat.

“Sinjal që është e rreshtuar për krah regjimit të Erdoganit”.

Aksioni në veri, spektakël për ta bërë prioritet themelimin e Asociacionit

Peci ka komentuar edhe aksionin e së hënës së Policisë së Kosovës në veri të vendit. Sipas tij, ai ka qenë një skenar i përgatitur, një provokim i përgatitur nga Beogradi dhe një reagim i përgatitur nga Prishtina.

“Ngjashëm me trenin rus. E alfa dhe omega e këtij spektakli është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe. Është dashur të bëhet ky spektakël sepse ka pasur kundërshti të brendshme për themelimin e Asocioancinit. E kemi dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se Asocioacioni nuk është prioritet i tij. E si të bëhet prioritet, u inskenua ky arrestim”, ka thënë Peci.

Peci thotë se ai aksion nuk i ka shërbyer Kosovës fare.

“Me veprimet e saj edhe në Prishtinë, Policia e Kosovës ka treguar se nuk bën policim të një shteti demokratik. Është përdorur forcë disproporcionale dhe imazhi nuk ka qenë fare i mirë për vendin tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa sa i përket diplomatëve rusë në Kosovë, Peci ka thënë se Kosova nuk e ka fuqinë e deportimit të tyre, sepse ata nuk janë akredituar te Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, por te UNMIK-u, njësoj si zyrat ndërlidhëse që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat