Nesër seancë e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Aktuale

Nesër seancë e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Më: 19 prill 2018 Në ora: 19:14
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit.

Kjo është vendosur në mbledhjen e sotme të kryesisë së Kuvendit, ku po ashtu janë caktuar edhe seancat tjera, më 26 prill mbahet vazhdimi i seancës dhe më 3 maj mbahet seanca e re plenare.

Anëtarja kryesisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë, tha se raporti nga KE-ja për Kosovën evidenton probleme jashtëzakonisht të mëdha, prandaj, sipas saj, është e rëndësishme të diskutohet nesër.

Haxhiu: Raporti i Progresit evidenton probleme të mëdha

“Para dy ditësh, si grup parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK-së, por edhe të deputetëve të pavarur, kemi proceduar kërkesën për seancën e jashtëzakonshme për të diskutuar mbi Raportin e Progresit për vendin. Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, u diskutua që kjo seancë të mbahet nesër, ashtu si kemi kërkuar ne si grup parlamentar. Është e qartë se ky raport evidenton probleme jashtëzakonisht të mëdha sa i përket vendit tonë. Andaj, është tepër e rëndësishme që në seancën e nesërme të diskutohet mbi këtë raport”, ka thënë Haxhiu.

Më 26 prill do të mbahet interpelanca për kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit të Ri.

Kjo është bërë e ditur nga Dardan Sejdiu, anëtar i Kryesisë nga radhët e Grupit të Deputetëve të Pavarur, i cili po ahstu njoftoi se më 3 maj do të mbahen seancat e radhës, ku do të diskutohet për pozitën e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti dhe për ndarjen e komisioneve.

Sejdiu: Për çështjen e Aida Dërgutit të veprohet sikur që është votuar

“Seanca vazhdon më datën 26 prill, ku po shpresojmë shumë si grup që të trajtohet tema e kontratës me ‘Contour Global’. Kjo është një prej temave më të rëndësishme e që kanë implikime të jashtëzakonshme ekonomike financiare për vendin, por edhe implikime për bizneset e familjet në Republikën e Kosovës, meqë me këtë kontratë do të ndryshojë tërësisht sistemi energjetik, por edhe kostoja që do të paguajmë si qytetarë, qoftë përmes taksave, qoftë përmes faturës për ndërtimin e këtij Termocentrali. Nëse pyetja është se diskutimi për Aida Dërgutin është pjesë e rendit të ditës, po, është në seancës plenare të datës 3 maj, në të njëjtën seancë do të diskutohet edhe ndarja e komisioneve për Grupin e Deputetëve të Pavarur. Mendoj se është komplet në rregull, ashtu siç është emëruar me votë të deputetëve, ashtu të veprohet tash me votë të deputetëve. Kemi raste të tilla edhe në të kaluarën?€ , ka thënë Sejdiu.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi tha se është kërkuar që seanca për Raportin e Progresit të shtyhet, pasi  ende nuk është përkthyer raporti nga gjuha angleze. Sipas tij, Raporti i Progresit është i rëndësishëm, por nuk është emergjent. Duke folur rreth kërkesës së VV-së për shkarkimin e Aida Dërgutit, Krasniqi tha se për PDK-në është kjo çështje irelevante dhe nuk është prioritet.

Krasniqi: PDK nuk do të luajë arbitrin për Aida Dërgutin

“Ajo që unë konsideroj, është ironike, për faktin që në raportin e progresit, pikërisht tek rekomandimet për Kuvendin, në fjalinë e fundit thuhet se: Kuvendi duhet të kursehet nga procedurat e emergjente për çështje që s’janë emergjente, dhe realisht diskutimi për raportin e vendit është shumë i rëndësishëm, por nuk është emergjent. Aida Dërguti është krejtësisht irelevante për neve, unë besoj që do ët ishte mirë që ata të merren vesh në mes veti, sepse ne si PDK nuk do ta luajmë arbitrin në këtë kontest që e kanë LVV dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur”, ka thënë Krasniqi.

Aida Dërguti po vazhdon të mbajë pozitën e nënkryetares në Kuvendin e Kosovës, përkundër asaj që Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar tërheqjen e saj nga kjo pozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat