Thaçi e Haradinaj nuk deklarohen rreth kërcënimeve të Erdoganit

Aktuale

Thaçi e Haradinaj nuk deklarohen rreth kërcënimeve të Erdoganit

Më: 1 prill 2018 Në ora: 20:18
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj nuk kanë dashur të deklarohen rreth kërcënimeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, derisa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk ishte i pranishëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë dashur të deklarohen lidhur me zhvillimet e fundit dhe deklaratat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka falënderuar Thaçin për arrestimin e gjashtë gylenistëve, ndërsa për kryeministrin Haradinaj ka thënë se është turp se si ka vepruar.

Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ka organizuar pritjen solemne për nder të Pashkëve, ku ka thënë se mbrëmë ka folur krejt çfarë ka pasur për të thënë, duke mos dashur të përsëris të njëjtat fjalë, derisa ka uruar që të vazhdojë festa. Ai tha se kjo festë është një festë e gëzimit dhe e haresë ku kremtohet ringjallja e Krishtit.

Derisa dje i ka goditur zyrtarët e vendit që i kanë dorëzuar në Turqi gjashtë shtetasit turq, duke pohuar se “këta që kanë pre mikun në besë dje, nesër do të jenë të gatshëm ta dorëzojnë edhe kryeministrin”, Imzot Dodë Gjergji nuk deshi të komentojë zhvillimet e fundit, pas arrestimit të gjashtë gylenistëve në Kosovë.

Gjergji: Mbrëmë i kam thënë fjalët, nuk dua të përsëris

"Festa e Pashkëve është një festë e gëzimit dhe e haresë se ne kremtojmë ringjalljen e Krishtit. Për krishtlindje i kam paraprirë fjalët e mesnatës, ndërsa mbrëmë i kam thënë fjalët kështu që nuk kam nevojë që të përsëritem, gëzuar", tha ai.

Ndërsa krerët e shtetit, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj nuk kanë dashur të deklarohen rreth kërcënimeve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, derisa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli nuk ishte i pranishëm.

Ndryshe, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, ka reaguar në lidhje me protestën para Ambasadës së Turqisë në Prishtinë mbi dyshimin se qytetarët turq, të dyshuar nga shteti turk se janë pjesë e grupit që ky shtet e cilëson terrorist, FETO, po mbaheshin në ambientet e Ambasadës turke në Prishtinë.

Kjo Ministri thotë se Kosova, si vend nikoqir i shtetasve, bizneseve, organizatave e misioneve turke, është përgjegjëse për sigurinë e tyre.

“Organizata terroriste FETO ka treguar edhe njëherë fytyrën e saj të vërtetë para tërë votës me veprimet e tyre kundër Turqisë dhe misioneve të saja në Kosovë. Autoritetet e Kosovës janë paralajmëruar se siguria e shtetasve, misioneve, zyrtarëve dhe kompanive turke është përgjegjësi e parë dhe e vetme e Kosovës si vend nikoqir dhe se pritet nga ta të veprojnë në vijë me obligimet e tyre ndërkombëtare. Ne presim po ashtu nga miqtë tanë të kenë qasje të kujdesshme dhe të pakompromis ndaj pjesëtarëve të kësaj organizate terroriste dhe ndaj qarqeve që mbështesin ata”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.

Në këtë komunikatë kritikohen edhe shkrimet “provokuese” në media ndaj Ambasadës turke në Prishtinë.

“Lajmet provokuese që po sulmojnë Ambasadën, ambasadoren tonë dhe stafin e ambasadës duke deklaruar se personat që janë ekstraduar nga Kosova kanë qenë në ambasadën në Prishtinë, janë të pabazuara. Ne mohojmë fuqishëm dhe dënojmë manipulimet e tilla të dëmshme mediale”, përfundon deklarata e MPJ-së së Turqisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat