MPJ mirëpret raportin e KE-së për Kosovën

Aktuale

MPJ mirëpret raportin e KE-së për Kosovën

Më: 18 prill 2018 Në ora: 15:17
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerëson

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerëson se raporti i KE-së për Kosovën është real dhe konstruktiv, nëpërmjet të cilit prezantohen të arriturat, sfidat dhe mbi të gjitha puna e madhe që e pret vendin tonë deri në anëtarësim të plotë dhe të barabartë në Bashkimin Evropian.

MPJ konsideron si tejet të rëndësishëm faktin se Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht, në veçanti progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, dy kritere këto të fundit të përmbushura nga ana e Institucioneve të Kosovës, që pritet t’i hapin rrugë përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave.

“Theksimi i të arriturave të tjera, duke përfshirë, por mos u kufizuar në fushën e zhvillimit ekonomik, Reformën e Administratës Publike, përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillim të dialogut me Serbinë janë inkurajuese për shtimin dhe rigjallërimin e  përpjekjeve edhe më të mëdha në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

MPJ i merr parasysh edhe sfidat e paraqitura në këtë raport, duke shprehur zotimin se ato mbeten si udhërrëfyes për Institucionet vendore në vazhdimin e rrugës tonë të palëkundur dhe të vendosur drejt integrimeve evropiane.

MPJ zotohet se në bashkëpunim me institucionet e tjera të linjës do të japë kontributin në tejkalimin e sfidave të adresuara dhe përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në BE. 

MPJ po ashtu uron Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke e vlerësuar si një mesazh  jashtëzakonisht të rëndësishëm si për arritjet e dy shteteve, ashtu edhe për forcimin e bindjes dhe rritjen e besimit për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të plotë dhe të barabartë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat