Grupet parlamentare të Miqësisë, të Kuvajtit dhe Kosovës, takohen në Kuvend

Aktuale

Grupet parlamentare të Miqësisë, të Kuvajtit dhe Kosovës, takohen në Kuvend

Më: 12 prill 2018 Në ora: 14:55
Grupi parlamentar i Miqësisë Kuvajt – Kosovë,

Grupi parlamentar i Miqësisë Kuvajt – Kosovë, në kuadër të vizitës në Kosovë, u prit sot në një takim të veçantë nga grupi homolog i Kuvendit të Kosovës.

Zafir Berisha, në emër të grupit të miqësisë të Kuvendit të Kosovës, u shprehu mirëseardhje mysafirëve nga Kuvajti.

Ai i njohu miqtë kuvajtianë me punën, rolin dhe përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i vendit.

Deputeti Berisha po ashtu foli për arritjet e shtetit të Kosovës në shumë segmente, ndërsa shtoi se ende ka nevojë për mbështetjen e miqve të tij.

Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kuvajtin, theksoi se Kuvendi i Kosovës dhe Asambleja Kombëtare e Kuvajtit tashmë kanë krijuar një traditë të mirë të shkëmbimit të vizitave të delegacioneve të larta parlamentare dhe shtroi nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.

Kryesuesi i delegacionit nga Kuvajti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në parlamentin kuvajtian, Waleed Al- Tabtabaie, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen, theksoi se Kuvajti ka qëndruar përkrah Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke bërë përpjekje që të ketë paqe në këtë vend.

Ai gjithashtu bëri të ditura përpjekjet dhe përkushtimin e shtetit të Kuvajtit për njohjen e Kosovës nga vendet arabe të cilat ende hezitojnë ta bëjnë këtë. Ai, përmendi disa shtete arabe të cilat janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila, sipas tij, lidhet me faktin se disa shtete janë të ndikuara nga Rusia, për interesat e tyre.

Al- Tabtabaie foli edhe për fondin kuvajtian, nga i cili, sipas tij, mund të përfitojë edhe Kosova, në projekte të ndryshme infrastrukture. Ai konfirmoi se bashkëpunimi Kuvajt-Kosovë do të vazhdojë si në rrafshin shtetëror, ashtu edhe atë privat.

Në emër të deputetëve mikpritës, Zafir Berisha u zotua që se shpejti do të realizohet një vizitë në Kuvajtit, në funksion të forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis dy shteteve.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat