Thaçi: Marrëveshja ligjërisht obligative me Serbinë do të ketë peshën e njohjes reciproke

Aktuale

Thaçi: Marrëveshja ligjërisht obligative me Serbinë do të ketë peshën e njohjes reciproke

Më: 5 prill 2018 Në ora: 10:35
Hashim Thaci

Presidenti Thaçi ka thënë se në aspektin kohor, edhe në bazë të terminologjisë të përdorur në ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së’, po flasim për një urgjencë në arritjen e marrëveshjes ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Urgjenca për ne dhe për Brukselin, e le të shpresojmë edhe për Beogradin, nënkupton që ky vit të jetë korniza kohore për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sa i përket përmbajtjes së vetë marrëveshjes, ajo tashmë njeh një ‘kod’ të vetin politik dhe diplomatik, me titullin e një ‘marrëveshjeje ligjërisht obligative’.

“Për ne në Kosovë, kjo marrëveshje ka peshën e njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kjo marrëveshje, sipas presidentit Thaçi, me terminologjinë e saj precize dhe të qartë do të duhej të mundësonte që Kosova të bëhej shtet anëtar i OKB-së, i OSBE-së dhe i të gjitha organizatave ndërkombëtare.

“Marrëveshja ligjërisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së dhe një dinamikë të përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës në BE dhe në NATO”, ka thënë Thaçi.

Por, presidenti Thaçi ka thënë se pyetja fondamentale që ngritët në këtë rast është se a do të jetë e gatshme Serbia për një marrëveshje të tillë dhe në rast se po, atëherë çfarë kompromisi do të kërkoj nga Kosova?

“Korrektimi i kufijve, e kam thënë disa herë që është një opsion, i cili bart më vete shumë rreziqe të cilat ne të gjithë i dimë, prandaj nuk dua të futem fare në detaje. Ne konsiderojmë se Kosova i ka bërë të gjitha kompromiset e dhimbshme deri më tani, nëpërmjet Planit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë s’e besojmë që BE dhe SHBA së bashku, do të duhej të jenë garantues jo vetëm në arritjen e kësaj marrëveshjeje të madhe, por edhe të zbatimit të saj, me afate shumë konkrete kohore, dhe me mekanizma ndërkombëtarë të verifikimit të implementimit të saj.

“E dimë pra, çka duam si Kosovë dhe po ashtu, e dimë që më nuk mund të shtyhet, as të zvarritet, përfundimi i bisedimeve me Serbinë në Bruksel. Por, nëse këtu do të jem krejt i sinqertë me ju, unë jam i vetëdijshëm për të gjitha rreziqet politike dhe të sigurisë që janë përcjellës të rëndomtë të këtyre proceseve të rënda, në finalen e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, ky do të jetë një proces shumë i vështirë, porse nuk ka alternativë.

“Dhe rreziku më i madh i mundshëm, kërcënimi më i madh i mundshëm është ai i moskryerjes së këtij detyrimi tonë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Bisedimet me Serbinë, ashtu siç e kanë bërë bashkë politikën kosovare në Konferencën e Rambouilletit dhe në Procesin e Vjenës, presidenti Thaçi ka thënë se do të duhej edhe tani të na bashkonin në finalen e Brukselit.

Kjo është zgjidhja më e mirë për politikën kosovare, sipas tij, sepse ky unitet politik është i domosdoshëm nga ana e jonë, për të ofruar të gjitha garancitë e duhura për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes ligjërisht obligative me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat